RCCOLA

Pozita e opozita i kërkojnë BE-së heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës

/ 2 minuta lexim

Pozita e opozita kanë kërkuar nga Bashkimi Evropian heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës, pas organizimit të procesit të votimit për apo kundër shkarkimit të kryetarëve të katër komunave veriore.

Thirrjet për largimin e masave u bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u vendos që seanca e ardhshme të mbahet të enjten.

”Ajo çfarë ndodhi dje shpërfaqi që Serbia përdor të gjithë mekanizmat e mundshëm për të pamundësuar integrimin e serbëve në institucione”, tha shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kurari-Lila.

Pas mbledhjes së kryesisë, edhe shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri foli për procesin e djeshëm të votimit në katër komunat veriore, për çka tha se as pas këtij procesi nuk është zgjidhur asnjë çështje.

Fundamenti

“Sot jemi me problemin e njëjtë dhe po e shohim çdo herë e më shumë involvimin e presidentit të shtetit fqinj në çështjet tona të brendshme. Nuk u zgjidh asgjë, problemi është në derë, dita e djeshme nuk ka zgjidh asgjë. Ne vazhdojmë të kemi një situatë të pafavorshme pasi BE-ja i sheh si kryetar legjitim ata që janë zgjedhur me votat e qytetarëve. Se si do të ecë procesi unë nuk mund ta parashohë, por ne kemi kërkuar nga zyrtarë të BE-së që sa më parë masat të hiqen pasi ato po i penalizojnë qytetarët”, theksoi Tahiri, raporton Rtk.

Edhe shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri kërkoi largimin e sanksioneve nga BE.

“Kosovës do të duhej t’i hiqeshin sanksionet pas sulmit terrorist të 24 shatorit. Nuk ka asnjë logjik që Kosova të jetë në sanksione dhe Serbia jo, kur një shtet fqinj ka sulmuar një shtet tjetër”, tha ai.