United Hospital

Politikanët si sulltanët, po e zhbëjnë Republikën

/ 8 minuta lexim
Hidromorava

Republika e Kosovës, ndonëse gjeografikisht në zemër të Evropës demokratike, është një shoqëri akoma e pareformuar dhe jo e dekriminalizuar, në të cilën politikanët tanimë të inkriminuar për këto 18 vjet në pushtet, kush më shumë e kush më pak, kush në nivelin lokal e kush në atë qendror, duan të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet, nga i cili pasurohen duke zhvatur dhe duke kontrolluar e duke plaçkitur gjithçka, duke bërë kështu hallkën kryesore të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

KOSOVA DUHET TË ÇLIROHET NJËHERË E MIRË NGA ZHVATJA

Vendit i duhet gjeneratë e re politike dhe qeverisje në shërbim të qytetarëve

“Të gjitha grupacionet në krye të pushtetit i ka bërë bashkë kauza që me çdo kusht t’i mbrojnë interesat biznesore të pista dhe t’i mbrojnë pozitat në pushtet. Madje, edhe qytetarët, një masë të tyre të konsiderueshme, i kanë shndërruar në “servilë” të tyre dhe asgjë më shumë. Kështu e kanë shndërruar Kosovën në sulltanat, sikur të ishte pronë e tyre private”, theksoi Skënder Mulliqi për “Kosova Sot”

Republika e Kosovës, ndonëse gjeografikisht në zemër të Evropës demokratike, është një shoqëri akoma e pareformuar dhe jo e dekriminalizuar, në të cilën politikanët tanimë të inkriminuar për këto 18 vjet në pushtet, kush më shumë e kush më pak, kush në nivelin lokal e kush në atë qendror, duan të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet, nga i cili pasurohen duke zhvatur dhe duke kontrolluar e duke plaçkitur gjithçka, duke bërë kështu hallkën kryesore të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Akoma janë të njëjtët njerëz që udhëheqin dhe nuk lënë të qarkullojnë elitat intelektuale të punës e biznesit të pastër, duke i bllokuar në të gjitha segmentet e jetës. Analistët konsiderojnë se pothuaj të gjitha partitë politike, pa dallim, që nga momenti që po e marrin pushtetin, qoftë në nivelin lokal apo qendror, po sillen si shefa dhe si ish-“sulltanët “sundues të këtij populli dhe vendi të mjerë e të pazot. Kjo klasë e inkriminuar politike, akoma nuk është e gatshme ta kuptojë se shteti u takon vetëm qytetarëve dhe ata duhet të jenë vetëm shërbyes të tyre. Për të thyer këtë monopol kriminal politik, analistët konsiderojnë se është koha që të fillohet të organizohen elitat intelektuale dhe të punës e bizneseve të rëndomta, në mbrojtje të të drejtave qytetare, të punës dhe të biznesit të pastër e të ligjshëm, kundër këtyre mafio-oligarkëve të inkriminuar, për t’i larguar me votë nga pushteti, por edhe me ligje të dekriminalizimit e të “Vettingut”, duke pastruar të gjitha institucionet e shtetit nga të gjithë të inkriminuarit.

United Hospital

Pushtetarë zhvatës

Politologu Gurakuq Kuqi, drejtor në Institutin për Studime Politike dhe Mediale, thotë se ky lloj uzurpimi i skenës politike vjen si pasojë e situatës në të cilën vetë zhvillimi i sistemit politik në Kosovë ka filluar paksa me vonesë, për dallim nga vendet e tjera, që kanë kaluar tranzicion më të hershëm, shoqëror, ekonomik e politik, dhe pothuajse pas lufte Kosova është gjetur në situatë sikur të mos kishte fare trashëgimi politike dhe institucionale. Kjo gjendje e vonuar u ka shërbyer më së miri për të mbajtur monopol në politikë disa grupimeve të caktuara, klanore e politike. “Kjo pasi pas lufte ishte interesi i disa klaneve dhe individëve që zhvillimi politik, ekonomik dhe shoqëror në Kosovë të bëhej nëpërmjet besimit tek individi dhe jo tek institucionet. Pasi në këtë mënyrë pushteti do të ishte autoritar, i kapur, pasi do të mund të kontrollohej nga një grup njerëzish, ku gjithçka duhet të kalojë nga duart e tyre. Andaj, këto pasoja po vazhdojmë që ne qytetarët e Kosovës t’i vuajmë, pasi pushteti nuk po buron nga legjitimiteti, por nga njerëzit dhe klientela e tyre që e kanë kapur shtetin dhe shfrytëzojnë mjetet e pushtetit për të mbajtur pozita, zhvatje të parave publike, bizneseve, moszhvillimin demokratik e ekonomik dhe gjithçka tjetër”, u shpreh ai. “Kastave dhe partive politike u konvenon një gjendje e tillë dhe jo rendi politik, kushtetues dhe institucional. Sepse, rendi do të krijonte edhe rregull social ku më nuk mund të kalkulohet me interes personal dhe klanor kriminal, por me llogaridhënie, përgjegjësi, përfaqësim dhe politikëbërje”, theksoi Gurakuq Kuqi për “Kosova Sot”.

