Premtohet bashkëpunim më i madh mes institucioneve të sigurisë

Gjilan – Drejtuesit e Gjykatës Themelore të Gjilanit, Prokurorisë Themelore dhe Drejtorisë së Stacionit Rajonal në Gjilan, kanë mbajtur një takim të premten, për mundësinë e rritjes së bashkëpunimit dhe eliminimin e barrierave mes këtyre institucioneve.

Kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Ramiz Azizi fillimisht ka falënderuar drejtuesit e Prokurorisë dhe komandantët e gjitha stacioneve policore në regjionin e Gjilanit për bashkëpunimin e deritashëm.

I pari i Gjykatës ka kërkuar që ky bashkëpunim të rritet edhe më shumë, në mënyrë që qytetari të ndihet i sigurt në këtë regjion, me theks të veçantë ka përmendur dukurinë e dhunës në familje, duke shtuar se kjo çështje është marr seriozisht dhe është caktuar një gjyqtar për trajtimin e këtyre lëndëve.

Nga ana tjetër Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Jetish Maloku, i cili ka qenë edhe nikoqir i këtij takimi, ka thënë se edhe institucioni që ai drejton ka ndërmarr hapat në këtë drejtim, duke caktuar dy prokurorë për rastet e dhunës në familje.

Ndërkohë Komandanti i Njësisë së Hetimeve në Stacionin Policor në Gjilan, Remzi Azemi ka përmendur si dukuri shqetësuese përdorimin e substancave narkotike tek të rinjtë, si dhe veprën penale të “grabitjes”, që kohët e fundit janë rritur dukshëm rastet e tilla.

Dakordim i të gjithëve ishte që me një koordinim më të mirë mes institucioneve rezultatet do të jenë edhe më të mira në fushën e sigurisë./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).