Presidentja:Deputetët të gjejnë zgjidhje brenda Kushtetutës dhe pa ndërhyrje nga jashtë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, për herë të tretë brenda një jave u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës të gjejnë zgjidhje për bllokadën politike duke u mbështetur në Kushtetutë dhe në ligjet e Shtetit.
Veç kësaj, Jahjaga ka thënë se zgjidhja duhet gjetur pa ndërhyrje nga jashtë Kuvendit të Kosovës.
Ajo ka thënë se zgjidhja nuk duhet të imponohet nga askush .
“Garantimi i funksionimit demokratik të institucioneve, nuk nënkupton imponimin e zgjidhjeve nga një institucion tjetër dhe aq më pak ndërhyrje për të instaluar praktika jo kushtetuese në vendin tonë”, ka shtuar ajo.
“Përgjegjësia jonë, si edhe e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nën betimin “për të përfaqësuar me dinjitet popullin dhe për të punuar në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj”, shtrihet më gjerë duke provuar për të gjetur zgjidhjet brenda institucionit që përfaqësojnë dhe në kuadër të Kushtetutës. Dhe natyrisht duhet të mësohemi se vetë i gjejmë zgjidhjet, pa kërkuar ndihmën nga jashtë, sepse zgjidhjet na përkasin neve, shtetit tonë dhe të ardhmes sonë”, ka thënë Presidentja Jahjaga, në mbledhjen e Këshillit Konsultativ për Komunitete, shkruan Gazeta Express.