Privatizimi kriminal e korruptiv t’i nënshtrohet hetimit
Përfaqësues të bizneseve dhe analistë të ekonomisë janë të mendimit se Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet që sa më parë të nisin hetimet rreth mënyrës së procesit të privatizimeve kriminale që janë bërë në Kosovë, nga të cilat kanë përfituar më së shumti bizneset e mafio-oligarkëve, që janë të lidhur me garniturat e pushtetarëve. Veç saj, ata janë të mendimit se institucionet e drejtësisë së Kosovës duhet që të hetojnë të gjithë ata që drejtuan AKP-në dhe sot janë bërë milionerë kryesisht dhe vetëm me korrupsion dhe krim të organizuar.
Institucionet e reja ta hapin kapitullin e zi të ekonomisë kosovare
“Efekti i privatizimit ishte kundërproduktiv, ngase ka krijuar vetëm varfëri, që po rritet dita- ditës, kurse me këtë proces mbetën pa punë mbi 70 mijë veta. Kjo që ka ndodhur me këtë proces të privatizimit në Kosovë është një tmerr, sepse e tërë ajo pasuri, që dikur kishte vlerën me miliarda euro e dollarë, është shitur për pak para e shuma simbolike… Nga të gjithë aktorët, që ishin të involvuar në këtë proces shkatërrues të ekonomisë sonë, tani duhet kërkuar përgjegjësi e llogaridhënie para Qeverisë, Kuvendit, por edhe para Prokurorisë e drejtësisë”, tha Ramadan Maloku, anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve
Përfaqësues të bizneseve dhe analistë të ekonomisë janë të mendimit se Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet që sa më parë të nisin hetimet rreth mënyrës së procesit të privatizimeve kriminale që janë bërë në Kosovë, nga të cilat kanë përfituar më së shumti bizneset e mafio-oligarkëve, që janë të lidhur me garniturat e pushtetarëve. Veç saj, ata janë të mendimit se institucionet e drejtësisë së Kosovës duhet që të hetojnë të gjithë ata që drejtuan AKP-në dhe sot janë bërë milionerë kryesisht dhe vetëm me korrupsion dhe krim të organizuar.
Analistët kanë vërejtje të mëdha për përfaqësues të të gjitha qeverive të deritanishme të pasluftës në Kosovë, por edhe nëpër komunat tona, që e shkatërruan ekonominë e Kosove. Sipas tyre, këtu duhet përfshirë edhe Komunën e Prishtinës, që po udhëhiqet nga VV-ja në këto katër vjetët e fundit, e cila është specializuar në shitjen e lejeve ndërtimore dhe tenderëve, pasi ka dyshime të mëdha, se e tëra kjo po bëhet përmes klikës së Shpend Ahmetit, Dardan Sejdiut, Dardan Molliqaj,Liburn Aliu etj. Njohësit e kësaj fushe habiten se si lejuan të gjitha partitë politike, për më tepër edhe duke u bërë pjesë e këtij inkriminimi, që krimi i organizuar dhe nëntoka e mafio-oligarkëve të shkatërrojnë Kosovën ekonomikisht. Ata ankohen se këto mafio-biznese nuk kanë lejuar që asnjë biznes të mos mund të zhvillohet me treg të hapur e të lirë, e të barabartë për të gjithë, ndërkohë që mafio-oligarkët dhe pushtetarët e lidhur me ta, si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin lokal komunal, tanimë i kanë bërë edhe miliardat, kurse ka dyshime të mëdha se paratë e tyre të vjedhura e të plaçkitura nga populli i kanë fshehur në parajsat fiskale nëpër botë.
Para ligjit, secili të japë llogari
Anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve, afaristi Ramadan Maloku, për gazetën “Kosova Sot”, tha se kur bëhet fjalë rreth procesit të privatizimit dhe akëcili që ka bërë shkelje të ligjit pa asnjë mëshirë duhet që të hetohet dhe që të japë llogari para ligjit, pa marrë parasysh se kush ka qenë në këto pozita. Sipas tij, para ligjit askush në çfarëdo pozite qoftë nuk është i mbrojtur dhe të gjithë ata që kanë bërë shkelje në këtë proces dhe që e kanë falur pasurinë e popullit duhet që të japin llogari. “Efekti i privatizimit ishte kundërproduktiv, ngase ka krijuar vetëm varfëri që po rritet dita- ditës, kurse me këtë proces mbetën pa punë mbi 70 mijë veta”, potencoi ai. Ndaj, sipas Malokut, kjo që ka ndodhur me këtë proces të privatizimit në Kosovë është një tmerr, sepse e tërë ajo pasuri, që dikur kishte vlerën me miliarda euro e dollarë, është shitur për pak para e shuma simbolike. “Andaj, edhe nga të gjithë aktorët që ishin të involvuar në këtë proces shkatërrues të ekonomisë sonë tani duhet kërkuar përgjegjësi e llogaridhënie para Qeverisë, Kuvendit, por edhe para Prokurorisë e drejtësisë”, vlerësoi Maloku.
