Fundamenti

Politika e fallit

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Imer Mushkolaj – Jo politika e ideve dhe veprimeve konkrete, por ajo e fallit po e dominon jetën e kosovarëve. Akuza e kundërakuza, politikë që sillet rreth Burdushit, jo rreth qytetarit. Dilemë jetike del të jetë se kush ka qenë ose jo në SHIK, e jo çfarë po ndodh me këtë vend e këtë shoqëri. Për marre.

Në “politikë të fallit” është shndërruar politika kosovare muajt e fundit. Në vend se të jetë adresë nga e cila jepen propozime e ide për zgjidhje në të mirë të qytetarëve, foltorja e Kuvendit gjithnjë e më shpesh po shndërrohet në vend nga i cili hedhen akuza e kundërakuza ndërmjet rivalëve politikë, vend nga i cili lansohen teori konspirative, rrena e gjysmë të vërteta, budallallëqe e marri.

Së fundi, opinionit i është imponuar dilema nëse Glak Konjufca ka qenë ose jo pjesë e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK). Me ditë të tëra Dardan Molliqaj i Partisë Socialdemokrate po ngulmon që deputeti i Vetëvendosjes ka qenë pjesë e kësaj organizate, ndërkohë që ky i dyti po mohon gjithçka. Çështja ka shkuar edhe në gjykatë, por në gjithë këtë histori është mpleksur edhe emri i një falltori. Emri i Burdushit.

Ky personazh, përveç burgut e gjykatës, është bërë pjesë edhe e diskursit publik për qërim hesapesh ndërmjet rivalëve politikë. Është kthyer në barometër kredibiliteti për politikanë që thuhet se kërkojnë ndihmë e qesin fall te ai.

Por, jo vetëm Kuvendi po prodhon politikë falli. Edhe institucione e zyrtarë të tjerë çdo ditë bëjnë politikë “me tahmin”, madje edhe për çështje shumë të rëndësishme.

* * *

Kur u vendos taksa ndaj mallrave serbe e boshnjake, kjo u bë pa një analizë të mirëfillitë të kostos e pasojave. Politikë të ngjashme prodhon çdo ditë edhe presidenti, me idenë e tij të rrezikshme për korrigjim kufijsh. Qet fall duke thënë se Kosova do ta marrë Preshevën dhe, më pas, do të njihet nga Serbia. Përralla fëmijësh këto.

Kryeministri, ndërkohë, përpiqet t’ua mbush mendjen qytetarëve se termocentrali i ri do të jetë projekti më dobiprurës për vendin, ndërkohë që kundërshtarët e idesë paraqesin argumente të forta që dëshmojnë të kundërtën.

Një ndër zëvendësit e tij deklaron se thuajse është përmbushur premtimi për të punësuar nga një anëtar të çdo familjeje, ndërkohë që institucione e kompani publike vazhdojnë të mbushen familjarë politikanësh e militantë partiakë.

Kryetarë komunash, si ai i Mitrovicës së Jugut, nuk prajnë së qituri fall çdo ditë për projekte që thonë se do të realizohen. Madje edhe projekte madhore, si bashkimi i qytetit.

Uji Dea

Ndërkohë, teksa krerët shtetërorë shfaqen me qëndrime të kundërta për të ardhmen e vendit, një samit që pritet të mbahet në Berlin brenda dhjetë ditësh mund të jetë rast i ri për të parë politikën kosovare të fallit.

Ka gjasë që presidenti e kryeministri të paraqiten aty me qëndrime të kundërta sa i përket shtetit dhe shtetësisë së Kosovës, duke i shkaktuar kështu dëme të mëdha vendit dhe shoqërisë. Sa joserioze dhe e pështirë që dy liderë dërgojnë mesazhe të ndryshme për të ardhmen e vendit që udhëheqin.

Politika e fallit ka dalë në pah edhe në rastin e listave të fryra të veteranëve. Asnjëri nga udhëheqësit e luftës, që rrahin gjoks për trimëri e beteja heroike, nuk është në gjendje të thotë numrin e saktë të njerëzve që kanë qenë pjesë e UÇK’së. Shifrat variojnë, varësisht nga dëshirat dhe interesat. Për arsye personale e partiake, secili nga ta ka lejuar që listat të mbushen me emra njerëzit që luftën mund ta kenë parë vetëm në televizor, por kjo nuk i pengon ata që të shpenzojnë dhjetëra milionë euro për t’u siguruar pensione. Dhjetëra milionë euro me të cilat blejnë votat e tyre, blejnë lojalitetin e tyre.

* * *

Sot askush nuk e ka idenë se si të veprohet, që të rinjve t’iu krijohen mundësi që të mos e braktisin vendin, askush nuk e ka idenë e kur mund të bëhet liberalizimi i vizave, madje askush nuk e di nëse do të zëvendësohen ose jo orët e humbura mësimore shkaku i grevës së mësimdhënësve.

Sot askush nuk e ka idenë se si të përmirësohet sistemi i degraduar i arsimit e shëndetësisë, si të ulet numri i të papunësve, si të zhvillohet vendi ekonomikisht e ku do të jemi pas pesë, dhjetë ose njëzet vjetësh.

Por, shumica nga ata që paguhen majmë për të vendosur për fatin e vendit dhe shoqërisë çdo ditë prodhojnë dhe plasojnë ide koti që iu hyjnë në punë veç atyre dhe largojnë njerëzit nga debati për problemet e vërteta.

Secili e secila e ka mënyrën e vet të fallit, por pak, shumë pak nga ta ofrojnë zgjidhje konkrete.

Secili di të vlerësojë se situata është keq, por pak, shumë pak dinë të japin propozime që ia vlejnë se si të dilet nga ajo.

Dilemë jetike del të jetë se kush ka qenë ose jo në SHIK, e jo çfarë po ndodh me këtë vend e këtë shoqëri. Për marre.