Portret bamirësie në praktikë, të jesh humanist si Haxhi Haki Hasani
Komuna e Bujanocit me rrethinë, ka nxjerr veprimtarë të shumtë, në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore, e posaçërisht në sferën e bamirësisë, humanitetit e solidaritetit. Në mesin e atyre emrave të shumtë, që dallohen për kontributin e tyre të dhënë në grumbullimin dhe shpërndarjen e ndihmave familjeve në nevojë, është edhe Haxhi Haki Hasani, nga Lluçani, një nga veprimtarët më atraktiv të Komunës së Bujanocit. Haxhi Hakiun, rrallë kush, që nuk e njeh. Atë e ke gjithkund e gjithkah: në Bujanoc, Gjilan, Stamboll, Cyrih e gjetiu, gjithmonë i gatshëm, të ofroj ndihma për ata që kanë nevojë për bukën e gojës, për veshmbathje, për strehim e shërim, thjesht, për një jetë më të mirë.
Veprimtarin humanitar, Haxhi Hakiun e njohim, dikur edhe si kryetar i Organizatës Kulturore Humanitare “Gjysmëhëna” nga Bujanoci, shoqatë kjo e mirënjohur për aksione të shumta rreth shpërndarjes së ndihmave humanitare për skamnorët e kësaj komune.
Nëpër dyert e kësaj shoqate, që udhëhiqej nga Haxhi Hakiu, kanë hyrë e dalë ndihma të shumta edhe atë me tonelata, të cilat janë shpërndarë për të gjithë atë kategori njerëzish, që kishin nevojë për mbështetje humanitare, pa dallim përkatësie nacionale, fetare, racore, partiake etj.
Mjafton të përmendim muajin e solidaritetit me skamnorët, një nga organizimet e dikurshme më të mëdha që njihte Bujanoci dhe rajoni i Luginës së Preshevës. Ishte muaji nëntor i vitit 2008, kur Haxhi Hakiu, përmes Organizatës Kulturore Humanitare “Gjysmëhëna ”, sollën nga Gjermania ndihma, në vlerë prej 7.5 tonë rroba, kryesisht veshmbathje për fëmijë dhe të rritur. Në këtë drejtim, nuk kanë munguar as aksionet për ndihmë Shkodrës, me rastin e përmbytjeve nga ujërat.
Haxhi Hakiu, përveç si humanist i madh, dallohet edhe për angazhimet e tij, në luftën e ish UÇPMB-së, si pjesëtar i saj, për realizimin e të drejtave të shqiptarëve për më shumë të drejta në Luginë të Preshevës. Si veteran i luftës, ai, ruan kujtime sa të dhembshme aq edhe krenare për vendin e tij të lindjes Lluçanin, i cili njihet si fshati legjendar, njëri nga vendbanimet më atraktive të Komunës së Bujanocit.
Haxhi Haki Hasani edhe sot është aktiv, ai, nuk ndalet, duke bërë mirë, qoftë në grumbullimin e ndihmave për të nevojtarët, qoftë duke iu bashkuar aksioneve në realizimin e kërkesave të qytetarëve për ushqim, veshmbathje, strehim e shkollim.
Përvoja e Haxhi Hakiut dhe mirësia e tij, në fushën e bamirësisë, nuk kanë të ndalur. Ai, kohëve të fundit e ka shtrirë aktivitetin e tij edhe në fushën e kulturës, arsimit dhe informimit.
Haxhi Hakiu, është i bindur se njeriu, përveç, që ka nevojë për bukën e gojës, ai ka nevojë edhe ushqimin shpirtëror, për kultivimin e kulturës e arsimit, pa të cilat nuk mund të mbrohet identiteti dhe dinjiteti i shqiptarit në Komunën e Bujanocit dhe në përgjithësi në Luginën e Preshevës.
Në këtë rrugë të përhapjes së misionit fisnik, bujar e humanitar, Haxhi Hakiu, ka gjetur shumë miq e dashamirë, me të cilët konsultohet për veprimtari të përbashkëta, për ta mundur skamjen, papunësinë e migrimin, të cilat kanë prekur familjet shqiptare të Luginës së Preshevës./sevdail hyseni/rajonipress/


