Presidentja kërkon kompromis në pajtim me Kushtetutën

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kërkon që liderët të gjejnë kompromis në pajtim me Kushtetutën. Këshilltari i Presidentes, Arbër Vllahiu, ka thënë se “liderët, duke e kuptuar seriozitetin e situatës” duhet të gjejnë kompromis konform vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Liderët e partive politike parlamentare, me të cilët ka nisur diskutimi që prej tre javësh, duke e kuptuar seriozitetin e situatës dhe përmes angazhimit konkret, që kërkon kompromision si pjesë të kulturës së dialogut, duhet të gjejnë zgjidhje brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor dhe në respektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Vllahiu për Gazetën Express.
“Të gjithë ne po humbim kohë të çmueshme, që nuk do të mund të rikthehet dhe që do të shtyjë proceset, qoftë të brendshme qoftë edhe ato të ndërlidhura me partneritetet ndërkombëtare. Kriza institucionale dhe mbi të gjitha kriza politike është thelluar dhe ne tani kemi hyrë në një prej periudhave më të rënda për vendin, kur kriza buxhetore do të mund të krijojë një gjendje të pakënaqësisë së përgjithshme në vend. Me moszgjidhjen e nyjës institucionale, po pengojmë nisjen dhe përfundimin e reformave të thella në shoqëri, në veçanti ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe të rendit, që çojnë drejt krijimit të një shteti të së drejtës, dhe gjithashtu po i ngadalësojmë proceset integruese të vendit. Në kohën kur po e testojmë edhe kushtetutën tonë, edhe demokracinë e re që po e ndërtojmë, kur po e testojmë pjekurinë tonë politike, na duhet më shumë forcë për të tejkaluar dallimet dhe më shumë guxim lidershipi për të ecur tutje, drejt ndërtimit të mirëbesimit dhe vendosjes së një dialogu të mirëfilltë politik, si një element thelbësor i funksionimit demokratik të shtetit”, ka thënë veç tjerash Vllahiu për Express.