UBT

Politika e mbrapshtë bllokoi kompensimin e dëmeve 22 miliardëshe

/ 8 minuta lexim

Të gjitha garniturat e deritashme politike që kanë udhëhequr shtetin e ri të Kosovës, që nga paslufta e deri më sot, si duket janë marrë vetëm me pasurim të paligjshëm të vetes së tyre, duke u marrë me uzurpime, me poste, me monopole kriminale dhe përqindjet e milionave në tenderë, por asnjëherë këto qeveri nuk vepruan asgjë për çështjen e dëmshpërblimit dhe dëmeve të luftës të shkaktuara nga Serbia fashiste e gjenocidale, që ajo i bëri në Kosovë kundër qytetarëve civilë dhe bizneseve private në vendin tonë.

Ndaj analistët vlerësojnë se kjo klasë politike me sjelljen e saj është treguar se është total injorante dhe e papërgjegjshme ndaj viktimave të luftës, duke treguar haptas mospërgjegjësinë dhe mosrespektin ndaj popullit dhe shtetit tonë. Ndaj me të drejtë analistët theksojnë se Kosova nuk ka fare një strategji shtetërore për këtë çështje të kompensimit të dëmeve të luftës. Sipas njohësve të kësaj fushe, vlerësohet se dëmet që i kishte shkaktuar Serbia në Kosovë ishin rreth 22 miliardë dollarë. Për më tepër, edhe mbi 25 000 padi të qytetarëve dhe bizneseve, me të cilat padi të deponuara në gjykatat e rregullta të Kosovës është kërkuar të kompensohen dëmet e luftës që Serbia i shkaktoi me makinerinë e saj vrastare dhe shkatërruese e flakëvënëse në luftën e fundit 98/99 në agresionin e bërë në Kosovë. Shumica e këtyre padive janë refuzuar pa të drejtë dhe pa bazë ligjore nga gjykatat e Kosovës, po me urdhër politik të politikës dhe KGJKsë së tyre të degraduar. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe KGJK-së, gazeta nuk ka marrë përgjigje në çështjet që kanë të bëjnë me temën që po trajtohet.

Neglizhencë institucionale

Avokati Tomë Gashi tha për gazetën “Kosova Sot” se ka qenë dhe është një neglizhencë e të gjitha institucioneve të Kosovës, për shkak se nuk kanë paraqitur padi për dëmet e luftës që Serbia i ka kryer në Kosovë gjatë viteve 1998- 1999. “Ndonëse Kosova e pati këtë të drejtë, deri më tani nuk kemi njohuri se është bërë një gjë e tillë. Ka pasur iniciativa private, por ato u zbehën, ngase institucionet shtetërore nuk patën vullnet që të bëjnë padi të tilla. Për këtë arsye deri më tani nuk kemi asnjë reparacion të luftës dhe këto çështje përveçse që nuk janë paditur qoftë brenda apo në arenën ndërkombëtare”, u shpreh ai. “Gjatë bisedimeve nënshtruese që Kosova i bëri me Serbinë në Bruksel, kjo temë nuk është hapur kurrë, duke e cilësuar se kjo ka qenë një luftë e brendshme dhe thuaja se Kosova ende është një pjesë e Serbisë. Për këtë përgjegjësi mund të japin vetëm krerët e institucioneve shtetërore që nga viti 1999 e deri më sot”, potencoi Gashi.”Tashmë kanë kaluar 8 vjet nga fundi i luftës dhe nga gjurmët e luftës thuajse janë zhdukur plotësisht, përveç atyre familjarëve që i kanë të vrarët e vet… Ndaj përgjegjës për këtë janë të gjitha organet e deritashme udhëheqës shtetërore të Kosovës bashkërisht, se përse një çështje e tillë nuk është iniciuar nga ana e tyre dhe përse nuk janë bërë padi të caktuara për të vërtetuar dëmet e luftës që Serbia do të duhet në çdo variant t’ia kompensojë Kosovës”.