Piramida kriminale

Edhe analisti politik Hidajet Ahmeti konsideron se piramida kriminale e ndërtuar për më shumë se një dekadë ka funksionuar falë hierarkisë institucionale, e cila është instrumentalizuar nga politika. ” Politika, saktësisht pushtet e pasluftës, kanë instrumentalizuar çdo institucion publik të pavarur, duke transformuar në shërbim të klienteles, nepotizmit e klientelizmit. Kjo logjike e instrumentalizimit politik përmes pushteteve të pasluftës ka prodhuar një gjendje të rëndë socioekonomike, e mbi të gjitha një anarki totale në institucionet publike. Nga ky kaos i funksionimit të institucioneve publike është prodhuar një realitet i pajetueshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës, i cili realitet çdo ditë e më shumë po ngufat jetën institucionale, ekonomike e sociale”, u shpreh Ahmeti. Sinjal për ndryshimin e mirë në vetëdijen qytetare, për mbështetjen e mundshme të opsioneve të reja politika, ai beson se janë zgjedhjet e 11 qershorit, edhe pse ato nuk bënë një “revolucion” që do të duhej të ndodhte. “Kjo është rruga më e mirë e disiplinimit të partive politike, e në veçanti të politikanëve karrieristë, të cilët jashtë kornizës së interesave personale, nepotike e klienteliste nuk shohin më larg. Prandaj, pushteti me çdo kusht, duke zgjedhur metoda, korrespondon me lirinë dhe vazhdimin rrugës së krimit, kurse humbja e pushtetit për ta korrespondon me humbjen e lirisë, pasurisë së paligjshme dhe përfundimin e rrugës së krimit. Nuk është problem pse e humbin pushtetin, por me humbjen e pushtetit njëkohësisht shembet edhe piramida e krimit, e ndërtuar për më shumë se një dekadë”, ka potencuar Ahmeti. “Është imperativ i kohës që brenda një qëllimi të përbashkët të bashkohen intelektualë të të gjitha fushave dhe vendin ta nxjerrin nga kjo katrahurë, e cila çdo ditë e më shumë po thellohet. Kurse politikanët dhe të gjithë zyrtarët, të cilët kanë abuzuar më pushtetet e tyre e me paranë publike të vuajnë dënimin e merituar dhe përfundimisht shteti të vendoset në binarët e duhur”, tha Hidajet Ahmeti për “Kosova Sot”.

Shteti u përket qytetarëve

Nevojën e ndryshimit në mentalitetin e të menduarit dhe gjykuarit të kësaj klase politike, por edhe nevojën e daljes në sipërfaqe të një elite të re, e sheh domosdoshmëri edhe analisti Arsim Haziri. “Klasa politike do ta kuptojë se shteti u përket vetëm qytetarëve, kur të ndëshkohen ata. Kur kuptojnë ndëshkimin e mundshëm ata fillojnë të ndryshojnë qasje, dhe tërë politikat e sjelljet e tyre i vejnë në funksion të së mirës së përbashkët. Mirëpo, aktualisht skena politike është e pandërgjegjshme, dhe kjo mënyrë negative gjithnjë vjen edhe duke lëshuar shansin në relacion me qytetarët, duke pasur në konsideratë mosndëshkimin më të ashpër qytetar”, u shpreh ai. “Kur qytetarët nuk i ndëshkojnë politikanët për çfarëdo veprimi antiqytetar, politikanët ndihen komodë dhe kësisoj fillojnë të mos e kenë në konsideratë trupin qytetar ashtu edhe nevojat e tyre. Politika, ashtu edhe qasja e saj, ndryshon kur ndërron mendimi qytetar karshi saj, kur të vihet në dispozicion akti ndëshkues, fillon të ndryshojë qasje edhe pozicioni politik”, tha Arsim Haziri. Mirëpo, kjo fazë tranzicionale e ndryshimit të tillë në gjykim dhe veprim qytetar akoma po vonon, sipas tij, derisa politika vazhdon avazin e vjetër. “Një perceptim më i drejtë i qytetarëve në raport me politikën, prodhon vetëdije më të drejtë politike, dhe një vetëdije më të lartë politike, dhe të dyja së bashku ndikojnë në prodhimin e një mendësie më qytetare në kuptimin e qeverisjes”, potencoi Haziri për “Kosova Sot”.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.