RCCOLA

Prezantohen mundësitë për investime në Kosovë

/ 12 minuta lexim
Eco Higjiena

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ministrja e Tregtisë, Hykmete Bajrami, por edhe zyrtarë të lartë të vendit, po marrin pjesë në Forumin e Bashkëpunimit Ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Italisë, i cili po zhvillohet në Romë.

Përfaqësuesit më të lartë të shtetit para të pranishmëve kanë prezantuar mundësitë e shumta që Kosova ofron për investitorët Italianë.

Kryeministri Mustafa fillimisht i ka njoftuar të pranishmit për proceset shtetndërtuese, si dhe për funksionimin e institucioneve të qëndrueshme demokratike dhe bazës së mirë të ekonomisë së tregut.

Ndërkaq kryeparlamentari Veseli ka thënë se Italia është nja nga shembujt më të mirë që tregon se zhvillimi vjen vetëm përmes ekonomisë së tregut të lirë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Rritje ekonomike, 4%

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i ka njoftuar të pranishmit për proceset shtetndërtuese, si dhe për funksionimin e institucioneve të qëndrueshme demokratike dhe bazës së mirë të ekonomisë së tregut.

Kryeministri Mustafa po ashtu i ka njoftuar me prioritetet themelore të Programit Qeverisës të cilat lidhen me rritjen ekonomike dhe punësimin, sidomos hapjen e perspektivës për punësim të gruas dhe të të rinjve.

“Në fund të vitit të kaluar kemi nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, marrëveshje kjo e cila e bën Kosovën pjesë të tregut prej 500 milionë konsumatorëve, dhe përmban në vete një mbrojtje kalimtare për produktet e Kosovës. Tani po punojmë në rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve për këtë treg, në suaza të Programit të Reformave Evropiane. Kosova ka një popullatë të re, ku mbi 50% janë më të rinj se 26 vjeç, shumë dinamike dhe e përshtatshme për treg të punës. Në tregun e punës, çdo vit hyjnë rreth 22 mijë të rinj. Në vitin 2015 kemi arritur rritje ekonomike prej 4%, këtë vit parashohim po ashtu rritje ekonomike prej rreth 4% dhe një rritje më të madhe të punësimit”, tha kryeministri.

Më tutje, kryeministri Mustafa ka folur për infrastrukturën, energjinë, tregun financiar, bashkëpunimin në regjion dhe me institucionet financiare ndërkombëtare.

“Po punojmë të zgjidhim problemin e energjisë elektrike, si resurs të rëndësishëm për zhvillim. Jemi në përfundim të marrëveshjes për ndërtimin e një termocentrali të ri, me investitor privat nga SHBA-ja. Por edhe në vlerësimin e rekonstruktimit të termocentraleve ekzistuese. Sa u përket investimeve të jashtme jemi të interesuar sidomos për investime në energjetikë dhe në energjinë e ripërt[ritshme; në miniera dhe minerale, përpunimin dhe finalizimin e tyre; në procesimin e produkteve me prejardhje bujqësore, në IT, në turizëm, sidomos turizmin dimëror. Baza legjislative është e harmonizuar dhe në përputhje me standardet e BE-së. Me prioritet kemi ashpërsuar luftën kundër korrupsionit, për të pamundësuar që ai të paraqesë kosto kolaterale për bizneset. Kemi aprovuar Ligjin për Investime Strategjike, i cili lehtëson negociatat e Qeverisë me investitorët potencialë dhe dhënien në shfrytëzim të hapësirave për investime. Po ndërtojmë një infrastrukturë rrugore moderne”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Më tutje, kryeministri Mustafa ka thënë se Kosova ka përfunduar autostradën me Shqipërinë, që na lidh Kosovën me portet në Adriatik, me lidhje të afërt me Italinë.

Mustafa: Do ta vazhdojmë autostradën me Serbinë

“Po e ndërtojmë autostradën për Shkup-Maqedoni, e cila na lidh me Greqinë, Bullgarinë, Turqinë. Do ta vazhdojmë autostradën për Serbi, e cila na lidh me Evropën Perëndimore. Së shpejti do të fillojmë rekonstruktimin e hekurudhave, për të cilat kemi siguruar fondet nga Banka Investive Gjermane, EBRD-ja dhe Komisioni Evropian. Në të gjitha këto punë kemi një koordinim në suaza të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Tani më, po ashtu, është konfirmuar se samiti i radhës i 6 vendeve të Ballkanit do të mbahet në Trieste të Italisë. Kosova ka një sistem stabil financiar, kurse risku i moskthimit të kredive është nën nivelin e regjionit. Jemi vend me nivelin më të ulët të borxhit publik, në vetëm rreth 14% të GDP-së. Po ashtu, kemi Marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar për Programin e Përbashkët, falë kësaj kemi arritur stabilitet makroekonomik dhe fiskal”, tha ndër të tjera kryeministri.