Paditë u injoruan nga drejtësia kosovare

Hidromorava

Analisti Jeton Kelmendi tha për “Kosova Sot” se kasta politike e Kosovës nga paslufta ishte tërësisht e papërgjegjshme. “Zaten këta politikanë edhe nuk dinin si bëhet politika dhe si duhet paditur Serbinë për krime lufte ndaj shqiptarëve në Kosovë. Prandaj, këto qarqe me Serbinë bënë presione që mos të ngrihet padi ndaj Serbisë. Një iniciativë të tillë e turpshme ishte ajo që e pati bërë presidenti Hashim Thaçi kur thoshte se do ta padiste Serbinë dhe ngrite problematika që t’i tregonte Serbisë dhe ky ishte një servilizëm i tmerrshëm. Asnjëherë shteti i Kosovës që nga pavarësia e këndej nuk ka bërë padi ndaj Serbisë dhe këtë ka mundur që ta bëjë edhe para pavarësisë, por duke e paditur Serbinë përmes Shqipërisë për krime lufte, por edhe këtë nuk e kemi bërë”, u shpreh ai.”I tërë problemi është se liderët tanë, politika dhe institucionet e Kosovës janë të korruptuara e të zhytura dhe dosjet e tyre që ua kanë hapur aleatët ndërkombëtarë të Serbisë nuk po i lënë rehat dhe në asnjë rrethanë që ta padisin Serbinë dhe as ta prosperojnë vendin tonë”, vijoi më tutje Kelmendi. Ndërsa analisti Florim Zeqa tha për “Kosova Sot” se refuzimi i mbi 25 000 padive të qytetarëve dhe bizneseve për kompensimin e dëmeve të luftës nga gjykatat e (pa)rregullta të Kosovës, përveçse refuzim i padrejtë është dhe pa bazë ligjore, me urdhër të politikës dhe KGJK-së së kapur nga UDB-ja dhe degraduar nga pseudo-politikanët vendorë. “Paradoksalisht paditë kundër Serbisë gjakatare nëpër gjykatat e Kosovës po hidhen poshtë si të “palejuara”, duke i këshilluar qytetarët që paditë t’i deponojnë në Beograd, në një shtet ku nuk është kryer krimi, një shtet i huaj armik e gjenocidal. Bazuar në sistemin e kapur dhe ngulfatur të drejtësisë kosovare, ka pak shpresë që të dalë dikush që mund të hetojë se kush e dha këtë urdhër të kundërligjshëm dhe antikushtetues, i cili përbën edhe aktin më flagrant të tradhtisë ndaj shtetit e kombit, e cila cenon rëndë themelet dhe sovranitetin e shtetit “, potencoi ai.

Zaptuesit harruan interesin publik

Analisti Arsim Haziri tha për “Kosova Sot” se çështja e kompensimeve të dëmeve të luftës do të duhej të ishte kusht i negociatave me Serbinë.”Në këtë rrafsh konsideroj se institucionet tona do të mund të kthenin dëmshpërblimin miliardësh të popullit tonë. Këta liderë përpos që s’kanë arritur të mbrojnë e kërkojnë të drejtën ndaj keqbërësit, ata për më keq vetë janë përfshirë në afera të ndryshme kriminale, ata për gjatë kësaj kohë kanë zaptuar gjitha resurset publike vetëm për t’u pasuruar ekonomikisht si dhe për t’u bërë të paprekur politikisht”, u shpreh ai.

Ndërsa analisti Mustafë Kadrijaj tha për “Kosova Sot” se lidershipi kosovar ka dështuar në kryerjen e detyrës së obliguar me Kushtetutë, por edhe si obligim moral ndaj qytetarit. “Është e papranueshme që skena politike për gjatë viteve mbas çlirimit kanë privatizuar dhe kanë zhvatur pasurinë e Kosovës përmes privatizimit duke u bërë milionerë brenda nate, me pasuri marramendëse, ndërsa në bisedime me Serbinë të sponzorizuara nga Bashkimi Evropian ndihen aq inferiorë”, theksoi ai. “Është e papranueshme kur dihet që qytetari i Kosovës është dëmtuar fizikisht dhe materialisht, mjafton të kujtojmë varrezat masive dhe ajo që është edhe më e rëndë është fakti se ne ende kemi shumë viktima të pakthyera nga Serbia po ashtu me dëshmi autentike të kohës, duke dëmtuar ekonomitë familjare dhe ekonominë e Kosovës, e po ashtu duke i ndalur pensionet që nga paslufta, duke rënë në kundërshtim edhe me të drejtën ndërkombëtare”, vijoi më tutje analisti Kadriaj. “Ky lidership përveçse që nuk ka dinjitet që të ketë në dorë fatin e Kosovës, njëherësh ky duhet që të japë llogari para qytetarëve tanë”, ka thënë ai. Ndërsa analisti Ragip Guraziu për “Kosova Sot” tha se është për keqardhje që skena politike, KGJKja e zgjedhur prej saj dhe gjyqësori kosovar po veprojnë kundër interesave të qytetarëve dhe vendit të vet. Sipas tij, ata janë në mbrojtje e dobi të Serbisë armike e fashiste dhe urdhëruesve të tyre të instaluar nga Serbia në Kosovë , në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e vendit tonë dhe faktet e ndodhura në Kosovë.

(Kosova Sot)