Pozherani meriton të jetë komunë
Nga Fatlum Demiri – Të nderuar lexues, më lejoni që të shpreh opinionin tim pse Pozherani meriton që të jetë komunë.
Duke u bazuar në pakon e Ahtisarit, në Ligjin për kufijtë administrativ të komunave, ku në nenin 10 pika d, të këtij Ligji parashihet formimi i komunave të reja, ndërsa neni 11, i këtij Ligji parasheh kriteret që duhet ti ketë vendbanimi që pretendohet të behet komunë, dhe për të cilët kritere mendoj dhe besoj që Pozherani së bashku me fshatrat për rreth i plotëson kriteret që të jetë komunë. Duke pasur parasysh edhe kërkesën e Pozheranasve të drejtuar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe dëshirën e kamotshme të banorëve të Pozheranit së bashku me fshatrat të tjera për rreth.
Të nderuar lexues, Pozherani njëri nga qendrat më të mëdha të Republikës së Kosovës, është në pozitë gjeografike në mes të shumë vendbanimeve për rreth tij, mbi gjitha Pozheranin e lidhë rruga magjistrale me dy prej komunave që konsiderohen të jenë ndër komunat më të mëdha dhe më të zhvilluarat, pra me komunën e Ferizajt dhe atë te Gjilanit, por gjithashtu me komunën e Vitisë pjesë e së cilës jemi tash ne dhe me komunën e Kllokotit, pra konsideroj që gjendemi në një pjesë gjeografike mjaft të përshtatshme që të bëhemi komunë.
Pozherani i cili de fakto dhe de juro deri në vitet e 60, ka qenë komunë, por regjimi i atëhershëm këtë statut të qenurit komunë ja dhuroj Vitisë. Për një çështje të tillë na ka treguar shumë herë edhe atdhetari i çështjes shqiptare, heroi i popullit shqiptar dhe ish kryetari i Komunës së Pozheranit ( tash më i ndjeri ) Hysen Terpeza. Qysh moti si nga pikëpamja, historike, territoriale, gjeografike, ekonomike, administrative, mendoj që i ka të plotësuara kushtet për të qenë komunë në veti.
Pozherani me vendbanimet për rreth posedojnë një tokë pjellore jashtëzakonisht të mire, posedojnë hapësira malore të cilat janë të favorshme për turizëm, posedojnë një numër jashtëzakonisht të madh të bizneseve individuale dhe një numër të konsiderueshëm të fabrikave të prodhimtarisë të profileve të ndryshme. Llogaritet që Pozherani me vendbanimet për rreth t`i ketë mbi 20.000 banorë.
Pozherani me vendbanime për rreth ka një armatë të tëre njerëzish me shkollim të lartë në lëmi të profesioneve të ndryshme, si doktor shkencë, inxhinierë, magjistra e kuadro te tjera.
Konsideroj që një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Pozheranit dhe vendbanimeve për rreth jetojnë dhe punojnë në shtetet e Evropës Përendimore, me themelimin e Komunës së Pozheranit, paraqitet një rast i volitshëm që këta qytetar nga diaspora, që kursimet e tyre shumë vjeçare t`i investojnë në sektor të ndryshëm, si në prodhimtari, blegtori, hoteleri e sektor të ndryshëm.
Duhet cekur që Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi në mënyrë publike para 3-4 vite, në prani të qindra qytetarëve Pozheranas ka pranuar që Pozherani ka nevojë dhe meriton dhe mbi të gjitha Kryeministri ka premtuar që shumë shpejt Qeveria e udhëhequr nga Thaçi do te merr vendim për themelimin e Komunës së Pozheranit, andaj kërkojmë nga Kryeministri që ta realizon ëndërron e kamotshme të mbi 20.000 qytetarëve të cilët me pa durim presin që një ditë të merret vendimi mbi themelimin e Komunës së Pozheranit të cilën e lejojnë Ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës.


