Populli ta ndalë aventurën e Thaçit

Analistët politikë, deputetët e opozitës dhe qytetarët, vazhdojnë ta shohin me shqetësim dhe kundërshtim të fuqishëm mënyrën se si po e risjellë Hashim Thaçi, në mënyrën e vet të veprimit dhe qasjes ndaj dialogut me Serbinë, përmes koncesioneve të paralajmëruara, Serbinë në Kosovë, duke e shpërbërë edhe pavarësinë e shtetit të Kosovës, vetëm e vetëm për t’i shpëtuar Gjykatës Speciale.
Një rrezik të tillë e paralajmëron për këmbim territoresh me Serbinë, të cilën shefi i shtetit kosovar po e kamuflon me shprehjen kinse “korrigjim kufijsh”, edhe ish-diplomati amerikan dhe njohësi i çështjeve ballkanike, Daniel Server, sipas të cilit shkëmbimi i territoreve me Serbinë është i rrezikshëm dhe çon në fundin e shtetit të Kosovës. Edhe Server paralajmëron se synimi i Thaçit për të tregtuar disa ose të gjitha komunat veriore me shumicë serbe në Kosovë për territorin e shumicës shqiptare në Serbinë jugore, apo “korrigjimi i kufijve”, siç po e quan Hashim Thaçi, është një ide e keqe dhe çon në fundin e shtetit të Kosovës. Deputetë, analistë dhe qytetarë janë kategorikisht kundër këtyre përpjekjeve individuale të Thaçit për pazare territoriale me Serbinë. Ide të rrezikshme Deputeti Salih Salihu tha për “Kosova Sot” se kjo ide publike e presidentit Thaçi është shumë e rrezikshme dhe si e tillë po vazhdon të kundërshtohet fuqishëm nga shumica e spektrit politik të Kosovës, veçmas nga opozita.”Presidenti po e promovon një ide të tillë, por gabim e ka. Në çfarëdo mënyre të promovimit të idesë apo tendencës për t’i lëvizur kufijtë ekzistues në mes të Kosovës dhe Serbisë do të jemi ne, kosovarët, por edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, që do të humbin”, u shpreh ai. “Komuniteti serb duket i shfrytëzon të gjitha këto të drejta dhe kompetenca që i janë siguruar dhe garantuar brendapërbrenda territorit të Kosovës, ndërsa në këtë proces të dialoguar në mes të dy vendeve institucionet e Kosovës duhet të angazhohen që të kërkojnë nga Serbia që të njëjtat të drejta dhe kompetenca në qeverisje t’i kenë edhe shqiptarët në Serbi, edhe qytetarët shqiptarë të Luginës, sepse përndryshe çdo ide e rishikimit apo korrigjimit të kufijve është e rrezikshme të futet si temë në këtë proces”, tha Salih Salihu për “Kosova Sot”.
Kundër këtij opsioni, të cilin edhe të premten e ka promovuar presidenti Thaçi, është deklaruar deputeti Ali Lajçi, sipas të cilit sado që mund ta luhet kjo kartë e kompromis ndaj Serbisë nga ana e Hashim Thaçit, për t’i shpëtuar Speciales, ai mund të jetë vetëm një vetëmashtrim momental, por një humbje e madhe e pariparueshme për Kosovën.”Nëse ky ka hyrë edhe atje në obligime, pazare për Gjykatën Speciale, normal që mund të jetë tani edhe ky presion e shantazh që mund t’i bëhet, por sidoqoftë po shihet që qoftë me këtë presion apo pa atë ky, Hashim Thaçi, i ka marrë për obligim duket këto projekte për t’i realizuar dhe nëse veç është kjo temë, ai që merr obligime dihet që në një mënyrë edhe i bëhet presion”, potencoi Lajçi për “Kosova Sot”.
