RCCOLA

Poseduesit e çelësave, të dyshuar për vjedhjen e arit

/ 2 minuta lexim

Prej vitit 2007 Ryva Lokaj (1967) ishte përgjegjëse për dhomën e dëshmive në stacionin policor në Pejë.

Kishte katër çelësa të kësaj dhome, të cilët i mundësonin hyrjen pa kufizime në ambientin në të cilin “ruhej” ari me vlerë milionëshe. Dhoma nuk kishte kamera sigurie, çka ka bërë që të mos regjistrohet asnjë hyrje-dalje. Për këtë arsye, prokurori special, Sead Kuraja, e ka bërë policen nga Deçani përgjegjësen kryesore për vjedhjen e më shumë se 25 kilogramëve ari.

Fidanishtja

Pa përgjegjësi penale nuk i ka lënë as tre zyrtarët e tjerë policorë të cilët prej së shtunës ndodhen në arrest shtëpiak. Muhamet Lama (1972) nga Batusha e Gjakovës, Bajram Koliqi (1974) nga Peja dhe Riza Rexhiqi (1967) po ashtu nga Peja dyshohen për krim të organizuar dhe përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. Të katërtët besohet se si grup kriminal kanë vjedhur këtë sasi ari të konfiskuar nga Policia vite më parë.

Prokurori special, Sead Kuraja, në kërkesën e tij për caktimin e paraburgimit për Ryva Lokajn dhe Muhamet Lamën, si dhe të arrestit shtëpiak për Bajram Koliqin e Riza Rexhiqin ka specifikuar përgjegjësitë e këtyre zyrtarëve policorë të arrestuar javën e kaluar pas raportimit të “Kohës Ditore” për vjedhjen e arit.