RCCOLA

Politika e shndërroi arsimin në industri analfabetësh

/ 7 minuta lexim

Arsimi në vendin tonë mbetet ndër sektorët më të goditur nga keqqeverisja dhe abuzimi i pushtetit. Mungesa e kontrollit, politizimi dhe komercializimi i arsimit, e ka shndërruar këtë sferë në një pazar, ku nuk dalin profesionistë të zotë, por vetëm bëhet trafik diplomash.

“Barra e përgjegjësisë bie mbi qeveritë që asnjëherë nuk menduan të fuqizojnë arsimin, sepse e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës ka qenë dhe do të jetë një garë e cilësisë së edukimit, që në Kosovë është katastrofale”, theksoi eksperti i fushës së arsimit, Halim Hyseni për gazetën “Kosova Sot”.

Arsimi në vendin tonë mbetet ndër sektorët më të goditur nga keqqeverisja dhe abuzimi i pushtetit. Mungesa e kontrollit, politizimi dhe komercializimi i arsimit, e ka shndërruar këtë sferë në një pazar, ku nuk dalin profesionistë të zotë, por vetëm bëhet trafik diplomash.

Që nga pas lufta e deri më sot, arsimi i kriminalizuar në Kosovë ka prodhuar analfabetë me diploma. Nga njohësit e kësaj fushe thuhet se duhet kërkuar përgjegjësi nga të gjithë ish-ministrat, të cilët menaxhuan, shkatërruan dhe kriminalizuan arsimin në Kosovë. Analistët vlerësojnë se pushtetarët e inkriminuar dhe mafio-oligarkët e degraduan dhe kriminalizuan arsimin, ngase i rrënuan kriteret, ulën çdo standard të mundshëm dhe instaluan mafinë arsimore. Ndaj, njohës arsimorë thonë se, sipas këtij modeli shkatërrimtar qeverisës, politikanët mafiozë tashmë u bënë profesorë, shkencëtarë, akademikë, doktorë shkencash, pa kurrfarë merite, pa asnjë lloj baze, duke korruptuar komisionet, duke blerë titujt, duke shantazhuar e duke abuzuar me ligjin.

Klientelizmi me pasoja shkatërruese

Eksperti i fushës së arsimit Halim Hyseni, për gazetën” Kosova Sot”, tha se sistemin e arsimit në Kosovë e kanë shkatërruar qeveritë e pasluftës, ndërsa pasojat janë të rënda dhe për fat të keq për dekada nuk mund të riparohen. “Andaj, do të jetë e udhës që dikush të bartë përgjegjësinë për gjendjen e tashme në arsim dhe dihet se kush janë ata, sigurisht se përgjegjësia mund të shkojë te shumë veta”, u shpreh ai. “Barra e përgjegjësisë bie mbi qeveritë që asnjëherë nuk menduan që të fuqizojnë arsimin, sepse e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës ka qenë dhe do të jetë një garë e cilësisë së edukimit, që në Kosovë është katastrofale”, theksoi Hyseni. Ndërsa, analisti Arsim Haziri, për gazetën “Kosova Sot”, tha se çdo stagnim social ka shkaktarët e vet. “Në këtë dimension konsideroj se edhe arsimi dhe të gjitha sferat e tjera me rëndësi sociale si stagnim thelbësor e kanë prej logjikës së klientelizmit. Janë hapur dyert e fakulteteve pa zbatuar pothuaj asnjë kriter vetëm që të ketë një status tjetër dhe të mos identifikohet si i papunësuar”, u shpreh ai. “Ky është vetëm njëri prej shkaktarëve që e ka ngulfatur sistemin arsimor. Kësaj iu shtohet edhe përfitimi ekonomik, në rastin më konkretë hapja enorme e kolegjeve private. Kjo ka kosto edhe negative për shoqërinë. Kosova është vendi ku mungon drejtësia dhe ku ekzistojnë juristë me bollëk, ka edhe ekonomistë, po gjendja aktuale është në dominim të mosstabilitetit ekonomik”, potencoi Haziri.