Presidenti shkel mbi interesat nacionale Analisti Reshat Badallaj konstaton se këto lëshime të Thaçit po bëhen sepse ai realisht kurrë nuk ka qenë i brumosur me frymë patriotike ndaj shtetit e kombit.”Po të ishte patriot Hashimi i Brojës do ta digjte veten për Kosovën, do t’i vinte interesat kombëtare mbi interesat e veta personale. Pra, kjo u vërtetua se FAKE HASHIMI, për t´i shpëtuar Gjykatës Speciale, po dëshiron të djegë Kosovën si të ishte plaçkë. Serbia e ka garantuar Hashim zezën dhe ia ka hedhur kapistallin se kinse ajo nuk do ta ndjekë penalisht dhe në fund të fundit do t’i thoshte Dick Martyt, kur nuk e ndjekim ne nuk mund ta ndiqni ju dhe ky nuk ka fare dert që për këtë kartë do të mundohet ta djegë vendin, por kam thënë disa herë se i ka bërë shumë gabim pazaret”, u shpreh ai.”Pazaret e fëlliqura të tij kanë marrë dhenë dhe kanë bërë namin, sepse u zbuluan dhe dolën në sipërfaqe dredhitë dhe tradhtitë e tij tinëzare. Kur kemi thënë ne ndoshta dikush nuk e mori seriozisht, por tani kjo u përhap në botë dhe u mor seriozisht nga miku i çmuar i Kosovës ,amerikani Daniel Server, i cili e sheh rrezikun e shtetit të Kosovës nga dredhitë dhe tradhtitë e Hashimit të Brojës. Unë konsideroj që tani nuk duhet lejuar që të shkojë më tej Hashimi i Brojës, duhet thënë njëherë e përgjithmonë “STOP”, se mjaft u bë me lojërat e pista kundër vendit dhe me talljet kundër popullit”, tha Badallaj për “Kosova Sot”.
MEHMETI: RREZIKUN E MADH KOSOVËS PO IA SJELL NJERIU I SHËRBIMEVE SEKRETE, QË FATKEQËSISHT ËSHTË PRESIDENT I VENDIT!
Sipas njohësit të zhvillimeve politike në vend, analistit Faton Mehmeti, figura e Hashim Thaçit me këto veprime shkon identike me atë të Esat Pash Toptanit. “Rrezikun e madh Kosovës po ia sjell njeriu i shërbimeve sekrete, që fatkeqësisht është president i vendit. Hashim Thaçi po e copëton Kosovën sikur të ishte pronë e tij, vetëm e vetëm që të shpëtojë nga Gjykata Speciale. Ky është Esat Pasha i dytë, që do të mbahet mend në histori për të gjitha mëkatet dhe dëmet kundër atdheut. Të japësh Gazivoden, me potencialin e madh që ka është humbje e madhe për Kosovën. Por, Hashimit nuk i intereson asgjë, me rëndësi është të shpëtojë veten. Kosova po copëtohet, e gjitha po bëhet para syve tanë dhe ne po jemi të pafuqishëm përballë kësaj klase politike të kriminalizuar”, u shpreh ai. “Të japësh tokë shqiptare për tokë shqiptare është naivitet dhe servilizëm, që vetëm një njeri si Thaçi mund ta bëjë. Por opozita duhet të bëjë çdo gjë që të shkarkojë këtë njeri të rrezikshëm për të tashmen dhe të ardhmen. Gazivoda është pasuri e rrallë, e cila nuk duhet të falet”, vlerësoi Mehmeti. “Thaçi është e keqja më e madhe për Kosovën…dhe kjo duhet të na shqetësojë. Kosova nuk është pronë e Hashimit, që ta shesë dhe të bëjë me të çfarë të dojë. Shpresoj se sa më parë të fillojë punën Gjykata Speciale, ndryshe Kosova s’po mbetet për askënd, do të mbetet vend i shkretë dhe tokë e humbur”, tha Faton Mehmeti për “Kosova Sot”.
ALIU:HASHIM THAÇI PO E RISJELLË SERBINË NË KOSOVË!