Punëtorët ngelën në rrugë
Analisti Ragip Guraziu tha për gazetën “Kosova Sot” se nga privatizimi i egër, veç ndërmarrjeve të tjera, më së keqi ishte shkatërrues për gjigantin e prodhimit “IGK- Ballkan”, Suharekë. Sipas tij, duhen të hapen hetimet për privatizimet, të cilat po cilësohen si kriminale që u bënë në shtetin e Kosovës, nga mafio-oligarkët e lidhur me pushtetin,që drejtuan AKP-në,por edhe AKM-në, që sot janë bërë milionerë, kryesisht pra me korrupsione dhe krime të organizuar. “‘IGK-ja Ballkan’, fabrika e prodhimit të shiritave transportues, si dhe e rripave trapezë në Suharekë, ishte gjiganti i vetëm në Evropë që mbante diku 1900 punëtorë. Siç e dimë, kjo fabrikë është privatizuar në vitin 2004 dhe ish-punëtorët e kësaj fabrike vazhdojnë të kërkojnë kthimin e borxhit të 20 përqindëshit, por askush nuk e ka gajlen e tyre”, u shpreh ai. Analisti Guraziu thotë se kjo fabrikë është shembulli më i mirë i dështimit të privatizimit të ndërmarrjeve publike në Kosovë. “‘Ballkani’ ishte një gjigant botëror, kur shiritat tanë transportues të kësaj fabrike pushtuan të gjithë tregun botëror, në të gjitha kontinentet. Thënë shkurt, privatizimi i kësaj ndërmarrjeje ka shkatërruar punë- torët e këtij gjiganti. Ky privatizim i mbrapshtë ka bërë që një gjigant i prodhimit të kthehet në një kaos të konsumit, duke dhënë në shfrytëzim hapësirën e kësaj fabrike, dy ndërmarrjeve private, të cilat tashmë kanë përshtatur për interesa të profitit të tyre gjithçka që shohin para syve. Këto dy ndërmarrje private, ‘Elkos Group’ dhe ‘Viva Fresh Store’, kanë në shfrytëzim tash e sa kohë këto hapësira të IGK ‘Ballkanit'”, ka thënë Guraziu.
Ndërmarrjet u falën
Ish-deputeti, Xhevdet Neziraj tha për “Kosova Sot”, se që nga fillimi kur fjalën kryesore në çështjen e privatizimit e kishin ndërkombëtarët e deri me sot, ky proces është përcjellë me korrupsion, ndërsa kjo metodë e privatizimit jo vetëm që ka komplikuar, por e ka ngadalësuar dhe shkatërruar tej mase procesin e tranzicionit ekonomik në Kosovë. “Të gjitha ndërmarrjet e rëndësishme janë shitur me çmime simbolike dhe në vend që të sjellin punësime dhe hapje të vendeve të punës me privatizimin ka ndodhur e kundërta, ngase janë larguar njerëzit nga vendet e punës dhe se nuk është bërë asnjë përparim drejt zhvillimit ekonomik të vendit, por me këtë proces, për fatin e keq, kanë përfituar vetëm biznesmenët e caktuar, që tani menaxhojnë ekonominë e vendit në tërësi “, u shpreh ai. “Qeveria ‘Haradinaj’ në këtë mandat qeverisës duhet që të përmbyllë këtë proces të privatizimit, duke eliminuar parregullsitë,por duhet që ta përfundojnë sa më shpejt procesin e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, si parakusht për kthimin e mjeteve të Fondit të Privatizimit dhe aktivizimin e atyre mjeteve për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për hapjen e vendeve të reja të punës dhe ndërrimin e strukturës ekonomike të Republikës së Kosovës”, ka thënë analisti Neziraj.
