Pozitë e opozitë bashkë kundër KEK-ut

Deputetët gjatë seancës plenare të mbajtur të enjten, kanë ngritur një mal kritikash ndaj Korporatës Energjetike të Kosovë (KEK), për ngritjen e tarifave të energjisë. Këto kritika kanë ardhur si nga pozita ashtu edhe nga opozita, por ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka thënë se Qeveria nuk i kontrollon tarfiat e energjisë, por i kontrollon Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), që i raporton Kuvendit.
Në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës, deputeti Haki Demolli ka kritikuar mënyrën e qasje së këtij problemi, ku është ankuar për tarifat e larta.
“Kjo paraqet një veprim kamuflues, që është ndërmarr nga pakënaqësitë e konsumatorëve, për shkak të fryrjes së faturave. Kjo gatishmëri për të shqyrtuar atë, për shkak se zyrtarët e lartë në KEK e ndjenjë vetën fajtor për mashtrimet”, ka thënë Demolli.
Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu ka thënë se ky shtrenjtim i energjisë po vjen nga privatizimi që po bëhet në këtë kompani.
“Rryma është shtrenjtuar për 45 për qind pas privatizimit. Ministri Beqaj ka tentuar se këtu do të jetë ndryshe se në vendet e tjera, shtrenjtimi ka ndodhur pas privatizimit”, ka thënë Aliu.
Kritika për këtë çështje ka dhënë edhe Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, i cili ka thënë se KEK-u ka futur konsumatorët në një faturë të njëjtë.
“Vazhdon gjendje e njëjtë se kemi nga një temë tepër të madhe në Kosovë, ajo me faturat e rrymës, nuk ka ndodhë përherë të parë. KEK-u i ka futur një numër të madh të konsumatorëve në faturë bllok”, ka thënë Gjini.
Por, kritika ndaj KEK-ut nuk kanë kursyer as deputet nga koalicioni qeverisës. Shefja e GP të Koalicionit për Kosovë të Re, Myzejene Selmani ka thënë se faturimi është bërë në një mënyrë jo të saktë.
“Nëse shohim se çka ka arritur KEK-u dhe sa i ka ndihmuar Qeveria në këto pesëvjet, atëherë dikush duhet të jep përgjegjësi, pasi që qytetarët duhet të jepni llogari, e jo t`i ndëshkojë qytetarët”, ka deklaruar Selmani.
Ndërkaq ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka thënë se është e arsyeshme që këto shqetësime të ngriten, por jo për të përfituar poena politikë.
Ai i ka kërkuar deputetëve që mos të adresojnë kritika ndaj Qeverisë, pasi që siç ka thënë Beqaj tarifat i kontrollon Zyra e Rregullatorit për Energji që më pas i raporton Kuvendit.
“Dua të ju them se çmimet dhe tarifat nuk i kontrollon Qeveria. Tarifat dhe blloqet tarifore që po flitet rregullohen nga Zyra e Rregullatorit e kjo Zyre i përgjigjet Kuvendit. Prandaj nëse dëshironi ta kontrolloni atë, ajo ju përgjigjet juve deputet”, ka thënë Beqaj.
Gjatë seancës së sotme është miratuar në lexim të parë Projektligji për turizmin, ndërsa ai Projektligji për investimet e huaja nuk ka arritur të kaloj edhe pse është zhvilluar një debat i gjatë.
Me 42 vota kundër, 29 vota për dhe një abstenim nuk është miratuar.
Ndërkohë, Shefi i GP të LDK-së, Ismet Beqiri ka paralajmëruar që në pikën ku do të jetë emërimi i anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, LDK nuk do të marr pjesë në votim dhe do të lëshoj seancën.
Beqiri ka thënë se këtë listë nuk e pranojnë, pasi që janë njerëz me ndikime partiake.(express)