RCCOLA

Presioni i spekulantëve

/ 8 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Ibrahim Rexhepi- Kërkesa për shtrenjtimin e bukës ka qenë e pritur. Me këtë ngritje të çmimeve nuk humbin të gjithë – përfitojnë spekulantët, zhurmaxhinjtë dhe ata që parashohin kriza, e situata emergjente, por jo edhe zgjidhje. Fatmirësisht situata nuk është alarmante sa e tregojnë ata.

Korriku e gushti kaherë janë muajt kur bëhet lojë me nervat e konsumatorit të varfër. Posa përfundojnë të korrat, ai “bombardohet” me deklarata për shtrenjtimin bukës, apo për mungesën e grurit dhe të miellit. E, numri i tyre nuk është i vogël, meqenëse në këtë mes nuk janë vetëm ata që nuk kanë asnjë të hyrë në buxhetin familjar, por edhe një kategori e atyre që llogariten të punësuar, kurse me fitimet që kanë janë gjithnjë e më afër shtresës së varfër.

Në luftën me deklarata dhe me shifra, herë reale, e shumë herë të imagjinuara, ndodhë edhe të shtrembërohet gjendja e vërtetë dhe mbizotërojnë ato fusin brengë e shqetësime. E tëra nis nga sipërfaqet e mbjella me grurë, pastaj me rendimentet, vazhdon me nivelin e mbulimit të nevojave nga prodhimi vendor, e deri gjendja në bursa e në arat e Rusisë e të Amerikës.

Buka edhe me çmimin prej 30 centësh është shtrenjtë. Veçanërisht për një shtresë të gjerë, të ushqyer dobët, ku në strukturën e ushqimeve brumërat marrin pjesë mbi 60 për qind. Por, ajo është e lirë për kategorinë, e cila as që e di sa kushton një bukë standarde, apo sa është çmimi i miellit në treg. Pos, nëse grurin, apo miellin e përdorin si mjet përfitimi, ku nuk janë vetëm tregtarët, por edhe spekulantët, zhurmaxhinjtë e “rebelët pa motiv”.

Shikuar realisht situata është shqetësuese, por jo edhe alarmante. Në rend të parë shqetëson fakti se varfëria është në rritje, ndërsa Qeveria e Kosovës nuk ka vizion se si të tejkalohet kjo situatë. Madje, as që mundohet të gjejë ndonjë zgjidhje. Ajo, në vend të mbjelljes së arave, ofron projekte që sipërfaqet e bukës të mbulohen me rërë dhe me asfalt. Në vend se të mbrojë tregun konsumatorin duke racionalizuar (ndaluar) eksportin e grurit dhe të miellit, ajo preokupohet me çimenton.

Në vend se të gjejë burime për mbulimin e programeve të qëndrueshme sociale, ajo përmes politikave fiskale mundohet të merr çdo metelik që ka mbetur në xhepin e konsumatorit, apo në arkat dhe kontot e biznesit. Krejt kjo bëhet për të financuar projektet që nuk kanë ndikim në përmirësimin e mirëqenies sociale, apo për rritjen e pagave, të cilat shpenzohen për importin e mallrave.

Nga ana tjetër situata nuk është aq alarmante. Kosova ka grurë edhe miell, duke llogaritur edhe një të pestën e rendimenteve që nuk del në treg, por mbeten në rezerva familjare. Ndërkaq, në tregun e grurit dhe të miellit gjendja gati se mbetet e njëjtë. Ndryshojnë vetëm shifrat. Shumëçka varet prej sipërfaqeve të mbjella me grurë, kushtet klimatike, masat agroteknike, që në fund reflektojnë me rendimentet. Por, Kosova përherë ka bilanc negativ, prej 100.000-130.000 tonë grurë, i cili plotësohet nga importi. Gjendje e njëjtë është edhe sivjet. Dallimet qëndrojnë vetëm te çmimi, të cilin nuk e garanton qeveria, por lidhet me zhvillimet në treg, madje edhe me ato në bursat ndërkombëtare. Kjo tregon se megjithatë po funksionon një mekanizëm i tregut – oferta e kërkesa – që duhet të ndikojë edhe në çmimin e mallit.

Sado që për një shtresë të gjerë të popullatës kjo duket një lojë me rregulla të pamëshirshme, por e tillë është ekonomia e tregut të lirë. Ndërkaq, është shteti, përkatësisht qeveria, që duhet ta mbrojë këtë shtresë që të mos futet edhe më thellë në skamje.