RCCOLA

Degradimi sistematik i arsimit

Analisti politik Ali Hertica tha për “Kosova Sot”, se pa sistem të mirëfilltë arsimor, akademik ose pedagogjik, nuk mund të ketë as shtet dhe as pushtet ligjor, qytetar, parlamentar. “Sidomos aty ku liderët ose politikanët përzihen ose i fusin duart në shkollim universitar ose pedagogjik, dominon kjo përzierje e strukturave politike të shkollimit të privatizimit, klanizimit, instrumentalizimit, partikularizimit dhe relativizimit të shkollave, kolegjeve ose universiteteve të ndryshme në Kosovë ku shkollat, kolegjet ose universitetet e ndryshme i udhëheqin ose sundojnë partitë-shtet në shtetin-parti”, u shpreh ai. Sipas tij, janë kuadrot jo të specializuara dhe jokompetente ata që e sollën shtetin në këtë nivel skandaloz. “Kështu që shumë subjekte politike dhe liderët e tyre, si duket u gëzuan me ato humbje ose dështime të mëdha që ta shkatërronin sistemin arsimor duke prodhuar në mënyrë serike analfabet ose gjysmanalfabet të ndryshëm ‘shkencorë’, ‘universitar’ ose ‘akademikë’. Me demagogët, hipokritët, analfabetët ose gjysmanalfabetët e ndryshëm institucional dhe funksional në Kosovë, e shohin të sigurt ose të garantuar sundimin dhe mbijetesën e tyre në pushtet”, ka thënë Hertica.

Të “siten” universitetet dhe kolegjet

Edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe qytetarët tanë thonë se janë shumë të pakënaqur me punën e ministrave të Arsimit pas lufte në Kosovë. Ata njëzëri shprehen se duhet gjetur se kush është fajtor që arsimi tash e 19 vjet prodhoi analfabetë me diploma. Sipas tyre, doemos duhet kërkuar përgjegjësi nga të gjithë ish-ministrat e Arsimit, të cilët e menaxhuan, shkatërruan, por edhe e kriminalizuan arsimin në Kosovë. Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Naser Rugova (LDK), për gazetën ” Kosova Sot”, tha se arsimi është degraduar së tepërmi. “Që nga viti 2002, edhe kur ishte Kosova nën protektorat të UNMIK-ut, i patëm duart e lira që sisemin arsimorë ta reformojmë dhe ta akomodojmë dhe t’ia përshtatim nevojave dhe zhvillimeve të trendëve dhe ekonomisë së tregut. Megjithëse kishim një legjislacioni që mund të prosperojnë arsimin në Kosovë konform trendëve dhe nevojave të punës në Kosovë, fatkeqësisht pas vitit 2008, si klasë politike e intelektuale kemi dështuar. Kjo çfarë ndodh në dy- tre vjetët e fundit me një politizim të arsimit të çuditshëm, ku në çdo pore institucionale, si dhe çdo pore të shtetit, nuk kanë lënë pozitë pa e politizuar”, theksoi ai. Deputeti Rugova thotë se kjo po ndodh, ngase janë larguar profesorët më eminentë dhe profesionistë që ishin me vite bartës të arsimit, sepse nuk kanë pranuar njerëz me cilësi që mbaruan shkollat në universitetet më prestigjioze ndërkombëtare. “Dhe, gjatë kësaj kohe kanë prodhuar analfabetë dhe kanë dhënë magjistratura dhe doktorata politike”, u shpreh ai. “Është imediate që Qeveria, përkatësisht MASH-ti ta bëjnë një studim fizibiliteti dhe një Task Forcë që do të vlerësojë të gjitha arritjet e gradave shkencore, gradimet avancimet dhe thjesht ta bëjë një rëntgen të sistemit të arsimit të lartë në Kosovë. Por, jo vetëm në universitetet publike, por edhe në universitetet private”, propozoi Rugova. Ndërsa qytetari, Hakif Hamiti tha për ” Kosova Sot”, se po të kishte kush t’i merrte në përgjegjësi, janë pushtetarët tanë ata që i shkatërruan të gjitha në vendin tonë, duke filluar nga arsimi, shëndetësia dhe të gjitha që janë institucionale. “Ata që nga pas lufta kanë punuar vetëm për xhepat e tyre dhe për së mbrapshti dhe jo që ta zhvillojnë shtetin tonë, por kanë punuar kundër shtetit tone”, potencoi ai . Sipas Hamitit, duhet që të japin llogari të gjithë ishministrat e Arsimit të pasluftës .

(Kosova Sot)