Uji Dea

Politikanët me ndikim fshihen pas pompave të benzinës

/ 9 minuta lexim
Eco Higjiena

Tregtia e naftës në Kosovë mbetet e mbuluar nga dyshimet për veprimet mafioze ku politika është si mburojë mbrojtëse, sepse ka përfitimet e saj të majme. Ekspertë dhe deputetë të opozitës shfaqin habinë se si është e mundur që Prokuroria e Kosovës nuk ka hapur as edhe një rast të vetëm dhe të zbardhë atë që të gjithë e dinë se cilat figura të larta politike dhe shtetërore, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, ka dyshime të mëdha se qëndrojnë fshehtas, prapa kompanive të mëdha të derivateve të naftës në Kosovë.

Këto biznese për çdo vit ndaras sjellin në Kosovë secila me nga mbi 5 000 cisterna ose nga 150 milionë litra naftë e benzinë me nga një qarkullim prej mbi 200 milionë euro. Nga analistët dhe njohësit e kësaj fushe vlerësohet se në Kosovë të gjitha kompanitë e naftës i kanë bashkë-aksionarë, gjegjësisht pronarë të vërtetë dhe shefa, politikanët e nivelit të lartë, duke filluar që nga Presidenca, Kuvendi Qeveria. Ndërkohë, organet e zbatimit të ligjit vazhdojnë të heshtin e të mos hetojnë asgjë, pavarësisht dyshimeve të forta për lidhjet e politikës me biznesin e kontrabandën, e mafinë dhe krimin. Me gjithë pyetjet e gazetarit të dërguara në adresën elektronike se çka mendon Prokuroria e Shtetit se kush janë “padronët” ose pronarët e vërtetë që po sundojnë “arin e zi” në Kosovë, Prokuroria nuk ka dhënë përgjigje për gazetën.

Të gjitha partitë, të zhytura në abuzime

Ndërsa, ligjëruesi universitar Nehat Maxhuni, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se realisht heshtja e prokurorisë është e pakuptimtë, ngase Prokuroria e Shtetit ka qenë dashur që të merret edhe me ndriçimin e pronarëve të vërtetë në këto raste, sepse politikanët tanë, që deri pas lufte nuk kanë pasur bukë të mjaftueshme, ndërsa tash janë pronarë të pronave dhe objekteve milionëshe. “Prandaj, kjo është arseja se përse prokuroria duhet që të merret me zbulimin e shumë pronarëve të objekteve ku prapa tyre qëndron presidenti i Kosovës me vëllezërit e tij, ose pasurisë së disa zyrtarëve dhe deputetëve edhe të VV-së, por edhe të partive të tjera”, u shpreh ai. “Është i drejtë vlerësimi dhe dyshimi i qytetarëve tanë, sepse që nga pas lufta dhe deri më sot gjithmonë është folur dhe përfolur se prapa kompanive të mëdha të biznesit me derivate nafte qëndrojnë politikanë të fuqishëm, të cilët paratë e tyre i kanë investuar në këto kompani, përfshirë edhe kompanitë e derivateve të naftës. Prandaj, përderisa për një gjë të tillë flitet, për mua edhe kjo është e mundshme, sepse ku ka tym ka edhe flakë, siç thotë një proverb popullor, atëherë shumë është e mundur dhe reale një gjë e tillë ku prapa kompanive qëndrojnë politikanë të këtij vendi”, vijoi më tej Maxhuni. Sipas tij, politikanët tanë të korruptuar kanë krijuar pasuri për të cilat po qe se prokuroria do të merrej seriozisht, ky popull dhe ky vend i mjerë do të shpëtonte.

Pushtetarët udhëheqin nën hije kompanitë shumëmilionëshe

Analisti Bislim Aliu, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se vërtet është për keqardhje që Prokuroria e Kosovës, gjer më tani, nuk ka hapur edhe një rast të vetëm dhe ta zbardhë atë se kush janë bosët e vërtetë të kompanive të derivateve të naftës. “Që të gjithë e dinë, se shumë figura të larta politikë dhe shtetërore, si në pozitë, ashtu edhe në opozitë, qëndrojnë fshehurazi, por besa edhe realisht prapa kompanive të mëdha të derivateve naftës në Kosovë, të cilat për çdo vit ndaras sjellin në Kosovë, secila me nga mbi 5000 cisterna, ose nga 150 milionë naftë e benzinë, me nga një qarkullim prej rreth mbi 200 milionë euro”, u shpreh ai. “Nuk ka asnjë dyshim se në Kosovë, të gjitha kompanitë e naftës i kanë bashkë-aksionarë, gjegjësisht pronarë të vërtetë dhe shefa politikanët e nivelit të lartë, që nga Presidenca, Kuvendi, Qeveria, sepse, edhe pse 19 vjet pas luftës, politikanët tanë po vazhdojnë që të udhëheqin këto kompani nën hije dhe të fitojnë për çdo vit nga disa dhjetëra milionë euro, duke e kontrolluar dhe duke e mbajtur të ‘zaptuar” e të sunduar, tregun e superkontrolluar, me kontrabandë, si t’ua dojë zemra e xhepi, dhe kontot e mbushura bankare, në vend dhe sidomos jashtë vendit”, potencoi Aliu.

