Pritet të vizitohen 5496 nxënës nëpër shkolla

/ 2 minuta lexim
KKVITI

Gjilan- Që nga sot ka filluar të realizohet projekti “Vlerësimi i gjendjes shëndetësore të nxënësve nëpër shkollat fillore të komunës së Gjilanit”, që ka të bëjë me vlerësimin – hulumtimin, e gjendjes shëndetësore të fëmijëve shkollor.

Ky projekt sipas drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan, Valbon Milazimi, ka për qëllim kontrollimin sistematik të nxënësve të shkollave fillore të Komunës së Gjilanit në mënyrë që sa më parë që është e mundur ta bëjmë zbulimin, evidentimin, parandalimin dhe mjekimin. E mjekimi më i hershëm dhe me kohë i të gjithave sëmundjeve dhe anomalive të nxënësve të shkollave fillore ka edhe suksesin e dukshëm në eliminimin e tyre.

Ai tha se pas analizës së rezultateve të këtyre kontrollimeve të bëra, do të dalim me rekomandime të cilat, do të shërbejnë jo vetëm për sanimin e problemeve dhe sëmundjeve të identifikuara, por edhe për krijimin e politikave shëndetësore me qëllim të përmirësimit të shërbimeve shëndetësore. E gjithë kjo me qëllimin përfundimtar për një popullatë sa më të shëndoshë të Komunës sonë.

Fundamenti

Grupet e fëmijëve të përcaktuara, sipas këtij projekti do të jenë, nxënësit e klasave të para, të pesta, të nënta të shkollave fillore të Komunës së Gjilanit. Numri i nxënësve që do të vizitohen është gjithsej 5496.

Do të vlerësohen 35 parametra mjekësor në një formular dhe shëndeti oral në një formular tjetër. Fëmijët te të cilët do zbulohen sëmundjet ose çrregullimet e caktuara, do të referohen për mjekime, hulumtime të mëtutjeshme apo tek specialistët e lëmive përkatëse.

Drejtues të QKMF-së thanë se vizitat mjekësore nëpër shkolla fillore do të jenë në vazhdimësi edhe për gjeneratat e ardhshme. Do të bëhet përsëritja e vizitave mjekësore për çdo vit, me qëllim të përfshirjes se gjeneratave të reja të Komunës së Gjilanit./rajonipress/