Presidenca zgjedh muzikantët me tender

Prishtinë – Presidenca e Kosovës ka kontraktuar një grup muzikor për atë që e ka quajtur “shërbime artistike”. Në njoftim për dhënie të kontratës precizohet se grupi i artistëve muzikorë “Celebre” ka fituar tenderin me vlerë prej 6 mijë e 500 eurosh.
Pianistja Lule Elezi është personi zyrtar i cili në emër të grupit ka lidhur kontratë me Zyrën e Presidencës së Kosovës. Përderisa njoftimi për dhënie të kontratës është publikuar në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, njoftimi për konkursin nuk është publikuar fare. Kësisoj, nuk dihen specifikat e këtij tenderi, por në njoftimin për dhënie të kontratës thuhet se oferta më e vogël ka qenë e grupit “Celebre”, ndërsa më e larta ka qenë 6 mijë e 900 euro.
Por në përgjigjen e Departamentit të informacionit dhe komunikimit me publikun thuhet se Zyra e Presidentes angazhon grupe artistësh për ceremoni të ndryshme zyrtare, në kuadër të aktiviteteve të saj.
“Angazhimi bëhet me kontratë me kohëzgjatje njëvjeçare dhe me angazhim kur është e nevojshme, që do të thotë se edhe pagesat bëhen varësisht nga angazhimet”, ka thënë Safet Zejnullahu, drejtor i këtij departamenti.
Gjatë periudhës së kaluar njëvjeçare, shpenzimet për këtë qëllim, sipas Zejnullahut, kanë qenë 1 mijë e 950 euro. Presidenca nuk ka dhënë sqarime se përse është dashur të kontraktohej një grup muzikor.
Por ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i ka thënë gazetës se Presidenca nuk ka pasur asnjëherë ndonjë grup të kontraktuar për këto shërbime.
Pianistja ka mohuar shumën prej 6 mijë e 500 eurove si kosto që grupi “Celebre” do ta marrë gjatë një viti, ani pse kjo shumë është e determinuar si e ndarë për grupin.
“Jo 6 mijë e 500. Ata mund ta shkruajnë edhe 15 mijë euro, por unë e di që koncertin e kam 650 euro. Dhëntë Zoti edhe 20 mijë i fitojmë.(koha)