MALOKU: BIZNESI ËSHTË NË KTHETRAT E MAFIO-POLITIKANËVE

Ndërsa, afaristi Ramadan Maloku, anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për gazetën “Kosova Sot”, tha se nuk ka asnjë fije dyshime se është një e vërtetë e hidhur, sepse politikanët tanë më të lartë të shtetit nuk qëndrojnë vetëm prapa kompanive të derivateve të naftës, por edhe prapa çdo kompanie tjetër që është fitimprurëse. “Kjo, sepse kjo dukuri e implikimit të politikanëve në këtë biznes filloi menjëherë pas përfundimit të luftës dhe si e tillë është për keqardhje situata ku kemi ardhur. Prandaj, kjo edhe bëri që shumë nga politikanët tanë paratë e zhvatura nga tenderët milionësh t’i investojnë në shumë kompani të derivateve të naftës. Ajo çfarë më befason, është fakti se si është e mundur që Prokuroria e Kosovës nuk ka hapur as edhe një rast të vetëm dhe të zbardhë atë që të gjithë e dinë se cilat figura të larta politike dhe shtetërore qëndrojnë fshehtas, por edhe realisht prapa kompanive të mëdha të derivateve të naftës në Kosovë”, u shpreh Maloku.

KKVITI

HALIMI: GATI DY DEKADA ZHVATJE

Eksperti i ekonomisë Sejdi Halimi, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se tash e 18 vjet pas luftës, pushtetarët tanë pa asnjë frikë po vazhdojnë që të udhëheqin nën hije kompanitë e derivateve dhe fitojnë për çdo vit me dhjetëra miliona euro duke e kontrolluar dhe duke e mbajtur të zaptuar e të sunduar tregun e derivateve, duke mbushur kontot me para. “Vërtet është për t’u habitur se si është e mundur që Prokuroria e Kosovës deri më sot nuk ka hapur madje as edhe një rast të vetëm që të zbardhë atë që të gjithë e dinë se janë njerëzit dhe figurat e larta politike dhe shtetërore të Kosovës po qëndrojnë prapa kompanive të mëdha të naftës në Kosovë, duke e mbledhur “haraçin” dhe hisen e tyre si aksionarë nën hije. Nuk duhet çuditur edhe me indiferencën e Prokurorisë dhe organeve të drejtësisë fare, sepse kemi të bëjmë me një shtet të kapur në të gjitha sferat, andaj edhe organet e drejtësisë po duket tash qartë se edhe ato janë të korruptuara dhe po në të njëjtën valle me të gjitha garniturat e pushtetarëve tanë të pasluftës, ngase kjo të bën të dyshosh se edhe prokurorët e kanë hisen e vet të kulaçit nga biznesi milionësh me ‘arin e zi’.Pra, kjo edhe është arsyeja se përse në Kosovë thuajse gati të gjitha kompanitë e mëdha të naftës i kanë bashkë-aksionarë, gjegjësisht pronarë të vërtetë edhe shefa politikanët e nivelit të lartë”, theksoi Halimi.

SALIHU: KUSH NUK E KA POLITIKËN PAS, FALIMENTON

Njëri nga deputetet e Kuvendit të Kosovës, që pati guxim të flasë hapur për këtë çështje, ka qenë deputeti nga opozita, Salih Salihu, që për gazetën “Kosova Sot” thotë se tashmë dihet botërisht dhe nuk ka asnjë dyshim se kompanitë e derivateve janë sektori në të cilin politikanët tanë janë hisedarë apo aksionarë të tyre. “Prandaj, sot bizneset e derivateve në Kosovë, pa e pasur përkrahjen e ndonjë pushtetari, e kanë shumë të vështirë që të mbijetojnë në këtë punë të pistë, ndërsa këtë e bëjnë duke ua dhënë pjesën e fitimit apo të kulaçit pushtetarëve tanë, prandaj kështu është edhe në sektorin milionësh të derivateve të naftës”, u shpreh ai. “Kompanitë e derivateve të naftës shumica e tyre janë këmbë e krye biznese me sundimtarët tanë të pasluftës, por e keqja është se si po e arrijnë këtë para organeve të drejtësisë, ndërkohë që prokuroria e gjykatat tona po heshtin, pasi sektori i drejtësisë po kontrollohet po nga këta pushtetarë dhe heshtja e tyre është e kuptueshme. Prandaj, kësisoj do të jetë në tregun e derivateve, derisa të largohen nga pushteti sundimtarët e korruptuar”, potencoi Salihu.

KONTRABANDA MË E MADHE ME DERIVATE

Analisti Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se kontrabanda më e madhe dhe evazioni fiskal po bëhet me derivate nafte dhe problemi kryesor është tek moszbatimi i ligjit dhe mosfunksionimin i Gjyqësorit, Prokurorisë si dhe Policisë, që nuk janë në nivel të detyrës. “Edhe nuk duhet që të habitemi me heshtjen e Prokurorisë, sepse duhet thënë troç se Policia e Kosovës dhe Gjyqësori po kanë frikë që të merren me ‘peshqit e mëdhenj’, kurse në anën tjetër ata po merren me qytetarin, i cili ndoshta po mundohet të mbijetojnë dhe të njëjtin shkojnë dhe ia ndalojnë punën ose e gjobisin. Janë kompanitë e derivateve të naftës ato që janë në Kosovë, jo vetëm që po bëjnë kontrabandë me derivate nafte duke e sjellë fshehtas në Kosovë, por ajo që është më e keqja është se pronarët pikave të shitjes së derivateve po e përziejnë me ujë dhe qytetarëve po ua shkatërrojnë veturat. Prandaj, kontrabanda me derivate nafte duhet urgjentisht të ndalohet nga Doganat e Kosovës, por do të jetë shumë e vështirë të bëhet kjo, sepse biznesmenët e inkriminuar janë të lidhur me politikanë e pushtetarë të lartë politikë, që po pasurohen pa u lodhur fare”, vlerësoi Grapci.

(Kosova Sot)