Preferojnë programet sociale

Ofertat e partive politike për krijimin i qindra mijëra vendeve të punës nuk duket të jenë aq joshëse për kosovarët. Ata del se më shumë preferojnë partitë me programe sociale se sa ato që kanë në plan zhvillimin ekonomik dhe punësimin.
Në një sondazh të Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Kolegji Universum, përkrahur nga Friedrich Ebert Stiftung (FES), tregon se 80 për qind e të anketuarve janë shprehur se do të votojnë partitë të cilat do të ofrojnë ndihma për të papunët ndërsa 98 për qind konsiderojnë që qeveria e ardhshme duhet të ofrojë ndihma për personat në nevojë. Ndërkaq, në programet e partive politike është vërejtur se prioritet kryesor për qeverisjen e ardhshme do të jetë punësimi dhe zhvillimi i bujqësisë.
“Gjithsej, 957 persona i janë përgjigjur pyetësorit. Numri i të anketuarve është ndarë proporcionalisht sipas popullatës të secilës komunë në Kosovë ndërsa mostra, e përzgjedhur me respondentë të rastit, është bazuar në të dhëna të sakta demografike”. Në këtë sondazh shihet se 76 për qind të të anketuarve janë të gatshëm të mbështesin rritjen e taksës për kontribute pensionale, nga 5 për qind sa është tani, në 7 për qind apo 8 për qind./Tribuna/.