Pranverë arrestimesh në Kosovë

Organet e ndjekjes dhe ato të hetuesisë në Kosovë vazhdojnë të merren me personat e përfshirë në korrupsion, krime të luftës dhe veprimtari të tjera kriminale. “Momentalisht prokurorët e EULEX-it janë të përfshirë në hetimin e 257 rasteve, nga të cilat 41 janë për krim të organizuar, 36 për korrupsion dhe 95 për krime të luftës”, ka thënë zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.
Me rastet e “rënda” vazhdojnë edhe më tej të merren policia, prokurorët dhe gjyqtarët e EULEX-it, e cila është edhe kompetencë ekskluzive e tyre.
Ndërsa me rastet e lehta vazhdojnë të merren vendësit. Krahas punës së përditshme që po bëjnë organet vendëse e ndërkombëtare të ndjekjes dhe ato të hetuesisë (policia, prokuroria e gjykata), rezultatet nuk janë të kënaqshme.
Zyrtarët e EULEX-it bëjnë të ditur se janë duke u marrë me ndjekjen, me hetimin dhe me dënimin e mbi 250 rasteve të krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve të luftës.
Në vazhdën e hetimeve, pritet të ketë edhe arrestime të tjera, e të cilat ndoshta kanë mundur t’i shtyjë për pak kohë edhe festimi i përvjetorit të gjashtë të Pavarësisë së Kosovës, njofton botapress.
Nga ana tjetër Transparency International, në raportin e fundit e ka vendosur Kosovën në vendin e 111 në renditjen e shteteve me probleme të mëdha të korrupsionit.
Ky vend i përket zonës së kuqe dhe e rreshton Kosovën krahas vendeve me probleme alarmante të korrupsionit.
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ka thënë se zhvillimi i përgjithshëm varet nga vullneti për ta ndalur forcën e korrupsionit dhe të krimit të organizuar. E para e shtetit ka thënë se duhet t’i japin fund trendit që raportet ndërkombëtare të vazhdojnë ta cilësojnë vendin tonë si një vend të korruptuar dhe me krim të organizuar.
Luftimi i këtyre dy pengesave më të mëdha në përparimin tonë të gjithëmbarshëm duhet të bëhet prioritet i secilit institucion.
Presidentja Jahjaga ka thënë se detyrë e jona është që Kosova të jetë shtet i pa korruptuar me sundimin e ligjit si garanci e funksionimit tonë.
Blerim Krasniqi, zëdhënës i ELUEX-it, i ka thënë “Botapress”, se EULEX-i nuk paralajmëron arrestime, ndërsa kur ato bëhen nuk ndërlidhen me ndonjë datë.
Rastet të cilat i hetojnë prokurorët e EULEX-it në Prokurorinë Speciale si dhe në ekipet mobile përfshijnë vepra të korrupsionit, krimit të organizuar, krimeve të luftës, etj.
“Momentalisht prokurorët e EULEX-it janë të përfshirë në hetimin e 257 rasteve, nga të cilat 41 janë për krim të organizuar, 36 për korrupsion dhe 95 për krime të luftës”, ka thënë zëdhënësi i EULEX-it. /Botapress/