Po aq të rrezikshme e sheh tani këtë idenë e korrigjimit të kufijve me Serbinë edhe analisti Bislim Aliu. “Me veprimet e veta të shpeshta dhe në mënyrën e vet, Hashim Thaçi po e risjellë Serbinë në Kosovë, duke e shpërbërë edhe pavarësinë e shtetit të Kosovës, vetëm e vetëm për t’i shpëtuar Gjykatës Speciale dhe këtë mund t’ia sigurojë vetëm Serbia. Edhe Daniel Server e paralajmëron rrezikun për këmbim territoresh me Serbinë, të cilën shefi i shtetit kosovar, Hashim Thaçi, tani po e kamuflon me shprehjen kinse “korrigjim kufijsh”. Ish-diplomati amerikan dhe njohësi i çështjeve ballkanike, Daniel Server, i cili është mbështetës i madh i Kosovës, këtë e shpjegon qartë, se kjo çon në fundin e shtetit të Kosovës. Me këtë qasje të re, Serbia, përmes pushtetarëve tanë mbështetës dhe komplotistë, po kthehet në Kosovë, përmes Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, kur tanimë draftstatuti është gati për t’u dorëzuar në Bruksel, i cili është i përbërë prej ekipit vetëm me 4 serbë”, shpjegon ai. “Me të gjitha këto veprime të dëmshme, kjo klasë politike e pushtetarëve tradhtarë e komplotistë dhe te inkriminuar po na e kthen Serbinë ‘këmbëkryq’ në Kosovë, edhe përmes statutit të ri të Asociacionit të Komunave serbe, i cili synon e kërkon edhe ndryshime kushtetuese, në mënyrë që ky asociacion të ketë kompetenca ekzekutive dhe të gjitha këto lëshime po i bën vetëm e vetëm që këta detyrimisht të shpëtojnë nga Gjykata Speciale”, tha Bislim Aliu për “Kosova Sot”.
SERWER: KORRIGJIMI I KUFIJVE ËSHTË NDARJE, SJELL DESTABILITET NË BALLKAN Analisti amerikan Daniel Serwer, reagoi menjëherë pasi Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi hodhi idenë e korrigjimit të kufirit, duke e quajtur atë një ide të rrezikshme. Serwer tha se kjo ide nënkupton në fakt ndarje dhe shkëmbim territoresh dhe ai mendon se Thaçi nuk mund ta kishte hedhur idenë, pa rënë dakord me Vuçiqin dhe se perëndimi mund ta ketë pranuar si zgjidhje. Serwer mendon se kjo nuk është nisma e tij, por e Serbisë dhe që po merr bekimin e administratës amerikane. Serwer tha për Zërin e Amerikës se shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë do të destabilizonte Ballkanin dhe më gjerë. “Mund të forcojë mbështetjen politike për ata brenda në Kosovë që janë kundër Kosovës si shtet dhe që duan bashkimin me Shqipërinë, mund të dobësojë të moderuarit në Serbi. Dhe do të kishte ndikim negativ më gjerë tek Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina, sepse Republika Srpska do të donte të korrigjonte kufijtë e vet dhe të bashkohet me Serbinë dhe pastaj kemi ambiciet ruse për të kontrolluar Osetinë Jugore dhe Abkazinë në Gjeorgji, Transnistrian në Moldavi dhe Krimenë dhe Donbasin në Ukrainë”, tha ndër të tjera Serwer.
QARRI: BARTËS I KËSAJ LOJE TË PAZAREVE KRIMINALE ËSHTË VETË PRESIDENTI THAÇI!
Analisti politik Gani Qarri tha për “Kosova Sot” se pikërisht për shkak të mafisë që ka kapur kupolën e institucioneve të Republikës së Kosovës çështja e Kosovës ka mbetur të trajtohet si çështje e izoluar vetëm në mëshirën e Evropës, prandaj mundësia e pazareve kriminale në dëm të shtetit të fituar me mund është e madhe. Sipas tij, bartës i kësaj loje është vetë presidenti Thaçi. “Kosova ka kohë që, shkaku i politikanëve të saj mafiozë, fatkeqësisht, është hequr si prioritet nga agjenda amerikane. Madje Thaçi po e keqpërdor me të madhe këtë argument dhe ka ndërmarrë aksione të fuqishme e të gjithanshme për realizimin e marrëveshjeve dubioze, të arritura në bisedimet e fshehta me presidentin e Serbisë për ndarjen e Kosovës”, u shpreh ai.”Kjo as që përbën më fshehtësi dhe paralajmërime të tilla vijnë nga çdo anë, ndaj para se të realizohet ky skenar ogurzi, implementimi