Premtoi, nuk e bëri, dështoi

Isa Mustafa, kryeministri mashtrues i Republikës së Kosovës
Kreu i Qeverisë vazhdon të mos i mbajë zotimet
Tha që nuk do të bënte koalicion me PDK-në e SHIK-un, por bëri. Tha se do ta respektonte Marrëveshjen e Bllokut, e tradhtoi. Premtoi mijëra vende pune, i harroi fare. Tash, u shpreh se do ta kushtëzonte dialogun me Serbinë, me liberalizimin e vizave, por i hipi aeroplanit, i përqeshur edhe nga Vuçiqi për deklaratën e pamatur
Mosmbajtja e premtimit nga kryeministri Isa Mustafa për ndaljen e dialogut në Bruksel me palën serbe, nëse nuk liberalizohen vizat, është cilësuar nga analistët dhe përfaqësues të partive politike opozitare si një sjellje jashtëzakonisht e papjekur e një qeveritari joserioz. Politologu Albinot Maloku thotë se këto sjellje të kryeministrit po e dëmtojnë vetë imazhin e partisë që ai e kryeson dhe shtetin e Kosovës. “Kosova ka ndërruar kryeministra të ndryshëm, por asnjëri nuk ka ndërruar fjalën e besën si kryeministri aktual i Kosovës, akademik Isa Mustafa. Kërcënimet e bëra nga ana e tij, se gjoja nuk do të shkojë në Bruksel për të dialoguar me Serbinë pa i hequr BE-ja vizat për qytetarët e vendit tonë, ishin gjëja më e shëmtuar dhe joserioze që mund të bëhet nga ana e kryeministrit të një shteti, që pretendon të jetë pjesë e botës së shteteve serioze”, është shprehur ai. “T’u ofrosh luksin krerëve shtetërorë serbë për t’u tallur me krerët shtetërorë të Kosovës është mëkat që nuk falet dhe kryeministri Isa Mustafa e bëri këtë pa pikë konsiderate për vetën e tij, për ish-Presidentin Rugova, por edhe për Republikën e Kosovës”, tha politologu Maloku për “Kosova Sot”.