Hidromorava

Prapavija e ligjit për Amnistinë!

/ 6 minuta lexim

Nga Alban Hyseni – Marrëveshja e Kosovës me Serbinë shënoi fillim jo të mbarë të vendit tonë për krijimin e raporteve me shtetet tjera e sidomos me shtetin serb! Duke pasur parasysh përmbajtjen e asaj marrëveshje tani nuk është çudi edhe përpjekja për “thurjen” e një kornize ligjore dhe krijimin e kushteve legale dhe institucionale për implementimin e marrëveshjes që do e sjell Kosovën në një gjendje të mjerueshme, brenda së cilës ndikimi serb nuk do të largohet kurrë!

Çka është amnistia!

Amnistia si mjet dhe institut juridik është parimisht i zbatueshëm në shumë vende të botës e madje konsiderohet edhe si respektim i lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, me vetë faktin pra se ata të cilët janë të dënuar për një kategori të caktuar të veprave penale, si dhe ata të cilët kanë qenë shembull i mirë për sjellje në institucionet penitenciare do të mund të falen nga mbajtja apo ekzekutimi i një pjese të mbetur të dënimit!

Tani vetëm për zbatimin e asaj marrëveshje helmuese për Kosovën, qeveria jonë ka vendosur që edhe më tutje të dëmtojë shqiptarët në Kosovë e të shpërblejë serbët e veriut si dhe Serbinë si shtet. Duke e ditur pikën 8 të marrëveshjes e cila thotë se strukturat ekzistuese të veriut do të kalojnë në pozitat e tyre përkatëse në institucionet e Republikës së Kosovës na mbetet të kuptojmë se po ata serbë që kanë vrarë Enver Zymberajn tani do të thonë se janë “KOLEG TË TIJË”!!!

Pra, amnistia është mjet juridik, që duhet të lirojë nga sanksioni penal, delikuentët të cilët janë të akuzuar me një kategori të caktuar të veprave penale (sigurisht për ato më të lehta, e për të cilat Kodi Penal i Kosovës ka paraparë një lloj dhe masë të caktuar të dënimit) dhe të cilët gjatë vuajtjes së sanksionit penale kanë treguar sjellje të mirë në institucionet penitenciare dhe kanë bashkëpunuar me organet përgjegjëse si policinë, gjykatën, prokurorinë…

Çka synon ky ligj!?

Siç u cek më lart, ky ligj mundëson zbatimin e marrëveshjes Thaçi-Daqiq!

Duke e ditur bllokimin e pjesës veriore të Kosovës dhe ndarjen e qytetit të Mitrovicës në dy pjesë që nga viti 1999 u shkaktuan disa procese të dëmshme si marrëveshja Kosovë-Serbi, shkelja e ligjeve të Kosovës, dëmtimi i ekonomisë nga kontrabanda e në fund fuqizimi i pjesës së vogël të serbëve të Kosovës deri në atë masë sa që të drejtat e tyre nuk kanë ndryshuar fare në krahasim me ato të kohës së Jugosllavisë vetëm se tani këto të drejta i lejohen me ligj! Më parë kanë vrarë shqiptarë nuk janë dënuar edhe pse ligji ka dënuar një gjë të tillë, kurse tani vrasin shqiptarë, bllokojnë rrugë, shkelin ligje, nuk njohin institucione shtetërore, djegin pika kufitare, vënë mjete eksplozive në shtëpi të shqiptarëve dhe kështu një familje shqiptare mbete pa prind, burrë e djalë…

E krejt rezultati i kësaj është se ne prapë hartojmë ligje si ky për amnistinë për t`i falur, shkelim ligjin mbi gjykatat duke krijuar një seli të gjykatës së Apelit në veri, kur dihet se kjo gjykatë duhet të ketë selinë në Prishtinë me kompetencë territoriale për tërë Kosovën, shkelim kushtetutën etj etj…

Hidromorava

Të burgosurit Kosovarë!

Natyrisht që arsyetimi se ligji i amnistisë nuk është duke u miratuar për shkak të serbëve dhe mundësimit të zbatimit të marrëveshjes ne e dëgjojmë nga qeveritarët si edhe për shumë çështje dhe procese tjera.

Nga viti 1999 e deri tani ne si çdo vend tjetër kemi pasur shumë procese gjyqësore në të cilat edhe janë dënuar shumë persona për çështje nga më të ndryshmet. Por, prapë se prapë ne as që kemi menduar që ligji për amnisti të hartohet e të miratohet me qëllim që një kategori e caktuar e kryerësve të veprave penale të lirohen nga dënimi, por vetëm tani kur zbatimi i marrëveshjes me serbët kërkon një ligj të tillë ne kemi hartuar e duam të miratojmë këtë ligj!

Në gjykimin e veprave penale dhe shqiptimin e sanksioneve penale gjithmonë duhet pasur parasysh rrethana të ndryshme, që do të thotë se jo gjithmonë veprat penale kryhen nga një person që është i njohur si kriminel apo person që nuk respekton ligjin, për këtë arsye pra edhe duhet ekzistuar ligji për amnistinë. Të burgosurit në Dubravë dhe greva e tyre e urisë nuk kanë shtyer politikën kosovare të interesohen për ta duke treguar kështu se sa me të vërtetë ju intereson qytetari dhe bërja e politikave ligjore në interesin e tyre pushtetit.

Çfarë jemi prodhuar me këto veprime!

I gjithë diskriminimi pozitiv që është duke iu bërë serbëve, shkelja e ligjeve dhe lënia anash e më shumë se 90% e shqiptarëve të Kosovës, do t`i shndërrojë serbët e Kosovës në parazit.

Por, prapë ky nuk është efekti më i keq që jemi duke krijuar, ajo çka është edhe më e rëndë është se, Serbia me krijimin e enklavave të saj dhe tani me krijimin e Bashkësisë së komunave serbe në veri ose në realitet me Autonominë e Veriut e ka futur në grusht Kosovën, duke filluar nga parlamenti e deri në institucionet tjera në nivelin lokal.

Pra, tash e 14 vite po punojmë dhe po përmirësojmë gjendjen e serbëve në shtetin tonë, po i falim për veprimet kriminale, po ju krijojmë komuna e së fundmi edhe Bashkësi të komunave në Veri (që në të vërtetë është autonomi) e çka jo tjetër.