i të cilit pritet të fillojë nga 5 gushti i vitit 2018, me shpalljen nga ‘Zajednica’ të autonomisë në veri të vendit, është koha e fundit që të ndërmerret diçka dhe të bëhet sa më parë denoncimi i Thaçit dhe kërkesa ultimative për shkarkim nga inteligjenca kosovare, studentët dhe profesorët, sidomos ata që njohin dhe studiojnë sistemet politike dhe të drejtën kushtetuese vendore e ndërkombëtare, të cilat ky i shkel me të dy këmbët çdo ditë dhe orë.Të denoncohen veprimet anti-Kosovë, antishtet dhe antishqiptare të Hashim Thaçit, të ngrihen në protesta e demonstrata i ri e plak, punëtorët dhe inteligjenca kosovare, për shpëtimin e shtetit dhe shkarkimin sa më parë të Thaçit nga posti i të parit të vendit”, vijoi më tej Qarri. Sipas tij, duhet të kërkohet dorëheqja e gjithë kastës aktuale të dështuar politike, të ndërpriten bisedimet me Serbinë dhe të formohet një qeveri ekspertësh, e cila do ta vinte shtetin në binarët normalë të ecjes dhe zhvillimit, do të përgatiste një ekip të aftë me personalitete të sprovuara në fushat përkatëse për dialogim me ish-shtetin okupues serb, si dhe të sillen para drejtësisë të gjithë politikanët e kriminalizuar e mafiozë, të cilët pasi shitën dhe plaçkitën çdo gjë në këtë vend, tani kanë filluar të bëjnë pazare edhe për shitjen dhe copëtimin definitiv të shtetit të Kosovës.”Pikë së pari të sillet para drejtësisë Hashim Thaçi për tradhti të lartë kombëtare, për rikthimin e Serbisë në Kosovë, për zhvlerësimin dhe humbjen e kuptimit të pavarësisë së vendit, si dhe shpërbërjen e shtetësisë së Kosovës, vetëm e vetëm që pas marrjes së gjithë asaj që Serbia dëshiron të marrë në Kosovë të shpëtojë Thaçi nga ndjekja e Gjykatës Speciale”, tha Qarri. “Ndaj, para uljes ‘këmbëkryq’ dhe rikthimit kaq të fuqishëm të Serbisë në Kosovë, përmes politikanëve të shitur e komplotistë të vendit tonë, si dhe krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive, populli i Kosovës nuk guxon të heshtë dhe të tolerojë edhe më tej pazaret e tilla të frikshme, mbi dhjetëvjeçare, të pushtetarëve të shitur, vetëm e vetëm që të shpëtojnë nga ndjekjet e mundshme të Gjykatës Speciale”, tha Gani Qarri për “Kosova Sot”.
Sipas analistit Shefik Shkodra, ndërrimin e territoreve, pastaj korrigjimi i kufijve, apo drejtimi i ‘hunjve të gardhit’ drejt e në trupin e Kosovës, këtë vepër Hashim Thaçi e solli me vetë dëshirë për interesat personale, por që duhet ndaluar tani. “Kjo i duhet për shpëtimin e vetvetes nga Gjykata Speciale. Mirëpo, kjo do të jetë një shkatërrim i shtetit të Kosovës”, theksoi ai. “Të gjitha institucionet, përfshirë këtu edhe Kuvendin, Qeverinë e këtij vendi, nuk bënë asgjë për të penguar më të keqen. Fjalët e Hashim Thaçit janë vetëm disa ‘margaritarë’ dhe bizarëri, madje edhe kërcënime se këtë apo atë që hyn në ‘marrëveshje’ s’ka kush që e prish më. Shumë e qartë”, tha Shkodra për “Kosova Sot”. Sipas profesorit universitar Muhamet Kelmendi, kjo platformë që po e promovon Thaçi mund të ketë një kuptim shumë të gjerë manipulimi e mashtrimi, por që pika finale shkon në dëm të territorit të shtetit të Kosovës. “Në kuadër të diskutimeve që po bëhen në skenën politike të Ballkanit, deri në SHBA për Kosovën kanë dalë në dritare shumë ide dhe pikëpamje të rrezikshme dhe thjeshtë antishtetërore, kundër interesave vitale të kombit tonë, që në fakt po dëmtojnë vendin dhe kanë krijuar gjendje të rëndë. Këtej dje, z. Thaçi, përsëri në cilësi të Presidentit të vendit, e deklaroi para medieve elektronike dhe të shkruara,”idenë e korrigjimit të kufirit me shtetin serb”. Natyrisht se këtu nga forma e paraqitur dhe mënyra e shprehur ka vend për interpretime të ndryshme: Së pari, mund të interpretohet si çështje që gjatë