ARKATANA

Politikanët zhvatës ia humbën shpresën popullit

/ 10 minuta lexim
Fundamenti

Duke parë zhvillimet e fundit pas zgjedhore të balotazhit të 19 nëntorit dhe matrapazllëqet që po bëhen nga politika në përpjekje të kriminalizimit të votës së lirë qytetare, analistët vlerësojnë se kjo është një dëshmi e madhe që flet se politika kosovare realisht është vetëm një politikë e pazareve, ku pushteti është thelbësori e jo interesi publik. Sipas tyre, politika kosovare është shndërruar vetëm në betejë për pushtet dhe se secila parti që vjen në pushtet ka qëllimin e forcimit të klientelave, zhvatjen e popullit e shërbimin e plotë për mafio-oligarkët, e jo mirëqenien e qytetarëve.

Mbizotëron bindja e plotë se tani të gjitha partitë politike, pa dallim, luftojnë që në çdo mënyrë të marrin pushtetin në nivelin lokal apo atë qendror, ekskluzivisht për interesa personale dhe përfitime materiale e kriminale në shërbim të mafio-oligarkëve sesa për të mirën e popullit. Kjo tregon se derisa krimi i organizuar dhe nëntoka të udhëheqin shtetin nga nëntoka nuk ka perspektivë për qytetarët dhe shpë- timin do ta kërkojnë duke ikur larg Kosovës. Analisti politik Ymret Reshiti pohon se partitë politike kosovare angazhimet e tyre politike i kanë fokusuar vetëm në një drejtim, në atë të realizimit të interesave të tyre profitabile.”Partitë politike në Kosovë për tërë këto vite rresht çdo ditë përmendin qytetarin, ndërsa kur e marrin qeverisjen e vendit punojnë për xhepat e tyre. Kjo është një demagogji e ulët dhe përbuzje që i bëhet popullit qytetarëve të Kosovës, të cilët me vite e shekuj kanë vuajtur nga politikat e tilla antidemokratike dhe shoviniste”, u shpreh ai.

Pasurimi përmes korrupsionit dhe krimit

Sipas Reshitit, qasja e partive politike të Kosovës ndaj qëllimeve që duan të arrijnë në politikë është kryekëput mafioze dhe autokratike.”Partitë politike kosovare kur e marrin pushtetin nuk duanë që qeverisjen të ndajnë me qytetarët – popullin, por ata qeverisjen e ndajnë me grupet oligarkiste dhe klienteliste. Edhe pse Kosova është shtet demokratik sipas kushtetutës, në realitet qeveriset nga autokracia, të cilën e përbëjnë grupi i mafisë politike dhe oligarkët. Koalicionet e panatyrshme dhe lufta e ashpër për të marrë pushtetin tregojnë më së miri qëllimet e vërteta të partive politike kosovare, e që është pasurimi i tyre përmes korrupsionit dhe kriminalitetit”, vlerësoi ai. “Qytetarët e Kosovës tash e sa vite shfrytëzohen politikisht nga partitë politike gjatë fushatave parazgjedhore, duke i mashtruar me “premtime të majme” vetëm sa për t’iu zhvatur votën e tyre, e pastaj jo që i vizitojnë më qytetarët, por edhe i harrojnë deri në zgjedhjet e reja. Ky mentalitet dhe kjo strukturë e partive politike të Kosovës është “kancer” për demokracinë e brishtë kosovare dhe për zhvillimin e gjithanshëm të shtetit. Mirëqenia e qytetarëve të Kosovës ka vdekur dhe si shpëtim të vetëm qytetari i Kosovës po e sheh ikjen nga atdheu”, vijoi më tej Reshiti. “Qytetari i Kosovës i zhgënjyer tej mase nuk ka shpresë që të qëndrojë në Kosovë dhe ta luftojë të keqen që politikanët ia bëjnë vendit”, potencoi ai.

