Posti i presidentit, në pazar eventual
Pamundësia e fitimit të votave të mjaftueshme në zgjedhjet e 11 qershorit, sipas analistëve politikë, tani po shihet edhe si një rrezik i pashmangshëm, që Kosova të futet prapë në një krizë institucionale, meqë PAN-i e ka të vështirë ta bëjë një qeveri stabile pa bërë koalicion.
Bazuar në këtë rezultat zgjedhor, që është gati final, analistët nuk shohin mundësi të krijimit të ndonjë qeverie stabile dhe efikase, aq më tepër, kur ka një pakë- naqësi të madhe të qytetarëve, të cilët nuk besojnë më te këto parti që kanë qeverisur me vendin. Në këtë rast, kontrabandimi i deputetëve të LAA-së apo bashkëngjitja e LDK-së me PAN-in nën presionin ndërkombëtar shihet zgjidhja e vetme, e përkohshme e kësaj situate krize.
Sipas analistit Gani Qarri, për formimin e Qeverisë së Kosovës, nevojiten të paktën 61 vota në Kuvend. “E këto, sipas rezultateve të fundit, asnjëra nga partitë a koalicionet garuese nuk i ka, pasi që ato as të inkorporuara në koalicione parazgjedhore, asnjëra nuk arritën ta fitonin shumicën e mjaftueshme”, u shpreh ai. Qarri mundësinë e krijimit të një qeverie të re e sheh vetëm në formulën e mundshme të trafikimit të deputetëve me prishjen eventuale të koalicioneve parazgjedhore, tani pas zgjedhjeve.
Kombinimet e mundshme
Politologu Arsim Haziri thotë se PANi, pavarësisht rezultatit fitues në terren, nuk do të ketë kapacitete të mjaftueshme elektorale të ndërtojë qeverisje efikase dhe, sipas tij, çelësi mbetet tek LDK-ja, ndryshimi eventual i qëndrimit të këtij subjekti politik. “Mbase vetë neni kushtetues nuk ia krijon kushtet për një gjë të tillë, pavarësisht se ia jep të drejtën. Fati i zhvillimeve të shpejta politike varet prej LDK-së. Mirëpo, sipas gjendjes që gjendet në terren, konsideroj se vendi do të futet në një ngërç të rëndë politik, pasi vetë subjektet politike janë betonizuar mes vete. Por, çka përbën negativitet dhe mosstabilitet ekonomik dhe politik është pamundësia e krijimit të një qeverisjeje kredibile dhe të përgjegjshme për trupin publik”, u shpreh ai.
Analisti Skënder Mulliqi thotë se nga rezultatet, që dolën të ngushta, parimisht dhe realisht, fituesi i këtyre zgjedhjeve si subjekt politik është VV-ja, e cila mori dyfishin e votave nga zgjedhjet e kaluara. “Qytetarët duket se i ndëshkuan me vota keqbërësit politikë të deritashëm, të cilët edhe ishin bartës të pushtetit. PDK-ja, AAK-ja dhe sidomos LDK-ja pësuan rënie, gjë që është pritur. Është hera e parë që u krijua një konfiguracion i tillë politik. Kjo krijon vështirësi në formimin e organeve të reja me mundësi të krijimit të një krize të re institucionale. PAN-i në pamundësi për të krijuar organe vetëm me minoritete, nuk është në gjendje të qesë shumë kushte. Duke pasur parasysh rënien LDK-ja për të mbetur në skenën politike do të jetë e gatshme që të bëjë koalicion me PAN-in. Se nuk ka vija të kuqe në këtë drejtim e tha edhe i nominuari për kryeministër Avdullah Hoti gjatë fushatës. LDK-ja nuk ka çka të humbë më shumë”, theksoi ai. “VV-ja është proklamuar se nuk do të bëjë koalicion me asnjë kusht me PAN-in. VV-ja pas arritjes së këtij rezultati do t’i diktojë kushtet e veta PAN-it, nëse vendos koalicion me ta, dhe kështu do të veprojë edhe karshi koalicionit LDK, AKR dhe Alternativa, që kryeministër të jetë Albin Kurti dhe shumë kushte të tjera, të cilat zor se i pranojnë që të dyja koalicionet”, tha Skënder Mulliqi. Kontrabandimi eventual i deputetëve nga blloku tjetër LAA është edhe një mundësi tjetër sipas Mulliqit që PAN-i të dalë nga kriza. Nëse dështojnë të gjitha variantet, ai thotë se ka mundësi që zgjidhje t’i japin krizës ndërhyrjet e faktorit ndërkombëtar./kosova sot/


