Eko Higjiena

Politika e përgjegjshme “dogji” 6 milionë, skenar për zgjedhje të reja

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Duke parë mënyrën se si është duke u zhvilluar skenari i bllokimit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës nga subjektet politike, analistët politikë nuk e përjashtojnë fare mundësinë që ky skenar të jetë i paramenduar me kohë si i tillë në prapaskenën e politikës kosovare, veçmas pas publikimit të rezultatit zgjedhor, për të kaluar në mënyra tinëzare 8 gushtin, për të mos mundur të konstituohet Parlamenti i Kosovës, të bllokohet e pamundësohet pastaj krijimi i Qeverisë dhe në këtë mënyrë të shkohet në zgjedhjet e reja, të cilat do të mbaheshin bashkë me zgjedhjet lokale.

Burjani: Ky primitivizëm i politikës së papërgjegjshme rrezikon seriozisht ta çojë vendin në zgjedhje të reja

Duke parë mënyrën se si është duke u zhvilluar skenari i bllokimit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës nga subjektet politike, analistët politikë nuk e përjashtojnë fare mundësinë që ky skenar të jetë i paramenduar me kohë si i tillë në prapaskenën e politikës kosovare, veçmas pas publikimit të rezultatit zgjedhor, për të kaluar në mënyra tinëzare 8 gushtin, për të mos mundur të konstituohet Parlamenti i Kosovës, të bllokohet e pamundësohet pastaj krijimi i Qeverisë dhe në këtë mënyrë të shkohet në zgjedhjet e reja, të cilat do të mbaheshin bashkë me zgjedhjet lokale.

Sido që të jetë, edhe nëse realizohet një skenar i tillë i paramenduar nga nëntoka kriminale e partive politike, nuk do të kemi ndonjë zhvillim që shkon në interes të qytetarit, por vetëm një riciklim të ngërçit politik të para tre vjetësh, ku asnjëra palë nuk e do kompromisin dhe si zgjidhje mbetet shkuarja në zgjedhje të reja.

Analisti Skënder Mulliqi thotë se ajo çka po shohim deri më tash është se ekzistojnë mundësitë të na përsëritet situata e vitit 2014, e krizës politike dhe institucionale për gjashtë muaj, pa e përjashtuar edhe rrëshqitjen në zgjedhje të reja.”Meqenëse PDK-ja në këto zgjedhje ka pësuar rënie drastike dhe në pamundësi që PAN-i t’i sigurojë votat e duhura për t’i krijuar institucionet e reja të shtetit, po provohen skenarë të ndryshëm që mos t’i jepet mundësia në asnjë mënyrë koalicionit të mundshëm VV-LAA për ta formuar qeverinë. Edhe presidenti Thaçi nuk do të jetë i interesuar që VV-së me partneret e saj politikë t’u jepet mundësia që t’i formojnë organet e reja të shtetit”, theksoi Skënder Mulliqi për “Kosova Sot”.

Ai konsideron se një motivacion shtesë që mos të zgjidhet ngërçi politik është që të prolongohet sa të jetë e mundur puna e Gjykatës Speciale. “Kjo elitë politike, e cila edhe është në skenën tonë politike që shumë vite, është mësuar që të mbijetojë me kriza dhe nuk është çudi që edhe kësaj radhe nëse nuk kanë ndonjë trysni të fortë nga bashkësia ndërkombëtare të bëjnë lojëra politike në pafundësi”, është shprehur ai. “Sigurisht së të gjitha skenarët nuk do t’i shërbejnë Kosovës dhe popullit të saj të stërlodhur tashmë ekonomikisht, politikisht dhe moralisht. Nëse na përsëritet kriza gjashtë- mujore e vitit 2014, mund të na ndodhë eksodi i madh i radhës, që do të ishte gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë Kosovës”, theksoi Mulliqi për “Kosova Sot”.

Një pritje të ngjashme e ka edhe analisti politik Arsim Haziri. “Shpëtimtar i vetëm nga shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme konsideroj se është ndikimi ì faktorit ndërkombëtar, që konsideroj se është mundësia fundit që do të evitojë orientimin e vendit drejt edhe një procesi të jashtëzakonshëm zgjedhor”, është shprehur ai.

