Potencial i pashfrytëzuar

Përfaqësues të shoqatave ekonomike në Kosovë dhe ekspertë të industrisë së rëndë thonë se qeveria duhet krijuar politika për investime më të mëdha në këtë sektor. Ata thonë se potencial ka, por investime jo.
Krijimi i një mjedisi ku industria e rëndë mund të rimëkëmbet, do të rrisë konkurrencën e industrisë në rajon, do të rrisë punësimin dhe do t’i japë shtytje ekonomisë së përgjithshme, vlerësojnë përfaqësues të shoqatave ekonomike në Kosovë dhe ekspertë të çështjeve ekonomike.
“Ferronikeli”, “Trepça”, “Sharrcemi”, “Llamkosi”, “Fabrika e Tubave”, industria e gomës “Ballkani”, janë vetëm disa kompani, të cilat hyjnë në kategorinë e industrisë së rëndë.
Sipas hulumtimeve të bëra, shfrytëzimi i potencialit të tyre mbetet larg asaj që ato kanë.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Lumir Abdixhiku thotë se Kosova duhet të krijojë politika që bëjnë tërheqje të investimeve të mëdha për industrinë e rëndë.
“Kosova gjatë viteve ‘90 ka kaluar nëpër një proces të deindustrializimit dhe deinvestimeve dhe nëse një industri ka pësuar nga ky proces, është industria e rëndë. Tani duhet një politikë që të bëhen investime masive, pasi që nga natyra ato kërkojnë më tepër investime dhe më tepër para, e që fatkeqësisht ne nuk i kemi ato politika”, vlerëson Abdixhiku.
Për të ndihmuar sektorin e industrisë së rëndë, ditë më parë, Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë krijuar Komitetin e përbashkët të industrive të rënda.
Qëllimi kryesor i Komitetit është që ky sektor të bëhet më konkurrues dhe më produktiv, në zhvillimin ekonomik të vendit.
Drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë për Radion Evropa e Lirë se potenciali i këtyre industrive të rënda duhet të shfrytëzohet.
“Disa prej problemeve, me të cilat përballen kompanitë e industrisë së rëndë janë ato që lidhen me Ligjin për miniera dhe minerale. Ekzistojnë disa kufizime brenda ligjit, i cili nuk lejon zhvillimin e mirëfilltë ose implementimin e projekteve nga fusha e minierave, ekzistojnë edhe disa kufizime”.
Sipas tij, ekziston një sistem burokratik i sigurimit të lejeve dhe licencave që parashihet të jepen nga agjenci të ndryshme, të cilat shumë shpesh nuk janë të koordinuara me njëra-tjetrën.
Zeka thotë se Ligji për miniera dhe minerale duhet të lejojë sipërfaqe dhe periudhë më të madhe për eksplorim dhe eksploatim.
Ndërkaq, Komisioni i Pavarur i Minierave dhe Mineraleve, sipas Zekës, duhet të shërbejë si “one-stop-shop”, në dhënien e licencave dhe lejeve, si dhe në shpronësime në raste kur një zonë është shpallur si zonë me interes nacional.
Një praktikë e tillë, thekson Zeka, do të ishte në harmoni të plotë me politikat qeveritare për të reduktuar dhe minimizuar burokracinë.
Ndryshe, në një hulumtim të bërë nga Qendrën për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, STRAS, thuhet se në të kaluarën në strukturën e përgjithshme ekonomike, metalurgjia merrte pjesë me 25.1 për qind, në kuadër të saj, metalurgjia e zezë 13.3 për qind dhe përpunimi i metaleve -17.6 për qind. (REL)