Preteni paralajmëron kallëzime penale
Gjithsej 71 zyrtarë nuk e kanë deklaruar pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Në këtë shifër, zyrtarët komunalë janë më të shumtë. Por, edhe pse është kështu, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, deklaroi se nuk bëhet fjalë vetëm për ndonjë institucion apo vetëm për ndonjë komunë ku është i theksuar mosdeklarimi.
“Të tillë ka nëpër shumë institucione e komuna. Kjo edhe tregon që është një problem individual”, tha Preteni në emisionin Interaktiv të KTV-së.
Ai tha se vitin e kaluar kanë pasur raste të shumta të atyre që kanë marrë detyrën e re, ndërsa sivjet është përmirësuar kjo situatë.
“Sot e publikuam listën e atyre që nuk e kanë publikuar pasurinë dhe për ta do të ketë kallëzime penale.
Ata e lënë tre ose dy ditët e fundit të aplikojnë për ta treguar pasurinë, dhe neve na paraqiten probleme pastaj”, tha Preteni.
“Në asnjë institucion apo komunë nuk ka shumë zyrtarë dhe, kjo tregon se është një neglizhencë individuale e jo institucionale”.
Sipas Pretenit, të gjitha këto probleme do të precizohen duke u bërë edhe publike. Në pah do të dalin edhe kallëzimet penale, njoftoi ai.
“Edhe po që se e shtyjmë afatin edhe për 2 muaj më shumë, përsëri do të përsëritet avazi i njëjtë. Shumica e tyre do ta deklarojnë pasurinë në tri ditët e fundit”, ka thënë Preteni.
Preteni më tej tha se të gjithë ata zyrtarë që nuk e kanë deklaruar pasurinë do të përballen me ligjin në fuqi, edhe nëse pas përfundimit të afatit ligjor e deklarojnë pasurinë.
“Kallëzimeve penale nuk do të mund t’ju shmangen, edhe nëse ata e deklarojnë pasurinë e tyre në një fazë pas përfundimit të afatit ligjor”, ka potencuar i pari i AKK-së.
Ai shtoi se edhe në vitin e kaluar janë regjistruar raste të tilla, por dosjet e AKK kanë mbetur kryesisht nëpër sirtarë të gjykatave, si dhe disa raste që dënimi me burg u është zëvendësuar me gjoba nga 200 deri në 1,500 euro.


