ARKATANA

Prezenca e heshtjes

/ 1 minutë lexim
Uji Dea

Poezi nga Ardian Haziri

Heshtja është gjithmonë aty;
Në agun e parë;
Kur mjegulla fle mbi çatitë;
Edhe në mëngjeset e kthjellëta;
Përplot me vesë.

Ajo zë vend nën diellin përvëlues;
Edhe kur qielli është në humor të keq;
Kur retë mbajnë në shpinë stuhitë;
Në zenit, kur dielli s’ka më hije;
Heshtja është aty;
Si një kujtim që s’mund të harrohet.

Uji Dea

Në pasditet që japin shpirt;
Kur drita thyhet si pasqyrë;
Para se muzgu ta mbulojë dheun;
Me pëlhurë zymtësie;
Heshtja qëndron krenare;
Si një rojtar i padukshëm i kohës.

Edhe kur nata bie;
Dhe dritat treten një nga një;
Kur puhiza ledhaton degët;
Nën ndriçimin e brishtë të hënës;
Heshtja është aty;
Ka lëshuar rrënjë në gjirin e universit.

E mundon një mall i parrëfyer;
Që s’ka emër, por rëndon;
Si fryma e fundit, në një dhomë pa zë.