Interesi publik, i shkelur

Fatkeqësisht, politika kosovare, siç është vërejtur edhe deri më tani në të gjitha fushatat zgjedhore, po dëshmon se realisht ajo është vetëm një politikë e pazareve dhe mbi të gjitha për to pika kryesore mbetet pushteti e jo interesi publik i qytetarëve të Kosovës. Ky është gjykim edhe i Gani Qarrit.”Me këto veprime vërehet pikërisht se politika është shndërruar vetëm në betejë për ngritje në pozita udhëheqëse dhe secila parti që vjen në pushtet, ka për qëllim jo një jetë më të mirë për banorët e këtij vendi, por forcimin e klientelave partiake, zhvatjen e njerëzve të thjeshtë dhe vënien pa asnjë rezervë në dispozicion të shërbimeve sa më të plota e komode për mafio-oligarkët tashmë të njohur”, u shpreh ai.”Madje edhe është tejet karakteristike se si pothuajse të gjitha partitë pa dallim, përpiqen vazhdimisht dhe në çdo mënyrë që ta marrin pushtetin, jo vetëm në nivel qendror, por edhe në atë lokal, të cilat për interesa individuale e përfitime materiale të partive të tyre, nuk hezitojnë të bashkëpunojnë as me krimin e organizuar dhe të vihen hapur në dispozicion të mafiooligarkëve”, theksoi Qarri.

Ndërsa analisti politik Skënder Kapiti pohon se fatkeqësisht edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë demokracia, kapitalizmi, drejtësia dhe pushtetet, si ai qendror dhe ai lokal, janë të korruptuara dhe të kriminalizuara dhe se politika e pandershme dhe amorale punon dhe ka si qëllim vetëm pushtetin, prandaj ata që vijnë dhe zëvendësojnë para ardhësit e tyre në pushtet sillen dhe veprojnë njëlloj kundër interesit publik.”Politika dhe politikanët shqiptarë janë diskredituar aq shumë saqë askush nuk ka më besim tek ata. Partitë politike kosovare kanë degraduar dhe janë aktorët kryesorë prej të cilave ka degraduar tërë sistemi demokratiko-ligjor. Votuesi kosovar është i tradhtuar prej tyre, por nuk ka se çfarë të bëjë më mirë, pasi ai me votë gjithnjë po e ndëshkon politikën e krimit dhe të korrupsionit, por nuk është faji i popullit që si do që të votojë dhe të zgjedhë populli, në pushtet pavarësisht ndërrimit të tij, çdo parti apo koalicion që merr pushtetin sillet njësoj apo më keq akoma sesa paraardhësi i tij”, tha Kapiti për “Kosova Sot”.

Elitë e papërgjegjshme

Fundamenti

Edhe Skënder Mulliqi tha për “Kosova Sot” se zgjedhjet e parakohshme nacionale edhe zgjedhjet e fundit lokale treguan së partitë shtetformuese janë të interesuara që t’i realizojnë më shumë interesat e grupeve të caktuara politike përfituese sesa interesat e qytetarit.

Ai thotë se kjo mund të faktohet më së miri me koalicionet joparimore që po bëhen pikërisht për qëllime të tilla meskine.”Njerëzit e kësaj elite politike u treguan të pandërgjegjshëm dhe pa moral politik. Këta u futën në ujëra të ndyta, duke u shërbyer me metoda të pandershme që të pasurohen. Krijuan biznese të mëdha, bënë privatizim të pronës shoqërore më shumë për veti, bënë edhe uzurpime të tjera, të cilat e prunë gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale në Kosovë. Qarqet politiko-financiare futën në kontroll çdo vlerë dhe çdo sistem të jetës dhe të punës. As në zgjedhjet e fundit nacionale e lokale nuk pamë pastrim të listave nga elementet e inkriminuar në krim dhe korrupsion, siç e kërkuan këtë gjë edhe miqtë tanë ndërkombë- tarë”, u shpreh ai.