tërheqjes së vijës kufitare të ketë ndryshime të vijës kufitare, duke kaluar nga njëra anë në tjetrën të shtetit. Së dyti, mund të interpretohet si mjet që tregon se në bisedimet gjoja në Bruksel ka mundësi të flitet edhe për ndonjë status të veçantë të serbëve në Kosovë, gjë që ndryshon hartën e Republikës dhe së treti mund të nënkuptohet si formë e shkëmbimeve të territorit midis Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh ai.”Dhe, në këtë anë është ideja madhore e z. Thaçi që e ka paraqitur qartë po ashtu dje në konferencë kur ai tha:”Ne bisedime nëse arrijmë marrëveshje dhe ka vullnet të mirë ka mundësi që Lugina e Preshevës t’i bashkëngjitet Kosovës”. Deklarata e tillë tregon se z. Thaçi është i përgatitur për shkëmbim të territoreve. Çështja është vetëm çka për të dhënë Kosova? Pra, tani më nuk qëndron mendimi i z. Thaçi se nuk ka shkëmbim të territorit! Ideja e paraqitur për Luginën e Preshevës tërheq edhe kërkesën dhe domosdoshmërisht edhe dhënien e ndonjë pjese të Kosovës për shtetin serb”, shpjegoi më tutje Kelmendi.”Thaçi po e përgatit terrenin e ndarjes dhe të shkëmbimeve të territorit. Por, këtu po “harron” z. Thaçi se shqiptarë ka edhe në Mal të Zi, edhe në Serbi e në Maqedoni! Po harron se Mitrovica e Veriut është territor thjesht shqiptar. Ai e di se në vitet 1999-2000- 2001 nën ombrellën e tij janë ndjekur rreth 13 mijë shqiptarë”, ka thënë ai.
Qytetarët, mosbesues ndaj pushtetit Qytetarët e pyetur nga gazeta po ashtu janë kundër hapjes së idesë së rishikimit të kufijve me Serbinë, që në fakt nuk është gjë tjetër vetëm lojë fjalësh për të mbuluar idenë e ndarjes dhe këmbimit kinse të territoreve, por që në çdo variant do të humbte Kosova. Një kundërshtim të tillë të idesë që po e promovon tani Hashim Thaçi e shpreh qytetari Mirsad Krasniqi, sipas të cilit edhe vërejtja e z. Daniel Server është shumë e qëlluar. “Reagimin e z. Server e konsideroj si shumë të drejtë dhe shumë alarmues, sepse njeriu po na tregon që shkëmbimi apo korrigjimi i territoreve që ka dalë si tezë, është shumë i rrezikshëm, sepse me këtë hapet ajo Kutia e Pandorës dhe për ne me siguri do të ishte në opsion shumë i pafavorshëm, aq më tepër ky alarm është serioz kur na vjen nga një njohës shumë i mirë i zhvillimeve politike dhe ushtarake ballkanike dhe evropiane, por zhvillimet në Ballkan për më tepër i njeh si i thonë fjalës krejtësisht në gishta. Nëse kjo temë vjen nga frika prej Gjykatës Speciale, ku njeriu mendon se duke qenë “bashkëpunues”, duke bërë koncesione të dëmshme kundër vendit të vet, do të shpëtojë nga Specialja, por unë them se nuk ka se çka i duhet ajo nëse njeriu është i pastër edhe ashtu do të shpëtojë nga ato akuza, por nëse del që nuk është i pastër konsideroj që nuk e shpëton as ky variant i kompromisit, prandaj nuk ka asnjë arsye askush që ta dëmtojë vendin e vet”, theksoi Krasniqi. Kundër këtij opsioni të rrezikshëm, që ka mbetur deriçkë e hapur që nga Konferenca e Rambujesë, është edhe qytetari tjetër, Shefki Muqolli.”Lidhur me këtë çështje, unë mendoj që prej kohësh janë duke u trajtuar tema nga më të ndryshmet, por që asnjëherë qytetari nuk ka qenë i sigurt për atë çka është biseduar dhe nuk po e di akoma se çka në realitet po zihet, çka po përgatitet dhe prej kujt po përgatitet. Ne si qytetarë vërtet e kemi humbur besimin në këta udhëheqës. Ne kemi pritur që këta udhëheqës do të jenë më transparentë, do të ulen një ditë të gjithë e do të bisedojnë më seriozisht për fatin e Kosovës, por sa po shoh unë këtu vetëm individualisht, secili prej tyre, ka politikë të veten, e cila me siguri neve ka me na sjell dëme të mëdha, të pariparueshme, për arsye se kështu nuk veprohet dhe nuk ndërtohet shteti”, theksoi ai.