Privatizimi i ‘Brezovicës’, peng i Beogradit
Projekti i madh ekonomik mund të dështojë si PTK-ja. Ende nuk dihet nëse konsorciumi francez i ka siguruar paratë
“Jam shumë skeptik rreth privatizimit të Brezovicës, sepse kam frikën se pas kompanisë franceze mund të qëndrojë si paravan Qeveria e Serbisë”, shprehet deputeti Enver Hoti, i cili dyshimet e tij i bazon në faktin se pas lajmit për dhënien në koncesion të Qendrës Turistike të “Brezovicës”, këtë e kanë komentuar edhe politikanët në Serbi
Se çfarë do të bëhet me privatizimin e Kompleksit të “Brezovicës” për momentin nuk dihet, sepse është e qartë se resurset kryesore ekonomike të njërës nga qendrat më të mëdha të skijimit në Ballkan, kanë mbetur peng i relacioneve të Kosovës me kryeqendrën serb, Beogradin.
Kjo sepse, sipas analistëve dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka një ndërhyrje flagrante dhe tinëzare të Beogradit që nuk po zgjedh mënyra që mos të lejohet privatizimi i kësaj qendre skijimi, që është në proces nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Ndryshe, kanë mbetur vetëm edhe tri ditë deri më 24 dhjetor të këtij viti, që është afati i fundit kur do qartësohet situata sa i përket të ardhmes së “Brezovicës”. Qeveria e Kosovës, në njërën anë, duhet që të kryejë procesin e shpronësimit dhe dhënies së licencës për nisje të punimeve dhe në anën tjetër, konsorciumi fitues francez të ketë në dispozicion 164 milionë euro. Zëdhënësja e MTI-së, Vjollca Dibra, ka thënë shkurt se MTI-ja e ka bërë të qartë që investitori (partneri privat), sipas kontratës me Qeverinë e Kosovës për Projektin e “Brezovicës”, ka afat që të paraqesë planin financiar deri më 24 dhjetor 2015.
Ndërsa me gjithë pyetjet e dërguara në adresë elektronike të zyrtarit për komunikim me mediat nga qendra “Brezovica”, që punon për kompaninë franceze, zyrtarët e tyre nuk kanë kthyer përgjigje se a janë siguruar paratë e tyre për këtë kompleks.
Burime anonime nga MTI-ja, ndërkaq, njoftojnë se francezët deri më 20 dhjetor nuk i kanë siguruar paratë për privatizimin e “Brezovicës” dhe se projekti i Qeverisë së Kosovës, që ka synim privatizimin me të madh po sabotohet nga interferimet e Qeverisë së Serbisë./kosova sot/

