UBT

Prapaskenat e këmbimit të energjisë elektrike KEK-KESH

/ 8 minuta lexim
KKVITI

Tani, në muajt e fundit, marrëdhëniet e Kosovës dhe Shqipërisë, respektivisht të Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës (KEK) dhe asaj të Shqipërisë (KESH), janë shumë më korrekte, më të favorshme për të dyja sistemet dhe më premtuese për ndihmesat e njëri-tjetrit nëpërmjet këmbimit (huazimit) të energjisë elektrike, në rastet kur këto shtetet shqiptare kanë teprica nga prodhimi vetanak.

Raportet elektroenergjetike Kosovë-Shqipëri janë konsoliduar dukshëm, janë avansuar dhe janë bërë ekonomikisht më të ngushta dhe më domethënëse, sidomos pas disa marrëveshjeve kornizë të bashkëpunimit në tregjet e energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri, kur të dy palët, pra edhe shteti i Kosovës, edhe ai i Shqipërisë, konkretizuan më shumë mënyrat e formën e bashkëpunimit duke u mbështetur më shumë dhe në një masë të madhe te partneriteti tregtar – ekonomik ndërmjet të dy subjekteve-KEK-ut dhe KESH-it, që janë bartëse të prodhimit të energjisë elektrike në vendet e tyre.


Tani, siç po shihet, më nuk ka ngurrime, as hamendësime dhe ç’është më me rëndësi, duket të ketë më shumë sinqeritet të dyanshëm rreth këmbimit të energjisë elektrike. Me fjalë të tjera, më nuk po “harrohen” marrëveshjet e nënshkruara, sado që, siç merret vesh, ato janë vetëm marrëveshje ‘xhentëlmene’ dhe nuk janë të nivelit kontraktues, që do të obligonin domosdo kontraktuesit.

Në këtë mënyrë, sivjet, sidomos pas krizës së madhe që përfshiu edhe Kosovën në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, përkatësisht pas stabilizimit të gjendjes elektroenergjetike në Kosovë që nga muaji mars e deri në fillim të gushit të sivjetshëm, dhe kur për shkak të thatësisë së madhe shterruan prurjet në akumulimet e Kaskadës së Drinit në Shqipëri, Kosova shumicën absolute të tepricave të energjisë elektrike të prodhuar në termocentralet Kosova A dhe Kosova B, ia ka huazuar gjatë natës, Shqipërsisë. Ky huazim ka ndodhur praktikisht, në secilën ditë kur Kosova ka pasur mundësi ta bëjë këtë, pra kur ka pasur teprica të energjisë elektrike, dhy ky huazim ka ndodhur suksesivisht. Ka pasur ditë, madje, kur sasia e huazuar Shqipërisë arrinte në mijëra megavatë-orë. Dhe, ky huazim, ka vazhduar me të njëjtin ritëm dhe suksesivisht thuaja për çdo ditë gjatë periudhës së natës, edhe në ditë pas stabilizimit të prodhimit në termokacitetet prodhuese të Kosovës dhe tejkalimit të krizës së mungesës së energjisë në vendin tonë për pasojë të remontit në blloqet A3 të Kosovës A dhe në B2 të Kosovës B.

Në ditët pas stabilizimit të prodhimit në termocentralet e Kosovës, në gjysmën e dytë të gushtit dhe në këto ditë të shtatorit, kur energjia elektrike e prodhuar në Obiliq po mjafton për të përmbushur nevojat e konsumit veror të Kosovës, dhe po mbeten gjatë natës goxha do teprica, ato po orientohen drejt sistemit elektroenergjetik të Shqipërsisë.

“Ka ditë që këto teprica janë në sasi goxha të mëdha, siç ishin të martën më 13 gusht, kur në drejtim të konsumit shqiptar, brenda një nate kanë shkuar edhe rreth 2.400 megavatë-orë”, kanë thënë për Buletinin Ekonomik -inxhinierë të KEK-ut.

Në këtë mënyrë, tashmë huazimet e energjisë elektrike të Kosovës për sistemin elektroenergjetik të Shqipërisë, dje kanë mbërritur diku te 150 mijë megavatë-orë. Kjo sasi, edhe nga ekspertët, edhe nga laikët, vlerësohet si goxha e madhe. Dhe, në shikimin e parë, te njerëzit e rëndomtë, sidomos te ata të painformuarit më detajisht, krijohet përshtypja se me këtë huazim, në njëfarë mënyre, Kosova ka deponuar si rezervë për ditë të zeza një sasi të madhe të rrymës, e cila po t’i kthehej gjatë ditëve të dimrit, do të jetë domosdo një sasi që do të zbuste në masë të madhe mungesën e rrymës në konsumin e shtuar ndjeshëm.

Të painformuarit rreth këtij këmbimi, që nuk është edhe aq i thjeshtë, mendojnë se po të kthehet nga nëntori i 2022-tës deri në shkurt të 2023 – tës kjo sasi e rrymës “e deponuar” në sistemin elektroenergjetik shqiptar, do të ishte thuaja mjaftueshëm për të pasur konsumi i Kosovës rrymë të bollshme edhe gjatë dimrit.

