Privatizimet e dështuara, rrënuese për Kosovën
Dështimi përfundimtar i procesit të privatizimit, që për fat të keq ndodhi javën e shkuar me kompleksin e ‘Brezovicës’, si dhe dështimet e vazhdueshme me privatizimin e PTK-së, e kanë dëmtuar tej mase imazhin e Kosovës jashtë vendit në joshjen e investitorëve të huaj potencialë. Sipas ekspertëve dhe njohësve të kësaj fushe, këto dështime janë mesazhi më i keq i kësaj garniture politike në pushtet që japin për investitorët e huaj.
“Kjo qeveri, që premtoi zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të punës, nuk arriti që ta finalizojnë projektin e ‘Brezovicës’ e as atë të PTK-së. Kjo qeveri do ta dështojë edhe ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’, do ta dështojë çdo gjë që është në interes të vendit, sepse ka prioritete të tjera, korrupsionin dhe nepotizmin”, është shprehur ish-ministri, Ismet Mulaj, shkruan sot Gazeta Kosova Sot
Drejtësia të hetojë dështimin e privatizimit të “Brezovicës”, “Kosovës së Re” dhe PTK-së
Dështimi përfundimtar i procesit të privatizimit, që për fat të keq ndodhi javën e shkuar me kompleksin e ‘Brezovicës’, si dhe dështimet e vazhdueshme me privatizimin e PTK-së, e kanë dëmtuar tej mase imazhin e Kosovës jashtë vendit në joshjen e investitorëve të huaj potencialë.
Sipas ekspertëve dhe njohësve të kësaj fushe, këto dështime janë mesazhi më i keq i kësaj garniture politike në pushtet që japin për investitorët e huaj.
Kësisoj Kosova, si një shtet i ri dhe me traditë tetëvjeçare , nuk mund të konsiderohet se është një shtet normal dhe funksional. Ish-ministri i MTI-së, Ismet Mulaj, u shpreh për gazetën “Kosova Sot” se dështimi i ‘Brezovicës’, si një nga projektet më të mëdha ekonomike të pasluftës, projekt që premtonte mbi 3500 vende pune dhe mbi 410 milionë euro investime, është një humbje shumë e madhe.”Kjo qeveri që premtoi zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të punës, nuk arriti që ta finalizojnë projektin e ‘Brezovicës’ e as atë të PTK-së”.
Ai tutje shton se kjo qeveri do ta dështojë edhe ndërtimin e TC “Kosova e Re”, do ta dështojë çdo gjë që është në interes të vendit. Jo pse nuk duan, por kjo qeveri ka prioritete të tjera, korrupsionin dhe nepotizmin”, është shprehur ai. Mulaj vlerëson se për këtë dështim dikush do të duhej të dorëhiqej, të jepte llogari para popullit, sepse këtë projekt nuk e ndihmoi të finalizohej me sukses. Ai tha se më të fuqishëm ishin lobi serb, ai maqedonas, bullgar, por edhe disa kriminelë ordinerë, të cilët ende përfitojnë nga ‘Brezovica’, sesa shteti. “Do të duhej që të hetohej nga organet e drejtësisë edhe partneri lokal i konsorciumit, i cili është i përfshirë pothuajse në të gjitha privatizimet e dështuara në Kosovë, Posta, “Kosova e Re”, ‘Brezovica’. Kjo e fundit ishte një projekt për imazhin e Kosovës, në veçanti për turizmin, si fushë me rëndësi për ekonominë, që fundja e përmirëson imazhin e secilit vend”, u shpreh Mulaj.
Zeka: Nuk mund të ketë investitorë seriozë pa luftim të korrupsionit Për njohësit e çështjeve ekonomike dhe socio-politike në vend, dështimi i ‘Brezovicës’ ka qenë i pritshëm. Ekonomisti Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane, ka thënë se dështimi i konserciumit do të duhej të shërbej si indikator shqetësues për institucionet e shtetit dhe që urgjentisht Qeveria duhet t’i përmirësojnë mundësitë e të bërit biznes në Kosovë. “Nuk mund të ketë investitorë seriozë në vend pa luftim të korrupsionit dhe ofrim të kushteve të barabarta për të gjithë investitorët në Kosovë”. Zeka thotë se arsyetimet e Qeverisë se nga Kosova nuk po largohen investitorët janë të pavërteta.”Arsyetimet boshe se nga Kosova nuk po ikin investitorët nuk janë valide, për shkak se në vitet e fundit realisht nuk ka pasur investitorë fare, ose kanë ikur menjëherë në vitet e para të pasçlirimit”, ka thënë më tej Zeka.
Drejtori i Institutit “STRASS” thotë se në rastin e ‘Brezovicës’ prej fillimit ka qenë e qartë se diçka nuk është në rregull dhe se ofertuesi nuk është serioz. “Qeveria duhet të nxjerrë mësim dhe ta kuptojë se nuk duhet domosdoshmërish ta shtyjë deri në fund tenderin dhe atëherë ta vërejë se ka dështuar”. Sipas Rexhepit, Qeveria në momentin kur e ka parë se konsorciumi ka thënë se nuk i ka siguruar mjetet, është dashur që ta anulojë tenderin./kosova sot/


