RCCOLA

Politika e bëri arsimin si veten, injorancë me letra

/ 7 minuta lexim
KKVITI

Kuadrot kosovare enden me diploma pa vlerë në xhep

“Edhe braktisja e shkollave dhe universiteteve nga të rinjtë po ndodh pikërisht për shkak inkriminimeve politike në to dhe arsimin në përgjithësi, nepotizmit, korrupsionit dhe krimit të organizuar, para të cilave edhe kuadrat e diplomuara me sukseset më të larta nuk po shohin më mundësi mbijetese, punësimi as perspektive në Kosovën e sunduar nga mafiozët politikë”, thotë analisti Gani Qarri për “Kosova Sot”

Njohës të rrethanave politike në vendin tonë ankohen se është politika e inkriminuar e pasluftës fajtorja që e ka degraduar arsimin e Kosovës, ku shumë kolegje private, që ishin formuar me entuziazëm të madh, kanë mbetur pa studentë, e pa studentë po mbesin edhe universitetet publike. Sipas njohësve të kësaj fushe, interesimi i të rinjve për të studiuar në këto kolegje private dita- ditës po humb ngaqë nuk ofrojnë gjë tjetër pos diploma të pavlera. Analistët vlerësojnë se është politika ajo që e katandisi arsimin në këtë gjendje.

Eksperti i arsimit Halim Hyseni thotë për “Kosova Sot” se gjendja tepër e rëndë dhe e pashpresë e qytetarëve të Kosovës pa asnjë dyshim është produkt i politikës imorale dhe amorale të zhvilluar nga oligarkë dhe plotokratë, të cilit në emër të një patriotizmi të rremë, për interesa meskine, klienteliste kanë shkatërruar çdo gjë, duke e shndërruar Kosovën në një vend ferr, nga i cili po të kishte mundësi, askush nuk do të jetonte, përpos atyre që ketë vend e sollën në këtë gjendje.

“Politika e gabuar dhe imorale e udhëhequr nga viti 2000 e deri më tani, për shkak të interesave oligarkike dhe plutokratike goditjen më të rëndë ia kanë dhënë sistemit të edukimit dhe të arsimit, duke e shndërruar këtë fushë vendimtare për të ardhmen e Kosovës në vegël elektorale dhe në instrument klientelist të sunduesve të Kosovës”, u shpreh ai.

Pasojat e rënda

“Edhe kolegjet dhe institucionet private të arsimit të lartë sigurisht jo të gjitha, por shumica e tyre janë mbi 95 për qind, janë nus produkt apo shkart, skarcitet, apo zdrukth i politikës dhe i politikanëve amoralë dhe imoralë që kanë pasur dhe përfitime personale nga themelimi i institucioneve të këtilla. Pasojat e veprimeve të këtilla johumane dhe jocivilizuese shumë rëndë është duke i përjetuar rinia jonë e mrekullueshme.

Në shumicën e institucioneve të këtilla, rinia jone keqpërdoret duke shpenzuar mjete financiare për certifikata pa vlerë, sepse nuk janë ekuivalente me kërkesat e dhe standardet të profesioneve për të cilat lëshohen. Janë dy pasoja apokaliptike të punës jopedagogjike dhe johumane të institucioneve të këtilla private”, u shpreh Halim Hyseni për “Kosova Sot”.

Testi “Pisa” nxori të palarat

Analisti Gani Qarri, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se përderisa Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli fëmijët e tyre i shkolluan në shkollat turke të Gylenit, arsimin shqip në Kosovë, ata jo vetëm se e degraduan tërësisht, por edhe e keqpërdorën atë në mënyrë maksimale dhe të gjitha format e mundshme të paskrupullta, vetëm për poenë politikë dhe paraelektoralë. “Përzierja i politikës në arsim ka bërë që shumë kolegje private, të cilat dikur ishin formuar me entuziazëm të madh, sot të mbeten pa studentë, e pa studentë po ngelin përditë e më tepër edhe vetë universitetet publike.

Si pasojë e politikës së inkriminuar dhe politizimit të personelit mësimor nëpër shkolla, arsimi në Kosovë ka degraduar aq shumë, saqë edhe gazetat e huaja prestigjioze, si e përditshmja zvicerane “Neu Zuricher Zeitung”, vetëm para pak muajsh, shkollat në Kosovë t’i cilësonte me titujt bombastik, si “Shkollat më të këqija në Evropë”, gjë që fatkeqësisht është vërtetuar katërçipërisht edhe nga testi PISA”, vlerësoi ai. Sipas Qarrit, ky fenomen i trishtë është bërë argumenti kryesor që të humbë edhe interesimi i të rinjve për të studiuar në këto kolegje private, të cilat nën kushte të tilla nuk kanë mundësi të ofrojnë asgjë tjetër më shumë se kualifikime pa dije dhe diploma të pavlera.