Mobi Casa

Burjani: Sjellje e papranueshme e primitive

Analisti Blerim Burjani thotë se kjo klasë politike, me këtë sjellje të paedukuar në mënyrë institucionale, me metoda primitive po bëjnë një luftë të pakuptimtë, njëri kundër tjetrit, me qëllime inatçie dhe me qëllim për të mundur njëra-tjerrën dhe pa menduar fare për qytetarin nga i cili morën votën.”Për këta njerëz më me rëndësi është ngërçi sesa zgjidhja. Më e rëndësishme është bllokada, sepse, sipas tyre, qytetarëve nuk iu ngutet, kanë kohë bollë sikur ata, e deputetëve dihet që tash paga u ecën dhe më për ata s’ka rëndësi sa zgjat ngërçi”, është shprehur Burjani.”Këta njerëz të paedukuar nuk e zgjedhin konsensusin politik, por zgjidhin variantin ballkanike inatçi, pra nuk ka rëndësi kurrgjë tjetër për ta veç inatit të tyre. Kjo është sjellje e papranueshme dhe primitive”, theksoi Blerim Burjani.

Ky primitivizëm i politikës së papërgjegjshme, sipas tij, rrezikon seriozisht ta çojë vendin në zgjedhje të reja dhe t’i djegë si letër të pavlerë edhe 5-6 milionë euro tjera të taksapaguesve kosovarë.”Në vend të marrëveshjes kanë zgjedhur rrugën që çon drejt dështimit, pavarësisht kostos që paguajnë taksapaguesit kosovarë, e që vetëm në zgjedhjet e fundit kostoja e zgjedhjeve ka marrë hiq më pak se 6 milionë, e kur të marrësh faktin se edhe zgjedhjet lokale e kanë koston e tyre, atëherë këto dy palë zgjedhje t’i kushtojnë taksapaguesit kosovar rreth 10 milionë euro. Më mirë do të ishte që këto para të kishin shkuar në çështje sociale, shëndetësore apo përkrahje të formave tjera në interesin e qytetarit sesa të shpenzohen nga kjo kategori inatçie që e kanë sjellë vendin deri këtu në gjendje gjendjen e konfliktit”, theksoi Blerim Burjani për “Kosova Sot”.

Pritet ndërhyrja e ndërkombë- tarëve

Analisti Albrim Badallaj thotë se në daljen e rezultateve të para të zgjedhjeve të 11 qershorit është parë se do të mund të ketë situata të tilla, të bllokadave në Kuvend, për shkak se blloku fitues nuk arriti që si e vetme (së bashku me minoritetet) t’i arrijë 61 vota në Kuvend, si kusht për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe për formimin e Qeverisë.”Ekziston mundësia që në rast se përfaqësuesit e vendeve diplomatike nuk ndërhyjnë për zgjidhjen e këtij ngërçi, atëherë me konsensus të të gjitha partive politike të tentohet që të shkohet në zgjedhje të dyfishta më 22 tetor, së bashku me zgjedhjet lokale, me qëllim që të sprovojnë veten edhe një herë, duke synuar që zgjedhjet të jenë zgjidhje e situatës”, theksoi Albrim Badallaj.

Analisti Gani Qarri thotë se politika kosovare në prapaskenë po përgatit përsëri skenarë të ngjashëm, që edhe më 8 gusht të pamundësohet konstituimi i Parlamentit të Kosovës dhe në këtë mënyrë të hapet rrugë kushtetuese për çuarjen e vendit në zgjedhje të reja, të cilat do të mbaheshin me 22 tetor, bashkë me zgjedhjet lokale në Kosovë.”Shihet qartë se mundësia e vetme e formimit të Qeverisë së re të Kosovës mund të arrihet vetëm me kompromis dhe përmes negociatave ndërpartiake. Për momentin shkaku i inateve të ndërsjella, pa një presion të fortë nga jashtë, asnjëra nga to nuk po tregon shenja afrimi dhe kompromisi të njëmendët”, theksoi Gani Qarri për “Kosova Sot”.

Sipas tij, qëndrimet e tilla pa kompromis dëshmojnë edhe një herë se partitë tona vërtet ende nuk janë sa duhet të vetëdijshme as nuk kanë pjekuri të mjaftueshme politike, se nga bllokada institucionale më së shumti vuajnë banorët e thjeshtë të këtij vendi dhe po shkaktojnë termet të njëmendët në jetën e qytetarëve të Kosovës./kosova sot/