Ndërkaq, lidhur me bashkëpunimin ndërkombëtar, kryeministri Mustafa ka veçuar bashkëpunimin me BERZH-in, FMN-në, Bankën Botërore dhe agjencinë e saj, si dhe Bankën Evropiane Investive.

“Kemi nënshkruar një numër të madh të marrëveshjeve për bashkëpunim financiar. Përmes politikave fiskale është përmirësuar në përgjithësi ambienti i të bërit biznes, sidomos sa i përket fushës së prodhimit. Kemi liruar nga obligimet fiskale importimin e lëndës së parë dhe makinerisë prodhuese. Me qëllim të lehtësimit të qasjes në financa për shumë biznese, kemi themeluar Fondin për Garancitë Kreditore, fond ky i cili pritet të çlirojë një pjesë të konsiderueshme të likuiditetit të tepërt që ekziston në bankat tona. Tani po punojmë, në bashkëpunim me komunitetin e bizneseve, për hartimin e politikave të reja fiskale, si vazhdimësi e reformave fiskale të ndërmarra në vitin e kaluar. Kjo pako është dizajnuar me qëllim të përmirësimit të mjedisit të të bërit biznes, duke i paraprirë në këtë mënyrë një rritjeje më të qëndrueshme ekonomike dhe përmirësimit të mirëqenies për qytetarët e vendit”, tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se Kosova është plotësisht e hapur për investitorë të jashtëm dhe për tregje dhe duke ftuar investitorët italianë që të vizitojnë Kosovën dhe nga afër të shohin mundësitë e investimit.

Veseli: Kosova është vend evropian

Po ashtu edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se Italia është nja nga shembujt më të mirë që tregon se zhvillimi vjen vetëm përmes ekonomisë së tregut të lirë.

Më tej Veseli ka thënë se Kosova qëndron fuqishëm mbi vizionin se zhvillimi ekonomik dhe forcimi i vazhdueshëm i demokracisë nuk mund të ndahen nga njëri-tjetri.

“Ne kemi qenë, jemi dhe do të mbesim përgjithmonë një vend evropian, shtet demokratik, shoqëri sekulare dhe ekonomi e tregut të lirë. Mbi bazën e këtij vizioni, ne jemi thellësisht të përkushtuar që ekonomia jonë të zhvillohet në marrëdhënie të ngushtë me ekonomitë e vendeve demokratike perëndimore”, ka thënë Veseli para të pranishmëve.

Kryeparlamentari Veseli ka theksuar se të dhënat e bashkëpunimit ekonomik, të investimeve italiane, ose edhe të atyre me kapital të përbashkët, të regjistruara në Kosovë, janë pakrahasueshëm të vogla në raport me synimin e Kosovës.

Sipas tij, shenjat e kohëve të fundit janë inkurajuese, por ai tha se ende në luftë me imazhin dekurajues që është krijuar tek investitorët për vendin tonë për vite të tëra.

RCCOLA

Veseli më tutje ka rikujtuar se në 7 vjetët e fundit Kosova ka pasur një rritje të GDP-së, mesatarisht prej 5%, ndërsa ka konsideruar se trendët ekonomikë pozitivë në Kosovë janë indikatorë i reformave të ndërmarra nga institucionet e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës ka iniciuar një sërë reformash, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e ambientit të biznesit, forcimin e sektorit privat, si dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike”, ka thënë ai.

Kryeparlamentari po ashtu ka përmendur rritjen e vazhdueshme të investimeve kapitale që nga shpallja e pavarësisë dhe ka vlerësuar se rritja e investimeve publike është bërë e mundur nga një menaxhim më i mirë i buxhetit, performancë më e mirë e autoriteteve doganore dhe administratës tatimore, si dhe nga një plan ekonomik më i përshtatshëm për nevojat e sektorit privat.

Të gjitha këto përpjekje për të përmirësuar ambientin e të bërit biznes, sipas Veselit, janë reflektuar në përmirësimin e rangimit të Kosovës në raportin e Bankës Botërore të të bërit biznes.

Sistem efikas të taksave

Por ka tërhequr vërejtjen Veseli, se nuk janë vetëm reformat në përmirësim të ambientit biznesor, si arsye për të investuar në Kosovë “Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian dhe CEFTA, janë ndër arsyet kryesore që u mundësojnë investitorëve potencialë ta shohin Kosovën jo vetëm si një treg prej 2 milionë konsumatorëve, por si një treg prej nga mund të eksportohet pa doganë në një treg prej 32 milionë konsumatorëve në vendet e CEFTA-s dhe afro 600 milionë konsumatorëve në Bashkimin Evropian, duke mos përfshirë masat preferenciale tregtare me SHBA-në, Japoninë dhe Norvegjinë”.

