RCCOLA

Presheva, rruga që çon në Evropë

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

I qëndrojnë vapës për orë të tëra, derisa policët ua hapin dyert e i fusin brenda në grupe prej pesë-gjashtë vetash. Radhës nuk i mungojnë as fëmijët. Kokat e vogla të tyre depërtojnë në mes të grilave vertikale të rrethojës brenda së cilës rreshtohen. Grilat nuk e ndalin jehonën e të qarës së një fëmije që mbush hapësirën përreth.

Në rreshtin e gjatë rreth 20 metra qëndrojë të ngarkuar me çanta. Dhjetëra refugjatë presin për t’ iu nënshtruar procedurave të regjistrimit në Qendrën e Pranimit të Refugjatëve në fshatin Tasjan, rreth tri kilometra nga qendra e Preshevës. Qëndrojnë në pritje të kalimit të një prej disa stacioneve në rrugëtimin e tyre drejt një jete më të mirë. Ndalesa u zgjat afro 24 orë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Shumica diskutojnë me zë në gjuhën arabe. Pak prej tyre flasin anglisht.

“Jemi nisur për një jetë më të mirë, nuk jemi lodhur, po shpresojmë që do të gjejmë një jetë më të mirë”, tregon siriani rreth 20-vjeçar, i ulur në fund të rreshtit. Me buzëqeshje i përgjigjet kërkimfaljes për ndërprerje të drekës që hante bashkë me një grua e një vajzë rreth 5 vjeçe në pjatë të plastikës.

Mobi Casa

“Nuk është problem”, thotë ai, me dorën e vendosur në ballë, për t’iu bërë strehë syve. “Jemi nga Siria, jam me familje, atje kanë mbetur vetëm disa anëtarë të largët të familjes, të gjithë kanë ikur”, ka treguar ai. Thotë se nuk do ta lëshonte vendin e tij nëse nuk do të kishte luftë.

“Nuk do të iknim po të mos kishte luftë”, thotë ai, derisa tregon se nuk e di nëse do të kthehen po qe se lufta do të përfundojë. Nuk ankohet për kushtet e udhëtimit të cilin e ka kaluar. “Mirë kemi kaluar, po synojmë të shkojmë në një vend të sigurt”, është shprehur ai. Duke mos vazhduar të flasë më, i kthehet drekës se shtruar në trotuar.

Jo të gjithë qëndrojnë në rreshtin e pritjes. Për ta përballuar vapën, disa i kërkojnë hijet. Të ulur e të shtrirë nëpër pluhur, ata hapin sytë sa dëgjojnë krismat e grilave që pjesëtarët e policisë i hapnin për t’ iu bërë rrugë. Shikojnë ata që hyjnë e kthejnë kokën për të parë nëse është shkurtuar radha e pritjeve.

http://koha.net/?id=27&l=76726