Fundamenti

Politika bardh dhe zi

/ 6 minuta lexim
ARKATANA

Nga Blerim Shala-Marrëveshja politike i paraprin çdo Kushtetute dhe çdo Ligji dhe mund ta ndryshojë çdo Kushtetutë dhe çdo Ligj.

Politika e një vendi, e gjithë shoqëria, në fakt, nuk i ka punët mirë atëherë kur skema bardh e zi, mirë dhe keq, shfaqet në plotëninë e saj, pa nuancat përafruese, dhe kur nuk shihet që ka vullnet politik për të ndalë drejtimin e rrezikshëm, atë të tatëpjetës së politikë dhe të shoqërisë, dhe kur vërehet mungesa e mekanizmave për zgjidhjen e problemeve të mëdha të një vendi.

Kur dështon politika, paralajmërohet dështimi i një shoqërie, i një vendi.

Janë së paku tre shembuj që kanë dalë në dritë të diellit të kësaj vere, që i dhënë fuqi pohimit të mëparmë dhe që dëshmojnë që e liga politike ka marrë një hov të madh në Kosovë.

Ai i pari, na kthen në prillin e vitit të kaluar, kur Kosova u gjet një hap larg humnerës politike, për shkaqet fort mirë të njohura, të cilat deshën të marrin tagrin e tyre në trajtë të shpartallimit të politikës institucionale dhe të hyrjes në një krizë të thellë politike, me pasoja të paparashikueshme.

Bëhej fjalë për fatin e një kolektiviteti politik.

Shoqëria kosovare nuk është as e para dhe as e fundit që u detyrua të aplikojë një mekanizëm themelor politik, çfarë është Marrëveshja, pikërisht për t’i adresuar si duhet problemet që u shfaqën me skemën bardh/zi: U pranua, prej të gjithëve, me apo pa vullnet kjo është çështje tjetër, që Kosova nuk mund të organizojë zgjedhje çfarë ishin atë të dhjetorit të vitit 2010. U pranua, poashtu prej të gjithëve, që zgjedhja e Presidentit të vendit nuk duhet tash e tutje të jetë burim i telasheve institucionale, apo që ai/ajo duhet të caktohet me votën e lirë, të drejtpërdrejtë të qytetarëve. Më në fund, u mbërri pajtimi që bashkërisht të hyhet në një proces të ri të tranzicionit politik (e që një vend i ka punët llugë kjo mund të merret vesh kur tranzicioni është fjala më e preferuar politike), i cili do të duhej t’i jepte fund tronditjeve të mëdha politike.

Kështu ishte puna në pranverën e vitit 2011.

Në verën e vitit 2012, siç e dimë tani të gjithë, doli që e tëra kjo nuk na qenka e vërtetë, sepse Marrëveshja që synonte të shpëtojë gjithë një popull prej krizave politike, cenon të drejtat e një njeriu, të Presidentes, e cila ka të drejtë të shfrytëzojë mandatin e saj kushtetues pesëvjeçarë. Ky interpretim, fshin prej faqes së dheut konceptin e tranzicionit, ri-kthen krizën politike, me pasojat tashmë të dala në sipërfaqe, dhe hapë dyshimet se çka do të ndodhë me këtë politikën kosovare.

Kjo përvojë mund të jetë fatale për vetë idenë e Marrëveshjes politike, e cila ndryshe, i paraprinë çdo Kushtetute dhe çdo Ligji, dhe mund ta ndryshojë çdo Kushtetutë dhe çdo Ligj.

Kështu na mëson politika dhe historia. Kosova nuk mund të jetë përjashtim prej këtij mësimi dhe kësaj përvoje. Përndryshe.

Mobi Casa

Pra, kriza e zgjidhur vjet me një Marrëveshje politike, e cila tani është zhvlerësuar plotësisht, është rishfaqur dhe sërish, nuk ka mekanizëm tjetër të tejkalimit të saj pos me në tjetër Marrëveshje. E pyetja është: Kush tash i beson Marrëveshjes politike pas gjithë kësaj loje? E tjetra pyetje edhe më e rëndë është: A kuptojmë që realisht, nuk ka tjetër solucion pos Marrëveshjes politike?

Çka mbetet tjetër në atë rast, me gjasë, këtë e dimë të gjithë. Kjo ta kujton atë mësimin me udhët që gjinden kur qerrja thyhet.

Shembulli i dytë dhe i tretë janë të ndërlidhur, dhe provojnë së bashku, arrogancën, kokëfortësinë, kapadaillëkun e Qeverisë së sotme të Kosovës, e cila në një tjetër rast, bënë peng vetveten, Kuvendin e Kosovës, gjithë qytetarët e Kosovës të një vendimi qind për qind të gabuar të një Ministri të vet, të Mimoza Kusari-Lilës, për kontrollimin e tregut të çimentos në Kosovë, përmes imponimit të taksës së shtuar doganore në importin e çimentos.

Janë shterë këtu të gjitha argumentet e mundshme, të cilat, siç u pa edhe në seancën e shkuar të Kuvendit të Kosovës, u shfaqën në trajtë të skemës bardh dhe zi.

Askush në atë seancë të Kuvendit nuk e mbrojti këtë vendim të mbrapshtë të një Ministre, e cila, pos të tjerash ka çrregulluar në plotëni tregun e furnizimit me çimento dhe ndërtimtarinë në Kosovë, sepse vetë ajo tha që “Sharrcemi” nuk plotëson as një të tretën e nevojave të qytetarëve me çimento. Paramendoni tash për pak një situatë kur kjo Ministre dhe kjo Qeveri, do të ndalonin efektivisht importin e miellit, kinse në favorizim të prodhuesve vendorë, edhe pse ata nuk plotësojnë, ta zëmë, as gjysmën e nevojave të Kosovës për miell, për bukë. E dimë çka do të ndodhte në atë rast. Do të rritej çmimi i bukës 100%, dhe do të kishte trazira sociale me përmasa kërcënuese për Qeverinë e Kosovës dhe për stabilitetin e shtetit.

Për ta ruajtur disi vetën dhe fytyrën e Ministres Kusari-Lila, Qeveria vendosi ta paralizojë procesin vendimmarrës të Kuvendit të Kosovës, në fakt ta përbuzë atë, duke mos lejuar praninë në seancë të deputetëve të shumicës, me përjashtime shumë të rralla.

Qeveria e di që e ka keq, dhe bën diçka të tillë.

Për më shumë, këtë veprim siç u tha me të drejtë, të paprecedent në demokracinë parlamentare, Qeveria e Kosovës e bën po të njëjtën ditë kur në Prishtinë u mbajt takimi i radhës i Delegacionit të Komisionit Evropian me qeveritarët e Kosovës për plotësimin e kritereve kyç që dalin nga Studimi i fizibiletit.

Dy prej këtyre kritereve janë shkelur me këtë sjellje të Qeverisë së Kosovës ditëve të shkuara: Ai për reformën zgjedhore dhe ai për sundimin e ligjit.

Nuk ka gjë prej reformës zgjedhore, nëse nuk ka Marrëveshje politike. Nuk ka sundim të ligjit me veprime të këtilla arbitrare të një ministri dhe të një Qeverie.

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)