“Gjithashtu, Kosova ofron një sistem më efikas të taksave, duke pasur parasysh vlerësimin e zyrtarëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, si sistemin më të mirë në botë pas Zelandës së Re, pasi që është shumë i thjeshtë dhe i lehtë për bizneset”, ka thënë ai.

Kryeparlamentari Veseli ka shtuar më tutje se, përveç sistemit efikas të taksave, Kosova ofron tatimet më të ulëta në Evropë, duke u ofruar investitorëve të huaj vetëm 10% në profit të korporatave, vetëm 5% kontribut të detyruar të pensioneve dhe 0% tatim në dividendë.

Ai ka thënë se janë edhe me shumë përfitime të tjera që ofron Kosova, siç është mbrojtja e investitorëve të huaj, ku garantohet i gjithë investimi i tyre përmes ligjit për investimet e huaja.

Por, me gjithë përparimet, Veseli ka pohuar të jetë i vetëdijshëm që Kosova ende ka sfida ekonomike dhe ndonëse në përmirësim e sipër për çdo vit, deficiti tregtar ende është i lartë për Kosovën.

Në vazhdim të fjalës së tij para pjesëmarrësve të “Forumit Ekonomik për Kosovën”, në Romë, Veseli ka premtuar se do të vazhdohet thellimi i reformave ekonomike në Kosovë.

“Zonat e lira ekonomike, shpenzimet më të ulëta operative në Evropë, tatimet ndër më të ulëtat në Evropë, qasja e lirë në tregun e Bashkimit Evropian, Evropës Juglindore, Turqisë, Amerikës, Japonisë dhe Norvegjisë, sigurimi i investimeve të huaja, përmirësimi i infrastrukturës, si dhe reformat e vazhdueshme në përmirësim të klimës investive, janë vetëm disa nga arsyet pse Kosova duhet të konsiderohet si vend i përshtatshëm për realizimin e investimit tuaj”, ka deklaruar ai.

Kryeparlamentari Veseli, duke ftuar investitorët italianë në Kosovë, ka rikujtuar se Kosova është shumë afër Italisë dhe kjo është një përparësi që nuk e kanë shumë vende në zhvillim të cilat synojnë të tërheqin kompanitë perëndimore.

Bajrami: Qeveria do t’i mbështesë investitorët

Në fjalën e saj ministrja Bajrami informoi pjesëmarrësit rreth proceseve ekonomike, të cilat janë ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës në të mirë të përmirësimit të mjedisit afarist dhe tërheqjes së investimeve të huaja në vend, duke shpjeguar disa nga politikat e rëndësishme, përkatësisht reformat strukturore dhe fiskale.

Ministrja Bajrami tha se angazhimi i Qeverisë për përmirësimin e mjedisit afarist, eliminimin e barrierave administrative, përmirësimin e infrastrukturës, ofrimin e iniciativave ka shënuar rezultate pozitive që janë konfirmuar edhe nga raporti i fundit i Bankës Botërore, i cili e ka nxjerrë Kosovën në vendin e 60-të në nivel global sa i përket lehtësisë së të bërit biznes.

Ndërsa, në aspektin e ndërtimit të një legjislacioni dhe të përshtatshëm për bizneset ministrja përmendi edhe Ligjin për Investime Strategjike, i cili, siç tha ajo, ofron një mekanizëm mjaft efikas ligjor për investitorët e huaj, që të realizojnë investimet e tyre në kohë më të shkurtër dhe pa pengesa burokratike; si dhe Ligjin për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, i cili ofron qasje më të lehtë në financa për biznese.

Ministrja Bajrami theksoi gjithashtu se Kosova ka liberalizuar tregtinë me tregjet e mëdha përmes marrëveshjeve të tregtisë së lirë, si CEFTA, MSA-ja, etj., të cilat mundësojnë që kompanitë ndërkombëtare të prodhojnë në Kosovë me kosto të lirë operative dhe të eksportojnë në këto tregje pa detyrime doganore.

Ajo i ftoi bizneset italiane dhe të tjerët që të investojnë në Kosovë dhe u zotua se Qeveria e vendit do t’u ofrojë mbështetjen e plotë institucionale.

Përndryshe, pjesëmarrës në këtë forum janë mbi 70 biznese italiane dhe 21 biznese kosovare, të cilët kanë interesim për investime dhe bashkëpunim ekonomik të ndërsjellët në sektorët e ndryshëm.

Në këtë forum janë organizuar takime B2B në mes të bizneseve italiane dhe kompanive kosovare me qëllim të krijimit të marrëdhënieve investive e tregtare në mes dy vendeve.