Princ i planetit të buzëqeshjes
Nga Avdush Canaj
Vjershat s`i shkruaj si ti
në ndonjë letër,
as në kompjuter,
krejt diku tjetër.
U gjej vend faqeve të pjeshkës,
tek buzët e qershive,
nëpër qepalla fluturash,
në këmisha të kumrive.
Në kaçurela trëndafilesh
vargjet kanë hapsirë,
mes unazash t`kamomileve
qeshin, ndjehen mirë!
Edhe në qerpikë dardhash,
edhe n`fustane pulëbardhash.
Jam Princ i planetit të buzëqeshjes,
e dinë gjithë shpendia,
me 77 numra celularësh
të bukurosheve të mia!


