Politikanët mashtrues e rrënuan ekonominë
Biznesi në gjendje kritike, secila qeveri më e dështuar se tjetra.
Nëntoka dhe mafia udhëheqin politikat ekonomike
Që nga paslufta e deri më sot në të gjitha zgjedhjet nacionale që janë mbajtur, përfshirë edhe ato të vitit të kaluar, spektri politik ka premtuar me qindra-mijëra vende të reja pune, por edhe zhvillim të hovshëm ekonomik të vendit. Mirëpo, deri më sot zhvillimi ekonomik po mbetet vetëm një premtim i rrejshëm elektoral. Sipas analistëve, asnjë qeveri e pasluftës deri më sot nuk e ka marrë as edhe një veprim për të mundësuar një zhvillim ekonomik, duke lënë shtetin dhe komunat në duart e nëntokës kriminale të mafio-oligarkëve, të cilët janë mbi ligjin dhe mbajnë monopole për një dekadë të tërë. Analistët thonë se si të shpjegohet se çdo qeveri, si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal, zhvatën qytetarët deri në asht, u pasuruan dhe bënë milionat, ndërkaq Kosova pësoi regres ekonomik dhe jo vetëm. Sipas analistëve, janë krimi i organizuar dhe nëntoka kriminale, në bashkëkoordinim me pushtetarët në të dyja nivelet, fajtore shkaku që kemi këtë shkallë të lartë të papunësisë, të varfërisë, monopolet kriminale të mafio-oligarkëve që ua lajnë fytin pushtetarëve, kontrabandën, mosdhënia e lejeve të ndërtimit për projekte zhvillimore ekonomike në Prishtinë po qe se nuk jepet haraç, kemi mungesë të zhvillimit ekonomik etj. Njohësit e ekonomisë pyesin se cila mund të jetë e ardhmja ekonomike e Kosovës, kur për mbi 10 vjet ekzistencë, si shtet i pavarur, pësoi regres ekonomik dhe realisht të bërit biznes në Kosovë vazhdon të mos ekzistojë, pasi që të gjithë sektorët fitimprurës vazhdojnë të udhëhiqen ekskluzivisht nga nëntoka dhe mafio-oligarkët, prapa të cilëve qëndrojnë figura të larta politike.
Përkeqësimi i ambientit biznesor
Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për gazetën “Kosova Sot” tha se veçanërisht në 17 vitet e fundit Kosova përjetoi një transformim nga një ekonomi e centralizuar në atë të tregut.”Megjithatë, ambienti ligjor, i cili është i nevojshëm për ta përkrahur zhvillimin e një ekonomie të tregut, ka qenë i paqëndrueshëm dhe i ndërlikuar. Gjatë viteve të paraluftës, Kosova ishte në një amulli të plotë juridike e ekonomike, për shkak të kontrollimit të institucioneve dhe të ekonomisë prej masave të dhunshme të ish-Jugosllavisë së mbetur. Regjimi serb në Kosovë nuk u mjaftua me plaçkitjen e shumicës së ndërmarrjeve kosovare, duke i lënë në gjendje të mjerueshme këto biznese përgjatë viteve të 90-ta, por përmes ligjeve tendencioze të gjitha ndërmarrjet publike në Kosovë u nacionalizuan si ndërmarrje të shtetit të Serbisë, çka do të thotë që edhe mbas luftës la pasoja të mëdha juridike përgjatë privatizimit”, u shpreh ai. “Zhvillimi ekonomik dhe punësimi janë problemet kryesore të rinisë kosovare, sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, papunësia sillet rreth 40 për qind, ndërkaq sipas shumë hulumtimeve të organizatave të ndryshme që monitorojnë punësimin papunësia arrin deri në 40 për qind, prandaj kemi edhe dëshira nga kosovarët të ikin nga ky vend, për një jetë më të mirë, përderisa analizon pasurinë e pushtetarëve që shumë nga ta janë milionerë, e besa edhe miliarderë pa ndonjë mbulesë të dëshmuar, e për pasojë të politikave jo të duhura nga ana e institucioneve biznesi kosovar po has në barriera jologjike, konkurrenca jolojale, kamatat e larta, procedura burokratike, të gjitha kanë ndikuar dukshëm në perceptim negativ të investitorëve për të investuar në Kosovë”, vijoi më tej Beqiri.