RCCOLA

Ndërsa njohësi i rrethanave politike në vend Ali Hertica, tha për “Kosova Sot”, se ky degradim i arsimit është bërë pikërisht edhe nga politika e inkriminuar, ku partitë kanë dashur që sa më shumë klientë të kenë nëpër shkolla dhe universitete. Madje, edhe pa kurrfarë merite.

“Doktorë e doktorë, magjistra, si kërpudhat pas shiut, porse çka kanë sjellë nga studimet e tyre, kjo fare nuk vërehet. Arsimi në Kosovë gjendet në një krizë të thellë morale dhe profesionale. Kjo kastë politike dhe këta operatorë, pasi e kidnapuan dhe privatizuan ekonominë, u mungonte vetëm edhe letra për diplomat”, u shpreh ai.

Krizë e thellë morale dhe profesionale

Njohësi i fushës së integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për “Kosova Sot”, thotë se tashmë nuk ka dyshime se arsimi në Kosovë gjendet në një krizë të thellë morale dhe profesionale. “Është kasta politike dhe këta operatorë, pasi e kidnapuan dhe privatizuan ekonominë, u mungonte vetëm edhe letra për diplomat. Ata ishin në dilemë se si t’ia bëjnë në këtë drejtim, këta njerëz u futën nga politika, ndonëse edhe në politikë nuk dinin asgjë, u futën në arsim dhe më pas e kapën edhe Universitetin Publik dhe tash e dy dekada secili që ka ardhur në krye të Universitetit dhe të Ministrisë së Arsimit, secili prej tyre as që merrnin vesh në arsim.

Janë po këta operatorë edhe e shkatërruan arsimin dhe të njëjtët u pajisën me diploma dhe morën edhe pozita udhëheqëse duke u emëruar dekanë e çka jo tjetër, por duke e përdorur politikën. Po të njëjtët operatorë më pas u larguan nga politika gjoja duke iu kthyer institucioneve arsimore dhe shkencës. Andaj, të gjitha këto ndikuan që arsimi në Kosovë ra në pikën më të ulët të mundshme dhe e tëra kjo nuk është bërë pa ndonjë qëllim nga qarqet e caktuar nga vendorët për ta realizuar shkatërrimin e arsimit në Kosovë”, u shpreh Kelmendi.

Qytetarët, të zhgënjyer me cilësinë në shkolla

Qytetarët e anketuar thonë se tej mase janë të zhgënjyer me cilësinë e arsimit në Kosovën e pasluftës. Sipas tyre, është politika e inkriminuar, fajtorja që e ka degraduar arsimin. Qytetari nga Prishtina Ramadan Ferizi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë tashmë po duket qartë se si gjendja në arsimin e Kosovës që nga pas lufta është tepër e keqe. “Prandaj, e them se arsimit në Kosovë i nevojitet një infuzion dhe një përmirësimin e dukshëm, sepse ky është realiteti, ngase është për keqardhje që me arsimin jemi më të dobëtit në Evropë.

Prandaj, edhe nuk duhet të çuditemi se përse po humb interesimi i të rinjve për të studiuar në këto kolegje private që nuk ofrojnë gjë tjetër pos diploma të pavlera”, u shpreh ai. Sipas tij, drejtuesit e shtetit e të arsimit duhet të marrin masa urgjente se çfarë duhet të bëjmë për përmirësimin e arsimit në Kosovës që është fushë kryesore e të ardhmes së një shteti dhe një shoqërie.

Ndërsa, qytetari nga Prishtina Hakif Hamiti, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se nuk ka asnjë dyshim se me fajin e politikës së inkriminuar,pas lufte tek ne ka degraduar arsimi në Kosovë. “Që e keqja të jetë edhe më e madhe pa studentë po mbesin edhe universitetet publike”, u shpreh ai. Sipas tij, asnjëra nga qeveritë e pasluftës nuk kishin dhënë tretmanin e duhur arsimit, ngase pushtetarët që ndërroheshin e shkatërruan arsimin derisa këtë nuk arriti që ta bënte Serbia.

(Kosova Sot)