UBT

Privatizimi riktheu gjeneratorët

/ 4 minuta lexim

Nga Enis Veliu – Privatizimi i dyshimtë i distribucionit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), në një farë mënyre mund të konsiderohet si i dështuar, pasi që efektet e ndryshimit të pronësisë nga publike në private, thuajse nuk po vërehen fare.

Në disa raste, pasi që distribucionin e ka marrë në pronësi konsurciumi turk “Çalik &Limak”, situata është rënduar edhe më shumë.

Është folur e premtuar shumë për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, para dhe pas privatizimit. Madje në shumë raste ministra të Qeverisë së Kosovës kanë shqyer fytin duke mbrojtur privatizimin edhe pse është kundërshtuar fuqishëm nga shoqëria civile, por edhe parti opozitare në Kuvendin e Kosovës.

Po ashtu, është folur shumë për modernizim të rrjetit. Por, asnjëra nga to nuk ndodhën.

Përkundrazi situata e furnizimit me energji elektrike u përkeqësua edhe më shumë, sidomos pas shpërthimit që ndodhi në Korporatën Energjetike të Kosovës, si prodhuesi i vetëm i energjisë elektrikë në vend.

Denoncimet e bëra nga Lëvizja “Vetëvendosje” në Njësinë për Krime Ekonomike të Policisë së Kosovës rreth mënyrës së privatizimit, deri më tash nuk kanë dhënë ndonjë rezultat.

Po ashtu, rezultate nuk po japin as hetimet e nisura kohë më parë, të cilat i pati nisur edhe Misioni Ndërkombëtar i Sundimit të Ligjit – EULEX.

Eco Higjiena

Kompani të huaja po braktisin vendin në mungesë të energjisë elektrike. Kështu kishte ndodhur edhe një dekadë më parë. E ato vendore janë duke punuar me humbje vetëm e vetëm sa për të mos e ndalur prodhimin.

E para lokaleve në Prishtinë, por edhe qendra tjera të Kosovës janë kthyer gjeneratorët e shumtë që të kujtojnë Kosovën e vitit 1999.

Reduktimet e gjata të energjisë elektrike me orar e pa orar, ditëve të fundit kanë goditur Kosovën. Por, situata pritet të rëndohet shumë e më shumë, me uljen e temperaturave, kur konsumi i energjisë në vend thuajse dyfishohet. Komuna e Drenasit përmes një reagimi publik ka shprehur shqetësimin ndaj operatorit privat të furnizimit me energji elektrike, KEDS, që ketë qytet e ka futur në kategorinë C të furnizimit me energji elektrike, ku pjesa më e madhe e ditës kalon në terr.

Rreth 1600 biznese të kësaj komune po rrezikohen seriozisht nga regjimi i ashpër i reduktimeve të energjisë elektrike që po bëhet nga ana e KEDS-it.

Për momentin në blloqet e termocentraleve të KEK-ut janë duke u prodhuar rreth 400 megavat orë energji elektrike, e derisa kërkesa për konsum shkon deri në 800 megavat. Mirëpo, me uljen e temperaturave kërkesa për konsum dyfishohet në mënyrë automatike, e derisa deri në dhjetor të këtij viti prodhimi i energjisë nga KEK-u mbetet thuajse i njëjtë.

Por së fundi edhe shteti është vënë në funksion të një operatori privat, siç është rasti i KEDS-it, ku gjatë vitit të fundit çmimi i energjisë elektrike në vend është ngritur për 10 për qind. Por, edhe kjo nuk po i mjafton konsorciumit turk që bleu distribucionin për 26 milionë euro, përkundër kësaj një pjesë e madhe e Kosovës gjatë gjithë ditës ndodhen në terr.
Në këtë rast institucionet e Kosovës duhet të marrin masa të menjëhershme ndaj kompanisë turke “Çalik &Limak” për të përmirësuar shërbimin, pasi që pasojat nga mungesa e energjisë elektrike në vendin tonë janë të mëdha.

Bllokada politike pa dyshim se ka ndikuar direkt negativisht në proceset ekonomike në vend. Por, kësaj të fundit i është shtuar edhe mungesa e energjisë elektrike.