Mashtrimi, elektoral i zakonshëm
Sipas Beqirit, çdo qytetar i Kosovës është dëshmitar se politikanët kosovarë në fushata zgjedhore premtojnë shumë e realizojnë pak.”Qëllimin e kanë të vijnë në pushtet, pastaj të mendojnë për qytetarët e vet, sepse çdo kryeministër ka premtuar mrekulli, e në anën tjetër janë 270 mijë familje në asistencë sociale, me një papunësi mbi 40 për qind, me një ekonomi buzë shkatërrimit”, theksoi ai.”Duhet ta dini se çdo qytetar i Republikës së Kosovës merr pjesë në borxhin publik të shtetit me rreth 500 euro për secilin qytetar, duhet të llogarisë me i ndarë rreth 500 euro nga të ardhurat e tij. Kosova ka aktualisht rreth 852 milionë euro borxh. Dhe duhet shtruar pyetjen se kah është duke shkuar kjo ekonomi me këta hapa çoroditës. Ekonomia kosovare ka kapitulluar, përderisa partitë politike e kanë dertin e vetëm karrigen e tyre”, shtoi më tutje Beqiri. Ndërsa analisti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për “Kosova Sot” tha se fushata e fundit në zgjedhjet parlamentare ka treguar nivelin e mospërgjegjësisë së liderëve politikë ndaj qytetarëve dhe nivelin e lartë aktrues, që në bazë të kategorive të viteve i ka parë politikanët tanë duke aktruar patriotizëm.”Ata janë treguar burrështetas, herë duke vajtuar para shtresave sociale, po ashtu duke premtuar që do kemi vija të kuqe me parti të caktuara, ndërsa mbas fushatës bëhen se harrojnë, e arsyetojnë shitjen e tyre para mandatarit për krimin e qeverisë vetëm që të bëhen pjesë e institucioneve që tani të zhvatin me paranë publike”, theksoi ai. Sipas tij, me ato para nga pushteti ata po e sigurojnë financimin e fushatave të ardhshme.
Pushtetarët u bënë milionerë, Kosova pësoi regres
Afaristi Ramadan Maloku, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për gazetën “Kosova Sot” tha se që nga paslufta e deri më sot në të gjitha zgjedhjet nacionale që janë mbajtur, përfshirë edhe ato të vitit të kaluar, spektri politik ka premtuar me qindra mijëra vende të reja pune, por edhe zhvillim të hovshëm ekonomik të vendit, mirëpo deri më sot zhvillimi ekonomik i vendit po mbetet vetëm një premtim i rrejshëm elektoral. “Asnjë qeveri e pasluftës deri më sot nuk e ka marrë as edhe një veprim për të mundësuar një zhvillim ekonomik, duke lënë shtetin dhe komunat në duart e nëntokës kriminale të mafio-oligarkëve, të cilët janë mbi ligjin dhe mbajnë monopole për një dekadë të tërë”, potencoi ai.”E kemi këtë situatë të rëndë ekonomike, ngase kjo nuk ka se si të shpjegohet ndryshe, sepse çdo qeveri si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal, zhvatën qytetarët deri në asht, u pasuruan dhe bënë milionat, ndërkaq Kosova pësoi regres ekonomik dhe jo vetëm”, vijoi Maloku. Kurse deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën “Kosova Sot” tha se të gjitha koalicionet qeverisëse të pasluftës, përfshirë edhe këtë qeveri, me gjithë premtimet e tyre ato kanë dështuar në krijimin e vendeve të reja të punës.”Prandaj, e themi lirshëm se të gjitha koalicionet e deritashme premtimin për vende të reja pune e kishin vetëm si propagandë për të marrë votat”, vlerësoi ai.”Njëri nga shkaktarët e kësaj gjendje është edhe fakti se investitorët seriozë vendorë e të huaj po kërkojnë një siguri dhe një stabilitet politik dhe qëndrueshmëri ekonomike, pastaj sigurimin e çmimit të produktit dhe lehtësirave të taksave që do ta shndërronin vendin tonë në mjedis të favorshëm për investitorët”, u shpreh Neziraj.
Haraçi në Prishtinë, modeli korruptiv i qeverisjes
Analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për “Kosova Sot” tha se fajtori kryesor që e kemi këtë gjendje janë krimi i organizuar dhe nëntoka kriminale në bashkëkoordinim me pushtetarët në të dyja nivelet, pasi janë fajtorë se përse kemi këtë shkallë të lartë të papunësisë, të varfërisë, monopolet kriminale të mafio-oligarkëve që ua lajnë fytin pushtetarëve, kontrabandën.”Një rast tipik i kësaj natyre është mosdhënia e lejeve të ndërtimit për projekte zhvillimore ekonomike në Prishtinë, po qe se nuk jepet haraç, që ka bërë që për pasojë të kemi mungesë të zhvillimit ekonomik etj.”, theksoi Grapci.”Së këndejmi doemos se edhe do të shtrohet pyetja se cila mund të jetë e ardhmja ekonomike e Kosovës kur për mbi 10 vite ekzistencë si shtet i pavarur, pësoi regres ekonomik dhe realisht të bërit biznes në Kosovë vazhdon të mos ekzistojë, pasi që të gjithë sektorët fitimprurës vazhdojnë të udhëhiqen ekskluzivisht nga nëntoka dhe mafiooligarkët, prapa të cilëve qëndrojnë figura të larta politike”, potencoi ai. Sipas Grapcit, të gjitha qeveritë tona të pasluftës nuk kanë qenë të interesuar për krijimin e vendeve të reja të punës, sepse koncepti i tyre qeverisës bazohet në sloganin “varfëro dhe qeveris” .
(Kosova Sot)