Krerët e Prishtinës të hetohen për shkatërrimin e kryeqytetit
Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci tha për “Kosova Sot” se hetimet për privatizimet kriminale do të hapen, sepse në Kosovë nuk po funksionon ligji, por mafia. “Duhet që të hetohen të gjithë ata që e drejtuan AKP-në, duke u bërë milionerë brenda natës, duke e arritur këtë me korrupsion dhe me krim të organizuar”, theksoi ai. Sipas Grapcit, ekonomia e Kosovës është shkatërruar nga qeveritë e deritanishme në Kosovë, nga dhënia e tenderëve pa leje, nga mosfunksionimi i Agjencisë Antikorrupsion, nga mosazhuriteti dhe mosangazhimi i gjykatave në Kosovë, por edhe duke i lejuar personat përgjegjës të dalin të lirë, kurse ata që janë viktima dhe kanë bërë vepra të lehta po dënohen mbi 5 vjet burgim. “Krerët e Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe VV-ja, më 22 tetor do largohen nga pushteti komunal, dhe pas kësaj date Gjykata Speciale e Kosovës do të fillojnë hetimet ndaj Kryesisë së VV-së, që e kanë udhëhequr Komunën e Prishtinës, duke filluar nga Albin Kurti, Visar Ymeri, Shpend Ahmeti e deri tek Dardan Molliqaj dhe Liburn Aliu”, theksoi ai. “Ky hetim duhet të bëhet, sepse këta të apostrofuar janë nxitësit e problemeve dhe personat përgjegjës për gjendjen e tashme të shkatërrimit të Prishtinës, ku këtë qytet e kanë kthyer në një gërmadhë ndërtimesh” , vijoi më tutje ai.
Klani “Pronto”, shkatërrues ekonomik
Analisti Reshat-Badallaj-Zhuriani ka thënë për gazetën “Kosova Sot”se mafio-oligarkët në Kosovë vepruan menjëherë në mënyrë të organizuar që nga pas lufta. “Së pari, për të vepruar në mënyrë të paligjshme e pa frikë, këta e korruptuan dhe blen shtetin, në mënyrë që pastaj t’i kenë duart e lira për të shkatërruar ekonominë e vendit deri në palcë. Pra, pa më të voglin dyshim se mafio-oligarkët i kanë blerë kreun e shtetit,banditët e kryebanditët e bandave politike dhe sistemin gjyqësor, dhe më pastaj këta vepruan e po veprojnë pa pasur frikë fare që po i ndjek dikush dhe bën shtetin sallamadi”, u shpreh ai. “Pastaj, ata e themeluan klanin famëzi dhe shkatërrues “PRONTO” dhe këta idiotë e shkatërruan çdo gjë në Kosovë dhe po bëjnë akoma kërdi. Pjesa tjetër e përdorën një politikë tinëzare shkatërruese. Këta në fillim shanin, fyenin, duaje tendën,’prapto’ maune serbe, krejt kjo sa për t’i hedhur sy popullit në pikë të ditës dhe formohet grupi me mafioz, duke ia kaluar edhe klanit banditesk që quhej klani ” Pronto”. Ata e formuan grupin mafioz që quhet klubi i “Vetëvendosjes” në përbërje dhe timonier Shpend Ali Ahmeti, djali i një titisti, i ardhur nga KAN-i, që përbënin shqipfolës e serbianë bashkë. Kësaj zezënaje u printe Shpendi, por në bishtin e qerres kishte ulur edhe organizatoret e shkatërrimit të ekonomisë së Kosovës edhe Dardan Sejdiun, Dardan Molliqajn, Liburn Aliun etj.”, ka thënë Badallaj. ” Mafiobizneset e lidhura me politikën ditore ua kanë zënë frymën bizneseve të vogla dhe nuk po i lënë dot që të marrin frymë lirisht, sepse mafio-oligarkët, si në nivelin qendror dhe atë lokal, e kanë në dorë ekonominë e vendit, duke e vjedhur dhe ndaj mu për këtë u bënë të kamur me paratë haram e pa djersë, duke vjedhur dhe iu bëjnë konkurrencë edhe sheikëve të Dubait, dhe duke shkatërruar ekonominë e vendit u bënë të kamur, siguruan pasuri për shumë breza dhe nga frika kanë deponuar paratë me thasë nëpër vende të sigurta jashtë”, theksoi Badallaj.
(Kosova Sot)


