RCCOLA

Prapë me Vegimin

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Behgjet Pacolli ka vendosur përsëri të garojë me Vegim Gashin në përpjekje për të marrë pushtetin në Prishtinë. Burime të Express kanë thënë se shpejt do të zyrtarizohet kandidatura e tij. Vetë Vegim Gashi ka thënë se gjasat janë të vogla që t’i futet edhe një herë garës zgjedhore për shkak të disa çështjeve personale. Në zgjedhjet e fundit, AKR kishte dal e dyta në Kryeqytet me 20.46 për qind të votave.

Vegim Gashi ende nuk e ka ndarë mendjen nëse në shtator do t’i futet për herë të dytë garës zgjedhore për Kryetar të Prishtinës.

Por, Partia e Behgjet Pacollit tashmë ka vendosur të garojë përsëri me të njëjtin kandidat që kishte dalë e dyta në zgjedhjet e fundit.

Burime brenda AKR’ë kanë thënë se Pacolli ka vendosur ta kandidojë Vegim Gashin për të marrë pushtetin në Kryeqytet.

“Shpejt do të bëhet zyrtarizimi i kandidaturës së Vegim Gashit për Kryetar të Prishtinës nga AKR’ja. Ka pasur edhe opsione tjera por që nuk kanë pasur përkrahje as të partisë”, ka thënë njëri prej udhëheqësve aktual të Partisë së Pacollit.

I kontaktuar nga Gazeta Express, Gashi ka thënë se ende s’ka asgjë zyrtare pasi ka disa dilema nëse do të jetë ose jo kandidat i AKR’së për të udhëhequr me qytetin më ë madh në Kosovë.

“Ndoshta janë përcaktuar, por bisedë kështu të shtruar lidhur me atë çështje me mua nuk kanë pasur. Jo pse nuk ka gatishmëri për atë, por i kam edhe unë disa rezerva për shkaqe të mia personale a me u kyç a jo”, ka thënë Gashi, për Express, të shtunën.

Ai ka thënë se pavarësisht rezultatit të mirë që ka pasur në zgjedhjet e fundit ka humbur garën. Në këtë situatë, Gashi ka thënë se duhet t’iu jepet hapësirë të rinjve për të provuar garën për ta marrë udhëheqjen me qytetin më të rëndësishëm.

Eco Higjiena

“Është shumë me rendësi që të dy palët me qenë të pajtimit, por besoj se kemi kandidatë të tjerë që munden me qenë shumë të suksesshëm për të udhëhequr me Prishtinën. Unë dhe një grup i kolegëve të mi jemi shumë për me pru kandidatë të tjerë dhe me iu dhënë mundësi edhe të tjerëve për me u kyç në proces”, ka deklaruar ai.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2009, Vegim Gashi ishte kandidat për Prishtinën nga AKR’ja, e Pacollit. Kjo parti së bashku në koalicion me Lidhjen Demokratike të Dardanisë fituan më shumë se 20 për qind të votave të kryeqytetasve. Por, garën e kishte fituar Isa Mustafa i LDK’së në raundin e parë me 56. 22 % të votave, Vegim Gashi 20.46 për qind të votave, Astrit Salihu 19.22 %, pësuar nga partitë e tjera.

Para disa ditësh, Mustafa ka thënë se edhe nëse i mbajnë duart në xhepa prapë do të fitojnë Prishtinën.

Menjëherë pas zyrtarizimit të kandidaturës në vitin 2009, Gashi pati thënë për Express se Prishtinës i duhet një frymë e re, kreative, ndërmarrëse, frymë që do të bashkonte pozitivizmin e qytetarëve për interes të qytetarëve.

“Është një moment që në jetën e secilit arrin një stad dhe ndikon kur vijnë një grup miqsh apo shokësh dhe të thonë se, shiko, kemi menduar se mund të bëjmë diçka së bashku. Atëherë vjen në një pozitë kur e ndien një diçka më të madhe sesa të themi në grup më të ngushtë, ta quaj si në një kompani apo familje”, kishte thënë Gashi.

Ndryshe, deri më tash, vetëm Besnik Tahiri i AAK’së e ka zyrtarizuar kandidaturën për të garuar në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në fund të muajit shtator të këtij viti.

PDK, LDK dhe Vetëvendosje ende nuk kanë dal me emrat e tyre për kandidatë për Kryeqytetin. Deri më tash janë përmendur emrat e Korab Sejdiut i LDK’së, Blerand Stavileci PDK’së e Shpend Ahmeti i VV’së.

Prishtina edhe katërmbëdhjetë vite pas luftës ende nuk ka ujë 24 orë, s’ka WC publike, s’ka parkingje nëntokësore, s’ka spital të qytetit, ndërsa ka kaos në trafik, si dhe ngufatje nga ndërtimet pa leje.