Presidenti Thaçi tregon se kur Kosova bëhet me ushtri

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, dorëzoi sot në parlament projektligjin për ndryshimin e misionit të Forcave të Sigurisë së Kosovës nga një forcë civile, në një forcë me përgjegjësi mbrojtëse e ushtarake.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” pas dorëzimit të projektligjit, ai tha se do të dëshironte që ky proces të mbështetej edhe nga përfaqësuesit politikë të komunitetit serb në Kosovë, që siç tha ai, po pengohen nga Beogradi.
Presidenti Thaçi tha se tashmë hapat e parë janë bërë në kuptimin zyrtar institucional, duke shtuar se nesër Kryesia e Kuvendit do të shqyrtojë këtë çështje dhe do t’ua dërgojë Qeverisë për të dhënë mendim.
“Kryesia e Parlamentit nesër do të shqyrtojë këtë çështje, do t’ia dërgojë qeverisë së Kosovës për të dhënë mendim dhe unë dua të besoj që në ditët e ardhshme, më së largu javën e ardhshme, do të dërgohet për votim në Parlamentin e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Ai ka shtuar se “nuk ka anëtarësim të Kosovës në NATO, pa ushtri”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka treguar edhe se kur do të dërgohet Demarkacioni në Kuvend për votim
Thaçi ka thënë se beson që Qeveria do ta dërgojë në Kuvend ditët e ardhshme këtë marrëveshje.
“Unë besoj që qeveria e Kosovës do ta dërgojë në ditët e ardhshme dhe gjithashtu shpresoj që deputetët e Parlamentit të Kosovës më në fund do të votojnë për marrëveshjen për shënimin e kufirit dhe Kosova do të ketë të drejtën e liberalizimit të vizave”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se tashmë është qëndrim shumë i qartë i Bashkimit Evropian, “pa votimin e kësaj marrëveshjeje nuk ka viza për Kosovën, jo me muaj apo vite, por dekada”.