KKVITI

Kjo nuk bëhet vetëm duke dhënë para për kategoritë sociale, por duke aktivizuar një varg mekanizmash që rregullojnë tregun. Fillimisht duke ua mbyllur spekulantëve të gjitha kanalet, meqenëse duke manipuluar me çmimin e karburanteve dhe të të gjitha inputeve bujqësore ndikojnë në çmimin e miellit, apo të bukës. Pra, problemi duhet të trajtohet që nga sezoni i mbjelljeve.

Ato kulmojnë gjatë fushatës së korrjes, kur shtohen presionet, që përmes çmimit të bukës të mbulohet kostoja e prodhimit të drithërave, e cila është edhe nën ndikimin e çmimeve të imponuara nga spekulantët. Qeveria ka kompetencë që të merret me këtë problem, përkatësisht të ketë kontroll se kush po përfiton nga beneficionet e destinuara për prodhuesit. Fermerët, apo spekulantët? Këtu nuk e ka lehtë që të reagojë, meqenëse ajo është e zënë pisk pikërisht nga spekulantët. Nga ana tjetër ajo nuk ka kapacitete njerëzore për mbikëqyrjen e tregut, as ligje të mira, e as gatishmëri për zbatimin e përvojave të mira.

Ligji nuk funksionon as tash kur bëhen parashikimi se buka do të shtrenjtohet deri në 50 për qind. Ndër tjerash, ka deklarata se kjo bëhet me marrëveshje ndërmjet furrtarëve. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë po shkelet ligji i konkurrencës dhe është sinjali i mjaftueshëm për aktivizimin e mekanizmave që luftojnë monopolet, apo çmimet damping. Por, fakti se bukën nuk e kanë shtrenjtuar të gjithë furrtarët flet se nuk ka marrëveshje të këtilla, apo se bëhet fjalë vetëm për disa furrtarë e mullis që duan të kenë ndikim në treg.

Është duke u keqinterpretuar edhe roli e ndikimi i rezervave shtetërore. Kosova nuk ka rezerva të këtilla, e as strategji. Por, ka një ligj të keq, i cili nuk lejon që rezervat të përdoren për intervenim në treg, në rast të çrregullimit të tij. Neni 2 i Ligjit për Rezervat Shtetërore, ndër tjerash, thotë se ato krijohen edhe “për mbrojtjen e popullsisë, ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut”. Ndërkaq, neni 14 thotë se rezervat mund të shfrytëzohen në raste “të luftës, apo rrezikut të drejtpërdrejt nga lufta; të fatkeqësive natyrore; të dhënies së ndihmave emergjente shteteve tjera të goditura nga fatkeqësitë natyrore”.

Pra, rezervat shtetërore nuk mund të përdoren për të mbrojtur çmimin e bukës, përkatësisht konsumatorin e varfër. Prandaj, ky ligj duhet të ndryshohet. Nga ana tjetër, përmes deklaratave del se me këtë nuk janë të njoftuar ata që insistojnë që shteti të intervenoj me rezerva, por as zyrtarët e Qeverisë që thonë se janë duke punuar drejt krijimin të këtij instrumenti strategjik për vendin.

Së fundit, as zhvillimet në tregun ndërkombëtar nuk janë pa ndikim në Kosovë, meqenëse duhet të importohen së paku 120 mijë tonë grurë. FAO njofton se çmimi i ushqimit në korrik është ngritur 6 për qind, ndërsa indeksi për drithërat 38 për qind. Mirëpo, ai ende është larg ngritjes rekorde të shënuar në prill të vitit 2008. Kjo organizatë pohon se nuk ka arsye për panik, mirëpo, edhe gabimet më të vogla mund të shkaktojnë krizë. Ndërkaq, “fajtorë” për këtë situatë është dështimi i prodhimit të misrit në SHBA dhe i grurit në Rusi. Për ilustrim po përmendim se SHBA-të mbulojnë 40 për qind të nevojave botërore për misër dhe 20 për qind për grurë.

Po ashtu, sivjet parashihet se do të përgjysmohet eksporti rus i drithërave dhe kjo të përkeqësojë edhe më shumë gjendjen në treg. Për shkak të thatësisë, hiç më mirë nuk kanë kaluar as Serbia, Hungaria, Ukraina e Kazakistani, prej nga Kosova importon sasinë më të madhe të drithit.

E tëra tregon se është real shqetësimi për shkak të shtrenjtimit të bukës, por situata nuk është alarmante. Sivjet sërish minusin nga arat tona duhet mbuluar me import. Njësojë sikurse vjet. Edhe atëherë kishte presione dhe parashikime për shtrenjtim shumë të madh të bukës, por kjo nuk ndodhi. Tregu u vetrregullua. Çmimi lëvizi herë lartë e poshtë. Ndërkaq, ne e kaluam edhe një vit, pa uri dhe me çmimin e bukës 30-40 cent.