Populiste e për përfitim të elektoratit po vlerësohen subvencionet e Qeverisë – kërkohet shpenzim transparent
Populiste i ka quajtur Partia Demokratike e Kosovës shpërndarjen e parasë publike, duke iu referuar ndarjes së mjeteve nga Qeveria për subvencionimin e energjisë e masa të tjera.
Ndërsa njohësi i rrethanave ekonomike në vend, Erton Bega, i quan metoda për të përfituar elektoralisht, raporton Ekonomia Online.
Ata kanë kërkuar që paraja publike të mos shpenzohet kesh por në mënyrë transparente.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka shprehur kritikën e tij për mënyrën se si po shpërndahen mjetet.
Ai shpreson që Qeverisë të mos i mbesin suficit mjetet siç ndodhi vitin e kaluar, teksa kërkon shtim të dinamikës në realizimin e investimeve kapitale.
“Do duhej dhe është koha e fundit që Qeveria të reflektojë sa i përket çështjes së menaxhimit të parasë publike dhe po shpresoj dhe besoj që ky vit nuk do duhej që Qeverisë në portofolin e saj t’i zë suficit siç ishte vitin e kaluar me 700 milionë euro. Kërkoj nga Qeveria që të jetë shumë më azhure në investime kapitale dhe në dinamiken e realizimit të investimeve kapitale. Po kërkoj që paratë të jenë të shpenzuara jokesh siç po ndanë me anë të paketave por të jenë me transparencë dhe duke përfillur legjislacionin në fuqi. Besoj se Qeveria tashmë i ka shifrat krahasuese për disbalancën në mes eksportit dhe importit dhe duhej të kemi një paketë legjislative që ta ndryshojë këtë gjendje ekonomike të vendit”, thotë Shala.
Shala është skeptik se Qeveria Kurti do të ndryshojë mënyrën e qeverisjes, e sidomos në çështje ekonomike.
Shala ka thënë se kjo Qeveri po mbijeton nga krizat e ndryshme, teksa përmend aferën e rezervave shtetërore.
“Definitivisht ne jemi shumë të pakënaqur dhe kemi dhënë shumë herë rekomandime që duhet të ndërpritet kjo praktikë e menaxhimit të parasë publike dhe e buxhetit, megjithatë ne nuk presim që kjo Qeveri në këtë relacion tash për tash të ndryshojë. Fatkeqësisht është duke mbijetuar me anë të krizave, fatkeqësisht është duke mbijetuar me anë të hapjes së problematikave diplomatike, krizave të sigurisë apo duke sulmuar mediet apo aferat tjera dhe fatkeqësisht ne kemi shpërfaqje të një keqqeverisje dhe në kuptimin e keqpërdorimit klasik financiar, duke llogaritur rezervat shtetërore, krizën energjetike, aferat tjera korruptive e kështu më radhë”.
Ndërsa njohësi i rrethanave ekonomike në vend, Erton Bega, i ka quajtur populliste masat e marra së fundi nga Qeveria për subvencionimin e faturave të energjisë eklektike për grupe të caktuara shoqërore.
Ai tha Ekonomia Online se duhet të bëhet kujdes në ndarjen e këtyre subvencioneve pasi taksat i paguajnë të gjithë qytetarët e Kosovës dhe nuk mund të ndahen subvencioneve vetëm për grupe të caktuara.
“Qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme në ndarjen e subvencioneve për energjinë elektrik, pasi që masat e fundit të cilat i kanë ndërmarrë për subvencionimin çoftë të pajisjeve, supozohet që kanë shpenzime më të ulëta të energjisë eklektike, më shumë më duken si masa populliste sesa që do të kenë efekt në uljen e konsumit të energjisë elektrike, në anën tjetër kemi tash edhe masën e fundit e cila ka të bëjë me subvencionimin e faturave të energjisë elektikrike për grupet shoqërore të cilat kanë të hyra më pak se 150 euro, për anëtar të familjes”, tha Bega.
“Kur të bëjë subvencionime duhet të kemi shumë kujdes se si e menaxhojmë buxhetin e shtetit sepse këto janë taksa të cilat i paguajnë të gjithë qytetarët e Kosovës dhe Qeveria nuk mund ta kthej buxhetin e shtetit në një mënyrë të tillë me të cilën vetëm grupet e caktuara sociale u dërgon ndihma, pastaj kjo do t’i vendoste shtresat sociale në kushte të pabarabarta të jetesës, sepse maste të cilat do të merren do të jenë të analizuara mirë dhe subvencionet duhet të shkojnë tek ato familje të cilat kanë me të vërtetë nevojë sepse nëse vazhdohet në këtë frymë atëherë edhe angazhimi në tregun e punës nuk do të jetë më interesant sepse do të tentojnë individët që të punojnë në punë informale, të padeklaruar në mënyrë që të përfitojnë nga këto subvencionime, kështu që duhet të ketë shumë kujdes sepse duket në një përshtypje të përgjithshme që po shfrytëzohen si masa populliste për të ndikuar në mirëmbajtjen e elektoratit”.
Sipas tij, kjo do të përdoret për përfitime elektorale. Begaj tha se kjo do të ndikojë negativisht edhe në tregun e punës, sepse shumë punëtorë do të punojnë joformalisht për të përfituar edhe nga subvencionet.
“Masat qeveritare që ndërmerren në çdo fushë kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarit, për rrjedhojë mund të kenë edhe ndikim në mirëmbajtjen e grupeve të interesit që kemi të bëjmë më interesat e partive politike për tu mbajtur votat dhe për të përfituar elektoralisht”.
“Prandaj shteti duhet të jetë serioz dhe Qeveria duhet të ketë parasysh shumë faktor kur vendos sepse nëse vazhdohet me masa të tilla subvencionues atëherë mund të ndikoj negativisht në tregun e punës sepse shumë qytetar do të obligohen që të punojnë ‘në të zezë’ me qëllimin që të përfitojnë edhe nga subvencionet të cilat i jep edhe qeveria, sepse subvencionimi i tanishëm prej një familje mesatare prej 5 anëtarëve, nënkupton që duhet të ketë të hyra më pak se 750 euro, një familje e cila mund t’i ketë të hyrat 900 euro, që punojnë dy persona, atëherë njëri nga ta mund të synoj që të dal në treg jofrormal dhe për rrjedh të përfitoj nga masat e subvencionimit prandaj thash edhe një herë me këto masa duhet të jenë shumë të kujdesshëm sepse kjo mund të sjellë efekte negative, si pasojë e dëshirës për të përfituar subvencionimin të cilin e ndan shteti”.