Porosia e Qemajl Mustafës: Kujdesu Gjilan, ruaje vetën!

Gjilan – Ta ruajmë secili kujdesshëm vehten tonë, pastaj secili ku jetojmë e punojmë, t`i ruajmë familjet tona dhe kolegët tanë. Në këtë mënyrë e ruajmë pastaj bashkësinë e gjerë. E ruajmë lagjen, fshatin e qytetin. E ruajmë komunën dhe shtetin nga Covid19 dhe nga shumë të këqija tjera ka shkruar Qemajl Mustafa.
Kreu i PDK-së në Gjilan Qemajl Mustafa i ka bërë një analizë situatës dhe trendit aktual me Covid19 në Gjilan.
Sipas tij Gjilani, është në mesin e komunave të këqija dhe ka një apel e porosi për gjilanasit. “Ta ruajmë secili kujdesshëm vehten tonë, pastaj secili ku jetojmë e punojmë, t`i ruajmë familjet tona dhe kolegët tanë. Në këtë mënyrë e ruajmë pastaj bashkësinë e gjerë. E ruajmë lagjen, fshatin e qytetin. E ruajmë komunën dhe shtetin nga Covid19 dhe nga shumë të këqija tjera. Gjilani, me regjistrimin e fundit (2011) kishte 90.000 banorë. Republika e Kosovës kishte 1.800.000 banorë. Në pikë të përqindjes kjo i bie që Gjilani banohej me saktë 5% të popullsisë së RKS. Afërsisht kështu aludohet të jetë edhe sot. Bazuar në këtë statistikë të thjeshtë, për mos me u dallue nga komunat e tjera, Gjilani do të duhej me pasë jo mē shumë se 5% të të infektuarve nga numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë. Afërsisht njëjtë do të duhej me qenë edhe te numri i të shëruarve, i atyre ende aktivë dhe te numri i të vdekurve” ka thënë Mustafa.
Mustafa thotë se për fat të keq, te numri i të infektuarve dhe i të vdekurve Gjilani shkon mbi 6% sikur edhe te numri i të shëruarve dhe i atyre aktivë që për fat të mirë njëri është në rritje e tjetri në rënie (sepse e tillë është lidhja mes tyre).
Bazuar në të dhënat e ditës së martë tē IKSHPK dhe të komunës së Gjilanit trendi është ky: Të infektuar ne Kosovë janë 13.601 ndërsa në Gjilan 844 që i bie 6.2% në vend të 5.0% e që është keq. Të shëruar në Kosovë janë 9.792 e në Gjilan 648 e në (%) është 6.6% në vend të 5.0% e që është mirë sepse e zvogëlon numrin e rasteve aktive. Aktivë në Kosovë janë 3.276 e në Gjilan 163 që i bie 5.0% e që është mirë sepse është rrafsh sa është “hisja” e jonë në raport me popullsinë e Kosovës.
Te vdekur në Kosovë 533, në Gjilan 33 që në % është 6.2% e që është keq.
“Pra, Gjilani qëndron keq me numrin e të infektuarve dhe me numrin e vdekjeve nga Covid19. Qëndron pak më mirë me numrin e të shëruarve dhe të atyre aktivë.
Thënë ndryshe, sa i përket preventivës dhe në përgjithësi trajtimit të gjendjes pandemike, Gjilani është bërë komunë e keqe. Do të ishte e pranueshme disi po të silleshin numrat rreth 5% e bëhet komunë e mirë kur numri i të infektuarve, i atyre aktivë dhe i vdekjeve bie dukshëm nën 5%. Me këtë rast, numri i të shëruarve rritet dhe shkon dukshëm mbi 5%. Kujdesu Gjilan! Ruaje veten” ka shkruar Qemajl Mustafa./rajonipress/