Ndërsa analisti politik Dardan Grapci thotë se për fatin e keq të qytetarit të Kosovës politika kosovare gjithmonë ka qenë një politike e pazareve që nga viti 2000, por këtë qytetarët e Kosovës me vonesë e kanë vërejtur, prandaj shumë skandale nga politikanët dhe pushteti po ndodhin, saqë ua ka mbyllur sytë interesi vetanak sesa publik. Sidoqoftë ai thotë se nuk është e drejtë që të gjitha partitë politike të futen në një thes duke u parë vetëm nga këndi negative. “Personalisht nuk e besoj që të gjitha partitë politike pa dallim e kanë qëllimin e marrjes së pushtetit vetëm sa për ta zhvatur popullin dhe sa për ti mbushur xhepat e tyre me paret e ndyra dhe të popullit, sepse unë besoj që ka parti që ia duan të mirën këtij vendi dhe këtij populli, por mendoj që frika se mos po u ndodhë diçka nga partitë pozitare dhe parti të mëdha që janë opozitare,sepse partitë politike të cilët mendojnë pozitivisht janë duke heshtur, deri në momentin kur e shohin që popullit iu ka ardhur shpirti deri te hunda nga këto keqpërdorime të politikanëve dhe pushtetit aktual. Gjithashtu për me pas sukses luftimi i pazareve politike nga pushteti, duhet të luftohet krimi i organizuar në Kosovë, derisa kjo nuk merr fund , shpresa e vetme është dalja e një partie të re në skenë”, tha Grapci për “Kosova Sot”.

Humbja e besimit

Shumë kritik është edhe analisti Mustafë Kadrijaj. Ai thotë se politika kosovare është zhytur deri në atë masë që nuk ka vend për optimizëm që do të ketë ndryshim për të mirë. “Nëse kthehemi në retrospektivë. ky popull më shumë ka besua që do të çlirohet nga Serbia sesa nga kjo klasë e inkriminuar në afera korruptive me pasuri që nuk i arsyetojnë, po ashtu edhe me një opozitë që aspak nuk është kontribuuese, por me disa kauza që nuk kanë perspektivë për Kosovën, por po mbijeton duke prekur anën emocionale nga ana kombëtare, që në realitetin ballkanik zënë vend ende këto pseudo kauza”, u shpreh ai. “Kjo klasë politike aq shumë e ka varfëruar qytetarin që për fat jo të mirë është i pafuqishëm që të protestojë për reduktime të energjisë elektrike dhe duke e shtrenjtuar çdo ditë dhe aq më keq edhe duke bartur faturën e minoritetit serb në veri, qytetari nuk ka guxim të protestojë për infrastrukturë më të mirë për ambient më të mirë që çdo ditë Kosova po betonohet. Tani çdo i dyti qytetar tenton dhe mendon që të ikë nga Kosova, por kjo elitë e korruptuar ka bërë që Evropa të ndërprenë liberalizimin e vizave”, tha Mustaf Kadrijaj.

Ndërkohë analisti Ali Hertica tha se të gjitha matrapazllëqet që po I dalin në shesh kësaj kaste politike flasin se si kjo klasë politike vetë po i rrezikon edhe themelet e shtetit, derisa qytetari po kërkon rrugë t’ia mësyj botës. “Tani shtetit i Kosovës është duke shkuar drejt një destabilitei politik në të gjitha nivelet në shoqëri dhe të vetë qytetari, duke përdorur metodat më të tmerrshme të cilat po e degradojnë thellësisht jetën qytetare, ngase pazaret për pushtet janë thuajse temat thelbësore të kësaj kaste politike”, potencoi Hertica. Sipas tij, i gjithë spektri politik tani po jep shenja të reflektimit se është vetëm për ta shtuar dhe zhvilluar betejën me të gjitha mjetet e ndryshme nga më të pistat për ta marrë pushtetin, qoftë edhe duke i diskredituar subjektet e tjera politike më serioze.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.