KKVITI

Politizimi i festave fetare në Bujanoc

/ 2 minuta lexim
KKVITI

Viteve të fundit, sheshi i qytetit të Bujanocit, është bërë një arenë e garave të manifestimeve spektakulare fetare të Bashkësisë Islame dhe të asaj ortodokse, të cilat nuk kanë kaluar pa u veshur edhe ngjyrime politike.

Këto festa tradicionale fetare, nuk kanë qenë kurrë më të politizuara se tani. Ato dalëngadalë po kthehen në tubime masive, duke shfrytëzuar qendrën e qytetit të Bujanocit, vendin më të përshtatshëm për t’u reklamuar dhe argëtuar.

Shembull konkret kemi Natën e Dushkut, festën e Natës së Krishtlindjeve (Badnje Veçeri) në sheshin e qytetit të Bujanoc, e cila nuk mbahet mend, të ketë pasur më shumë njerëz, këngë, valle e argëtime.

Nën tingujt e muzikës, rakisë dhe pogaçës 30 kilogramshe të përgatitur enkas nga Kryqi i Kuq Komunal, nuk munguan as këngët me tone nacionaliste: “Kosova është zemra e Serbisë”, “Kush thotë e kush gënjen se Serbia është e vogël ?!” e ovacione te tjera, të cilat sollën edhe provokimin e qytetarëve e natyrisht edhe iritimin e tyre.

Organizatorët e këtyre manifestimeve fetare pompoze, spektakulare e megalomane e bëjnë natyrisht disa njerëz për përfitime politike, material dhe propagandistike dhe revanshiste.

Eco Higjiena

Ky manifestim kaq i madh i serbëve lokal të Bujanocit me rastin e festave të Krishtlindjeve erdhi si rezultat revanshizimi ndaj festave fetare të Bashkësisë Islame, të cilat organizimin e Iftarit madhështor, këto vitet e fundit, po e organizojnë në ambient të hapur në qendër të qytetit në Bujanoc dhe Preshevë.

Nëpër këto iftare të sponsoruara nga disa organizata brenda dhe jashtë vendit ftohen të gjithë qytetarët të marrin pjesë nën qiell të hapur, për tu solidarizuar me muajin e shenjtë të Ramazanit.

Askush nuk është kundër këtyre fetave fetare tradicionale, shumë të çmuara dhe të dobishme për njerëzit e besimeve të ndryshme, por ato nuk duhet të manipulohen e keqpërdoren për qëllime të caktuara politike e profitabile .

Po e mbyllim këtë opinion me një fjalë të urtë popullore “Qeni i keq ta sjell arushën te dera”, apo me mirë “Mos e prek arushën aty ku nuk duhet!/jetapress/