Sepse, shumë njerëz këtu llogarisin se për t’u kthyer 150 mijë megavatë-orë rrymë nga Shqipëria, duhet një periudhë kohore disamujore. Ose, siç llogaritin të painformuarit, po të ktheheshin një mijë megavatë-orë në ditë gjatë dimrit, kur pritet që të mbushen akumulimet me ujë nga të reshurat e pritshme, duhet të kalojnë 150 ditë, që është një periudhë disa mujore.

Fundamenti

Por, duhet sqaruar, se nuk është kaq i thjeshtë procesi, as kthimi i këtij borxhi. Ky proces, përkatësisht përmbushje e marrëveshjeve KEK-KESH për këmbim të energjisë elektrike, është shumë më kompleks dhe më i ndërlikuar, dhe si i tillë i varur nga shumë faktorë, siç janë, sasia e të reshurave në këtë periudhë dhe disponimi i bollshëm i ujit për hidrocentralet shqiptare, nevojat e shtuara të konsumit të Shqipërisë, nevojat e sistemit elektroenergjetik të Shqipërisë për të pasur para urgjente në ndonjë rast dhe që ato nuk mund të sigurohen pa eksportuar një sasi të rrymës shqiptare.

Por, kthimi i borxhit të energjisë elektrike nga Shqipëria varet edhe nga momentumi kur i duhet Kosovës sasia e rrymës – borxh nga Shqipëria.

Pra, nëse Kosova ka nevojë në kohën e pikut dhe në orët kur ka mungesë të energjisë elektrike në konsumin e Shqipërisë, realisht nuk mund të pritet ndonjë kthim borxhi në këto rrethana. Fundja, edhe Kosova dërgon në Shqipëri, ose huazon vetëm në orët e natës, praktikisht, përkatësisht në kohën kur nuk ka shumë aletrnativa për të eksportuar diku këto teprica të energjisë elektrike.

Por, në raste të jashtëzakonshme, kur mungesat e rrymës janë tepër të ndjeshme në Kosovë, ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë që edhe Shqipëria, edhe në gjendje jo edhe aq të mirë me rezerva të ujërave, të kthejë një sasi të borxhit të rrymës. Kjo ndodhi, pra gjatë krizës së fundit të mungesës së rrymës në Kosovë, në muajt e verës, për shkak të remonteve të dy blloqeve të lartëpërmendura dhe kur Shqipëria një sasi të prodhimit të vet të rrymës e dërgoi në Kosovë.

Kjo është gjendja reale, që del pak a shumë kështu edhe nga obligimet e dyanshme të parapara me marrëveshjet e deritashme për këmbimin e energji elektrike Kosovë-Shqipëri. Do të ishte e padrejtë dhe jo reale të pritet që i tërë borxhi i rrymës aktualisht, të kthehet gjatë dimrit të pritshëm dhe në orët e pikut, kur Kosova ka nevojë më shumë për energji elektrike.

Por, siç u tha më lartë, edhe Kosova edhe Shqipëria, respektivisht KEK-u dhe KESH-i kanë jo rrallë nevojë imediate për të pasur edhe shuma parash për nevojat urgjente të tyre. Dhe, këto para, këto korporata nuk mund t’Iisigurojnë pa eksportuar ndonjë sasi të energjisë elektrike.

Në këtë mënyrë, Kosova në periudhën janar-korrik ka eksportuar rreth 84 milionë euro rrymë. Gjithsesi, edhe Shqipëria ka eksportuar mbase edhe më shumë, në kohën kur i ka paur plotë me ujë akumulimet e hidrocentraleve të veta. Në këtë mënyrë, Kosova duhet të mendojë që gjatë ditëve dimërore, pos një sasie nga energjia e huazuar Shqipërsisë, të sigurohet edhe nga eksporti, por edhe nga kursimet.

Po të realizoheshin parashikimet e zyrtarëve për kursime, të konkretizuara si masa qeveritare gjatë këtyre ditëve, gjithsesi, do të ndihej më pak mungesa e rrymës edhe gjatë dimrit. Sidoqoftë, duhet thënë se kohët e fundit, sidomos pas mbledhjes së fundit të përbashkët të të dy qeverive shqiptare dhe marrëveshjeve të reja të nënshkruara në këtë mbledhje, si dhe shpërfaqjes së gatishmërisë më të madhe të dyanshme se marrëveshjet që janë nënshkruar deri sot, kanë për t’u zbatuar më seriozisht, nga analistët dhe njohësit e rrethanave po vlerësohet si lëvizje premtuese dhe paksa jashtë shablloneve të deritashme.

Ka qenë trimëruese e njëkohësisht premtues, emërimi nga të dy qeveritë të një Koordinatori të përbashkët dhe krijimi i dy njësive koordinuese të vendosura në zyret e kryeministrave në Tiranë dhe Prishtinë, që praktikisht është struktura e parë institucionale e përbëshkët mes dy qeverive. Por, edhe dalja në ndihmë njëri – tjetrit në të dyja sistemet elektroenergjetike, sidomos në rastet e urgjencave, pra në kohët e krizave më të theksueshme elektroenergjetike në njërin apo tjetrin shtet shqiptar, siç po veprohet më shumë dhe më shpesh sivjet, po avancon parakushtet për bashkimin e njëmendtë të tregjeve të energjisë elektrike mes dy vendeve dhe në zgjerimin e sigurisë së dyanshme të furnizimit me energji elektrike./express/