Preteni: Dënime qesharake për mos deklaruesit e pasurisë

Gati një milion euro ka pësuar humbje buxheti i Kosovës si pasojë e vendimeve të Gjykatave, në rastin e zyrtarëve që kanë bërë shkelje të ligjit duke mos deklaruar pasurinë. Këto vendime të gjyqësorit, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni i ka cilësuar qesharake.
Përveç humbjeve në të holla, veprimet e sistemit të drejtësisë e kanë pamundësuar zbatimin në praktikë të pakos së legjislacionit për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, në kuadër të së cilës hyn edhe Ligji për Deklarimin e Pasurisë.
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, ka thënë në një bisedë për KTV-në, se këto vendime janë qesharake, të jashtëligjshme dhe nuk ndihmojnë aspak në parandalimin e korrupsionit në vend.
Sipas tij, shifrat e dënimeve tregojnë për një pafuqi të gjyqësorit përball numrit të madh të zyrtarëve të lartë publikë, të cilët e shkelin ligjin.
Preteni ka thënë se drejtësia nuk po e lufton aspak korrupsionin në Kosovë.
Sipas tij, vetë fakti se deri tash askush i profilit të lartë nuk u dënua për korrupsion, tregon mungesën e veprimeve në sistemin e drejtësisë. /Telegrafi/