Praq Rado, aktori shqiptar drejt sukseseve në Amerikë
Shqiptarët kanë zemër të madhe. Ata asgjë nuk i frikëson, thotë aktori shqiptar Preq Rado, i cili është duke e zhvilluar karrierën e tij në Amerikë. Për filmin e fundit në të cilin luan, “The Waiter”, film i metrazhit të shkurtër, ai tregon se është frymëzuar nga shqiptarët, dhe shprehet se “ne kemi zemër të madhe dhe asgjë nuk na frikëson”.
“Ti e pyet një shqiptar, mund ta bëni këtë? Dhe ata para se të dinë se për çfarë bëhet fjalë të thonë po”, ka thënë aktori për “Zërin”, derisa shton se e njëjta gjë është edhe me kamerierin në këtë film me të njëjtin titull. “Ai asnjëherë nuk ka punuar në një restorant, dhe e pranon punën”, ka treguar Rado për filmin komedi “The Waiter”, ku kamerieri gjatë shërbimit shpesh i ngatërron porositë, duke i dërguar gabim te njerëzit.
Bashkë me “The Waiter” këto ditë është shfaqur edhe “The Park”, në të cili Preq Rado është po ashtu protagonist.
Për filmin “The Park” ai thotë së është frymëzuar nga një histori me Kim Davis, në Kentucky të Amerikës. “Ajo kundërshton martesat e gjinisë së njëjtë, dhe nuk iu ka dhënë leje për t’u martuar, kur dy burra kanë shkuar për t’u martuar”, e përshkruan me pak fjalë Rado filmin. Aktori shpreson që një ditë njerëzit mund të jetojnë ashtu siç janë, pavarësisht cilës racë apo feje i takojnë. Ai shprehet se njerëzit ta pranojnë njëri-tjetrin ashtu siç janë.
Në filmin “The Park”, bëhet fjalë për një djalë amerikan, nga Arizona familja e të cilit janë shumë të përkushtuar në fe, ndërsa ai është homoseksual, prandaj familja nuk e pranojnë.
Aktori thotë se “The Park” dhe “The Waiter” janë filma ngacmues dhe se për qëllim kanë ndërgjegjësimin e studentëve dhe të rinjve rreth komunitetit LGBTQ.
“Unë kam qenë i ftuar nga CUNY, që ka më shumë se gjysmë milioni studentë”, ka thënë Rado.
Në të dy filmat e metrazhit të shkurtër aktori Rado ka bashkëpunuar me regjisorin Lee Percy, i cili ishte fitues i çmimit prestigjioz “Emmy” dhe që është i njohur për punën e tij si redaktues i shfaqjeve që janë vlerësuar me “Oscar”, si filmi “Kiss of the Spider Woman” i William Hurt, “Reversal of Fortune” i Jermy Irons, “Boys Don’t Cry” i Hilary Swank, por edhe për filma të tjetër në studio si: “Single White Female”, “Murder By Numbers”, “Carrie”, “Salt” e “Snowden”.
Preq Rado dhe Lee Percy kanë bashkëpunuar në “Dreaming Amerikan”, film ky që është pritur mirë dhe që ka fituar shtatë çmime në festivalet amerikane.
Ndonëse nuk e thotë direkt nëse ndonjë nga temat mbi të cilat janë realizuar filmat lidhen me jetën e tij, Rado shprehet se çdo regjisor, çdo producent dhe aktor frymëzohet nga jeta private dhe nga njerëzit për rreth.
Përveç rolit kryesor në të dy filmat, aktori Preq Rado është edhe producent i tyre. Ai thotë se roli kryesor në këta dy filma për të ishte mjaft sfidues. Sipas tij, të jesh në rolin kryesor dhe producent në të njëjtën kohë është mjaftë e vështirë. Rado tregon për gazetën se suksesin me të madh në karrierën si aktor e ka arritur në filmin “Dreaming American”. “Filmi korri sukses mjaft të madh në festivalet amerikane, duke fituar shtatë çmime”, ka thënë ai, duke shtuar se “Dreaming American” i hapi dyert drejt suksesit në Amerikë. Ai thotë se nga ky film “amerikanët kanë respekt për mua”.
“Unë jam duke qëndruar në këmbë për miliona nxënës të tjerë pa dokumente të cilët janë nga e gjithë bota dhe unë jam duke u përpjekur për t’ju dhënë zë se ata kanë frikë të flasin, pasi nuk kanë dokumente”, ka thënë Rado.
Ai shprehet se profesioni i aktorit është mjaft i vështirë. Aktori tregon se ka pasur fatin që publiku amerikan e ka mbështetur në karrierën e tij dhe se një mbështetje të tillë nuk kishte edhe nga shqiptarët në Amerikë. “Unë mendoj se vetëm duke qenë aktor është mjaft e vështirë. Unë kam qenë me shumë fat me publikun amerikan se ata me kanë mbështetur shumë, por është e vështirë të marrësh mbështetje nga shqiptarët që jetojnë në Amerikë, edhe pse unë jam duke punuar me një fitues të çmimeve “Emmy” siç është Lee Percy”, ka treguar aktori, derisa thotë se shqiptarët në Amerikë janë më shumë të lidhur me muzikë.
Nëse do të merret ftesë nga ndonjë projekt filmik shqiptar, Preq Rado thotë se do ta pranonte, por që deri më tani nuk ka ndodhur një gjë e tillë. “Nëse më vjen rasti me ndonjë projekt që me përkrah mua si aktor pse jo, por së pari unë jam duke u përpjekur për të bërë një emër në Amerikë si aktor dhe producent”, ka thënë Rado, duke treguar se tani për tani nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë.
Aktori shpreson që edhe filmat “The Park” dhe “The Waiter” do ta arrijnë sukses njësoj sikurse “Dreaming American”. “Ju kurrë nuk e dini se çfarë shohin ose dëgjojnë njerëzit, e vetmja gjë që ju mund të bëni është që të bëni art. Nëse njerëzit e pëlqejnë filmin, e ndiej veten me fat”, ka thënë ai, derisa shpreson se këto dy filma do të kenë të njëjtin sukses sikurse filmi “Dreaming American”, por koha do ta tregojë këtë. “Ishim me fat që “Dreaming American” kishte një pritje të mirë në festivalet ndërkombëtare. “Është një gjë e madhe se nëse filmi nuk ka sukses, askush nuk do të punojë me ty”, ka thënë aktori.
Aktori shqiptar nuk preferon të flasë shumë për planet e së ardhmes, pasi dëshiron që ato të mbeten surprizë për publikun, por ai thotë se regjisori Lee Percy sapo ka përfunduar skenarin për pjesën e dytë të “Dreaming American” dhe shpreson që do të fillojnë xhirimet në vitin 2016. Preq Rado tregon se që tani është duke punuar në projekte të 2016-s, për të cilat nuk dëshiron të flasë tani për tani./zeri/

