Politika e inkriminuar ia ndali frymën Kosovës
Partitë me veprimet e tyre e kanë bërë Kosovën një shtet oazë të krimit të organizuar dhe vend të pashpresë, pa perspektivë për qytetarët dhe bizneset e palidhura me politikën.
Analistët thonë se Qeveria, Kuvendi, komunat, drejtësia, ekonomia, shëndetësia, arsimi, si dhe çdo sektor tjetër në Kosove janë në duart e krimit të organizuar dhe nëntokës kriminale përmes korporatokracisë së inkriminuar.
Analisti Arsim Haziri tha për “Kosova Sot” se deri më tani pothuaj të gjitha subjektet politike nuk kanë prezantuar ndonjë program politik me të cilën do të mund të instalohej sistematizimi i shtetit zhvillimor dhe të parandalohej efekti i nepotizmit brenda institucioneve publike. “Kosova konsideroj në qeverisjen qendrore do duhej të kishte tjetër logjikë qeverisëse, tjetër dinamizëm politik si dhe përfundimisht të jenë të pastër moralisht për të mundur të jenë premtues dhe të mundshëm për krijimin e shtetit ligjor e social. Jo një qeverisje, e cila ka degjeneruar gjendjen e brendshme dhe degradon raportet me shtete e fuqishme”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.
Qytetarët duhet të vetëdijësohen
Eksperti i fushës së drejtësisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Burjani tha për “Kosova Sot”, se proceset dhe ndryshimet demokratike duhet të ndodhin herët a vonë, për të ndërruar këtë klasë politike në Kosovë, pozitë dhe opozitë, të zhytur në përfitime të kundërligjshme. “Duhet parë veç debatet në Kuvendin e Kosovës dhe aty shihni se me çfarë niveli njerëzish kemi të bëjmë, ngase ata janë njerëz të pashkollë, që jetojnë nga pallavrat dhe vota e qytetarit e jo nga puna e tyre”, u shpreh ai. “Fajtorë për këtë gjendje të mjerë janë qytetarët që i kanë votuar, kurse qytetarët po thonë se këta janë më të mirët, prandaj nëse nuk vetëdijësohet qytetari dhe voton ndryshe, atëherë ia pafshin hairin si thuhet në gjuhën popullore”, ka potencuar Burjani. Sipas tij, kjo gjendje nuk mund ndryshohet nga kjo garniturë politike që synon vetëm përfitimin në kurriz të qytetarëve, pavarësisht skandaleve të njëpasnjëshme që i bëjnë, duke rrezikuar edhe raportet e mira me miqtë ndërkombëtarë.
Ndërsa, analisti Bislim Aliu tha për ” Kosova Sot”, se pa dyshim, partitë politike ekzistuese, Kosovën e kanë bërë shtet të pashpresë, pa perspektivë dhe një shtet ku ka lulëzuar korrupsioni dhe krimi i organizuar. “Kjo situate kritike, në vend se të përmirësohet, ajo vazhdon duke u thelluar edhe më tepër. Pa dyshim, Kuvendi, Qeveria, drejtësia, arsimi, shëndetësia, si dhe çdo resor tjetër në Kosovë, gjendet e bllokuar në duart e nëntokës dhe të krimit të organizuar. Pra, aty ku hyn politika, aty nuk ka përparim dhe as zhvillim të mirëfilltë”, shprehet i bindur ai. “Politika inkriminuese ia ka ndalur frymën shtetit dhe të gjithë resorëve në Kosovë, për t’u zhvilluar dhe për të ecur përpara, drejt përparimit dhe zhvillimit. Kjo politikë tejet e inkriminuar e ka katandisur shumë keq perspektivën e Kosovës, duke i bërë qytetarët, që fare më mos t’u besojnë këtyre politikanëve, të cilët vazhdimisht ua humbën edhe shpresën e fundit, se më në fund do t’ua rregullojnë sadopak jetën e tyre që me vite ua humbën”, vijoi më tutje për “Kosova Sot”, analisti Aliu.
Zhgënjimi i madh
Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga tabori i opozitës, Salih Salihu (LVV), tha për “Kosova Sot”, se të gjitha partitë politike, që kanë qeverisur vendin nga pas lufta e deri më tash, e sollën shtetin në këtë gjendje dhe sot nuk ka mbetur asnjë shpresë për Kosovën. “As për të riun që diplomon nuk ka asnjë shpresë, bile as për pensionistët, e as për ata që duan të kryejnë shkollën, as për të sëmurët, pasi sistemi shëndetësor dhe arsimor është i shkatërruar së bashku”, ka vlerësuar ai. “Me një fjalë, këtu nuk ka shpresë për asnjë kategori shoqërore në vend, ngase këtu është bërë jeta e paduruar dhe me të drejtë mendoj se qytetarët tanë po tentojnë dhe po duan që të ikin sa më parë nga vendi”, vijoi më tej Salihu. “Neve si deputetë dhe pushtetarë nuk kemi të drejtë t’u themi qytetarëve tanë mos ikni, sepse këtu nuk iu kemi krijuar kushte për të qëndruar, për dallim nga jashtë kur po dalin qytetarët tanë, ata po e gjejnë veten e tyre”, theksoi ai për “Kosova Sot”.
Sipas tij, për gjeneratat e reja këtu në Kosovë nuk ka perspektivë, sepse këtu ka degraduar gjithçka dhe për pasojë e kemi situatën kur të rinjtë tanë janë të detyruar që të dalin jashtë vendit.
(Kosova Sot)


