Prezantohet studimi i fizibilitetit për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan
Gjilan – Në Komunën e Gjilanit sot është bërë prezantimi i studimit të fizibilitetit për trajtimin e ujërave të zeza në gjithë hapësirën e Komunës duke përfshirë gjithë zonën urbane të qytetit dhe pjesës rurale të Gjilanit, si dhe pastrimin e tyre përmes impiantit i cili është propozuar të vendoset në njërin prej dy lokacioneve në të dalë prej Gjilanit.
Të pranishëm në këtë prezantim ishin ekspert nga qeveria zvicerane e cila është mjaft herët me investime në Gjilan, nga qeveria gjermane, banka për rindërtim dhe zhvillim dhe ekspert të kësaj natyre nga Bashkimi Evropian i cili edhe ka bërë studimin e fizibilitetit së bashku edhe me përfaqësues nga niveli lokal, qendror dhe përfaqësues të Kompanisë Rajonale për Ujë “Hidromorava”, duke vizituar të gjitha pikat më të rëndësishme për t’u trajtuar në të ardhmen. Projekti në tërësi nga dita e fillimit të implementimit e deri në përfundimin e tij parashihet të zgjatë nga 4 deri në 5 vjet.
Është një projekt mjaft i kushtueshëm, dhe i ndarë në tri opsione të mundshme, opsioni minimal i shpenzimeve është rreth 19 milion euro, opsioni bazë rreth 24 milion dhe opsioni i lartë mbi 29 milion euro, varësisht cilin opsion e zgjedhim për ta implementuar në praktikë, Bashkimi Evropian është ai i cili së bashku me donatorë të qeverive të ndryshme planifikon që një përqindje mjaft të madhe prej rreth 70 % të mjeteve, t’i siguroj dhe pjesën tjetër niveli vendor i qeverisjes. Ky është projekti më i madh që vjen në Komunën tonë dhe është projekt i cili për kohë shumë të gjatë do të zgjidh problemin e ujërave të zeza.
Me këtë rast kryetari i Komunës, Qemajl Mustafa, ka thënë se ky është një projekt më tepër se regjional, ndoshta për kah rëndësia është edhe ndërshtetëror. Mustafa ka premtuar se Komuna e Gjilanit, do të jetë përherë pranë projektit me të gjitha kapacitetet që ka për implementimin e mëtutjeshëm. Kjo është një nismë shumë e madhe dhe tepër e rëndësishme për Gjilanin me rrethinë.
Eksperti i sektorit mjedisor , Sohail Hassan, ka thënë se struktura e prezantimit të fizibilitetit sot po bëhet mbi pesë fusha. Situatën ekzistuese, Modelimin e Sistemit të kanalizimeve, projektit prioritarë të kanalizimeve, vlerësimin mjedisorë dhe vlerësimin financiar. Pos anëve tepër të shumta pozitive të këtij projekti ai tha se përfitime shumë të mëdha dhe pozitive do të jenë edhe furnizimi më i besueshëm me ujë të pijshëm, largohet rreziku i ndotjes së ujërave nëntokësore, largohet ndotja e ujërave sipërfaqësore dhe shkarkimi i ujërave të zeza në ato sipërfaqësore dhe zvogëlohen rreziqet shëndetësore.
Ndërsa Mirvete Hoti, drejtoreshë e KRU “Hidromorava”, tha se është bërë përgatitja e programit për implementim të investimeve. Ajo tha se deri më tani edhe pse është punuar mjaft shumë ka ende shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim, por ende jemi larg asaj që është e planifikuar në këtë studim.
Impianti për pastrimin e ujërave të zeza është në dy opsione të ndërtimit të tij, në mes të fshatrave Velekincë dhe Pasjan që është shumë më i kushtueshëm, apo edhe në afërsi të fshatit Pogragjë. Në afërsi të impiantit nuk duhet të ekzistojnë objekte banimi në një afërsi prej 500 metra.
Një pjesë e mjeteve për realizimin e këtij projekti mendohet të sigurohen nga Bashkimi Evropian dhe qeverive të ndryshme brenda këtij unioni të shteteve./rajonipress/


