Presidenti ta iniciojë reformën

Të gjitha qeveritë e kaluara, por edhe kjo e tanishmja, kanë treguar se nuk kanë qenë dhe as nuk janë të gatshme dhe as të interesuara për ta bërë ndonjë reformë të mirëfilltë dhe të thellë në sistemin e drejtësisë.
Përkundrazi, ato në vazhdimësi kanë qenë bllokues të çdo reforme rrënjësore në drejtësi, ngase po të ndodhte ajo rrjedhimisht të parët që do të ndëshkoheshin do të ishin pikërisht pushtetarët dhe oligarkët. Por, pse asnjëherë deri më tani nuk është marrë seriozisht nga politika ky sistem, derisa po ashtu nuk ka pasur asnjë dorëheqje për dështimin e këtij sistemi të degraduar nga politika dhe nga të dërguarit e politikës në drejtësi, flasin njohësit e këtyre rrethanave, shkruan Gazeta Kosova Sot.
Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet nga LDK-ja, Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se politika kosovare është e përcaktuar qartë që të mos bëjë asnjë lloj reforme në drejtësi, ngase sipas tij, reformat eventuale së pari do ta godisnin kreun e politikës.”Është insistim i vazhdueshëm verbal i ndërkombëtarëve që të bëhen reforma në drejtësi, por ky insistim është vetëm verbal dhe joserioz. Ndërkombëtarët në vazhdimësi i kanë përkrahur strukturat e kriminalizuara dhe të korruptuara dhe në të njëjtën kohë e përdorin këtë si pretekst për mos liberalizimin e vizave”. Andaj, Salihaj ka nënvizuar se në këtë drejtim, qytetarët e Kosovës duhet të vetëdijesohen, pasi, sipas tij, pa vetëdijesimin e tyre asgjë në Kosovë nuk do të ecën mbarë, është shprehur ai.
Duhet reformë substanciale
Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, thotë se sistemi i drejtësisë ka nevojë për një reformë substanciale, ngase, sipas tij, ai është zhvilluar për një kohë të gjatë me një trend negativ dhe se ka përplot defekte. Kësisoj, Burjani ka konsideruar se kjo është detyrë edhe e presidentit të shtetit që të kujdeset më në fund për sistemin e drejtë- sisë. “Presidenti i Kosovës duhet të propozojë reformën në drejtësi dhe të propozojë plotësime dhe ndryshime të infrastrukturës ligjore dhe se kjo është e vetmja rrugë për të filluar procese të reformës në drejtësi. Presidenti aktual nuk mund të qëndrojë anash dhe të mos merret fare me problemet në drejtësi, pasi në nenin 84, pikat 15,16,17,18 thuhet qartë në Kushtetutë se presidenti emëron gjyqtarët, prokurorët dhe duhet të rishqyrtojë punën e këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët aktualisht mbajnë kontrata dytësore në kundërshtimin me punën e tyre që ushtrojnë, derisa ata duhet të jenë të pavarur dhe neutralë. Ata kanë të drejtë të merren me punën hulumtuese brenda sistemit gjyqë- sor e prokurorial dhe të kontribuojnë për zhvillimin e gjyqësisë dhe prokurorisë në vend”.
Burjani më tej ka nënvizuar se angazhimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në procesin e punësimit publik dhe sektorin privat shkel në masë të konsiderueshme neutralitetin në punët që ata ushtrojnë dhe kjo, sipas tij, nuk ndodh as në Keni, siç e ka quajtur ai, në botën e tretë, e lëre më në truallin evropian.”Çdo angazhim siç është tani nëpër institucionet private dhe publike të arsimit nuk garanton neutralitetin e punës së kësaj kategorie njerëzish që janë shndërruar në biznesmenë dhe kanë humbur moti efikasitetin në punë, pasi me qindra raste u rrinë nëpër sirtarët e tyre të pazgjidhura, pastaj këta gjyqtarë e prokurorë gjithashtu mbajnë trajnime për avokatët që është konflikt interesi, si dhe kanë hartuar një memorandum antiligjor, përmes të cilit avokatët i ndajnë në të ‘rinj’ dhe të ‘vjetër’ dhe bazuar në këtë ndarje në memorandum avokatët e rinj nuk mund të marrin raste sipas detyrës zyrtare, derisa Ligji për avokaturën dhe asnjë ligj tjetër nuk bën ndarje të tilla”./kosova sot/