RCCOLA

Pranojeni Kosovën

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Njeriu që me planin e tij i hapi rrugë pavarësisë, të martën, loboi që Kosovës t’i bëhet një vend në Europë. Martti Ahtisaari tha se nëse nuk ndodh kjo, rajoni do të ketë telashe të përhershme.

Një ditë pas përfundimit të mbikëqyrjes, kosovarëve u erdhi edhe një mesazh nga Bill Clintoni. Ish-Presidenti amerikan tha se Kosova tani e ka shansin ta definojë rolin e vet në Europë dhe në botë.

Një ditë pasi Kosova përmbylli pavarësinë e mbikëqyrur, përfaqësuesit ndërkombëtarë i bënë thirrje Bashkimit Europian që të gjejë një vend për Kosovën e pavarur.

Më i zëshmi në këtë drejtim të martën në konferencën ndërkombëtare, “Kaptinë e mbyllur në Ballkan” u shfaq hartuesi i planit që çoi Kosovën drejt pavarësisë, ish- Presidenti finlandez, Marti Ahtisaari.

Në një fjalim para shumë mysafirëve ndërkombëtarë që po qëndrojnë këto ditë në kryeqytet, Ahtisaari ka thënë se BE’ja duhet t’ia gjejë Kosovës vendin që e ka si shtet evropian.

“Kosova është këtu dhe Bashkimi Europian duhet ta përfshijë atë në masat e saj politike dhe ekonomike. Nëse nuk bëhet kjo, do të mbetet një problem permanent për themelet e rajonit europian…Në mënyrë ekonomike e politike, Kosova është pjesë e BE’së dhe kjo duhet të gjejë një mënyrë për të pranuar këta dy milionë njerëz që banojnë shumë afër”, ka thënë Ahtisaari të martën.

Ahtisaari ndër të tjera tha se e sheh BE’në si një ndër mundësitë më të mira edhe për përmirësimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Paqja ndërmjet Kosovës e Serbisë nuk bëhet vetëm përmes nënshkrimit të ndonjë marrëveshjeje, por me ndryshimin e qasjes së popujve dhe udhëheqësve të të dyja palëve ndaj njëri-tjetrit”, ka thënë ai.

“Paqja nuk nënkupton harrimin e së kaluarës nga Kosova e Serbia, por pranimin se e ardhmja e tyre mund dhe duhet të jetë ndryshe. Ky është një mësim për diplomacinë ndërkombëtare se suksesi i vërtetë nuk mund të gjendet në sallën e negociatave ose në nënshkrimin e marrëveshjes. Ai mund të gjendet në sjelljen e njerëzve- të ministrave, zyrtarëve e fqinjëve të përjetshëm. Ne duhet të flasim më pak për arritjen e paqes si rezultat dhe më shumë për sjelljen dhe qasjen ndaj paqes”, ka shtuar Ahtisaari.

Njeriu që për angazhimet në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare është laureuar me çmimin Nobel për paqe, ka thënë se BE’ja duhet t’i unifikojë politikat e jashtme për arritjen e kompromiseve mes shteteve.

Eco Higjiena

“Shpresoj që të gjithë anëtarët e BE’së të kuptojnë se Kosova duhet të respektohet si pjesë e partnerëve europianë”.

Rëndësinë e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës e lartësoi edhe një ndër njerëzit që kanë luajtur rol kyç në çlirimin e saj.

Ish-Presidenti amerikan, Bill Clinton përmes një videolidhjeje duke iu drejtuar të pranishmëve në konferencën e mbajtur të martën, ka thënë se fundi i mbikëqyrjes ia hap Kosovës rrugët për ditë më të ndritshme.

“Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë është hap thelbësor dhe një mundësi e jashtëzakonshme për të definuar rolin tuaj në rajon, në Europë dhe në botë”, ka thënë Clinton.

Ndërkohë që ua ka kujtuar autoriteteve vendase se duhet të përballen me sfidat që i presin dhe me përgjegjësitë e reja duke përmendur dialogun për përmirësimin e raporteve me Serbinë.

“Do të përballeni me sfidat dhe mundësitë nga jashtë, duke përfshirë Bashkimin Europian, Kombet e Bashkuara dhe Serbinë, kurse nga brenda me sfidat e ndërtimit të një vendi me më shumë mundësi dhe përfitime të përbashkëta për të gjithë, shpresoj ta dini se keni shumë miq, të cilët urojnë të keni sukses”, ka thënë ai. “Dhe në fund dua t’ju them se do të jemi gjithmonë në anën tuaj”, ka përfunduar fjalimin e tij, ish-Presidenit Bill Clinton.

Duke folur për përgjegjësitë e reja, ndërkaq, një porosi për autoritetet kosovare e kishte edhe Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker. Ky i fundit ka renditur luftën kundër korrupsionit në vend si një ndër preokupimet kryesore. Reeker tha se kjo dukuri negative, e cila vazhdon të jetë prezente në vend duhet të luftohet në mënyrë institucionale.

Ndryshe gjatë konferencës të së martës janë trajtuar edhe temat si “Tranzicioni në kohën e globalizimit”, për çka kanë ndarë mendimet e tyre përfaqësues të diplomacive të jashtme nga disa shtete të botës duke përfshirë këtu Japoninë, Shqipërinë, Turqinë, Hungarinë si dhe ata të Ganës. Fjalë rasti në fillim të konferencës kanë mbajtur edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi, Presidentja Atifete Jahjaga si dhe Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, e cilësuan përfundimin e mbikëqyrjes si fillimin e një kapitulli të ri për Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran. Hoxhaj për më tepër e quajti Kosovën si shembull të shtetndërtimit të suksesshëm.

Ndryshe, Grupi Drejtues Ndërkombëtar në mbledhjen e tij të fundit të hënën konfirmoi përfundimin me sukses të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Me këtë edhe fundin e misionit të ICO’së nën udhëheqjen e Pieter Feithit që ka bartur barrën e vëzhgimit të implementimit të Planit të Ahtisaarit që nga 17 shkurti i 2008’ës, kur Kosova deklaroi Pavarësinë e saj.