Mobi Casa

Policia: S’lejojmë parregullsi në zgjedhje

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Fushata zgjedhore që ka nisur ka bërë që edhe Policia të përgatitet me masa shtesë për të siguruar mirëmbajtjen e tyre. Nisur nga përvojat nga zgjedhjet e kaluara, Policia ka planifikuar menaxhimin e situatës gjatë fushatës parazgjedhore.

Tanimë është hartuar Plani Operativ për menaxhimin e situatës së sigurisë në ditën e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, përfshirë edhe rolin e Policisë në bartjen e votave si dhe në raste të balotazhit edhe menaxhimin e zgjedhjeve të dyta eventuale.

Sipas zyrtarit për informim në Policinë e Kosovës, kapiten Brahim Sadriut, plani policor për veprim në periudhën para, gjatë dhe pas zgjedhjeve lokale është i ndarë në pesë faza të zbatimit.

“Në fazën e parë ishin përgatitjet e planeve policore dhe koordinimi me institucionet tjera lidhur me këtë proces. Faza e dytë përfshin periudhën e fushatës zgjedhore, faza e tretë është dita e zgjedhjeve, faza e katërt parasheh transportin dhe përcjelljen e materialeve zgjedhore deri në qendrat përkatëse, ndërsa faza e pestë përfshin përgatitjet në rastet e balotazheve eventuale’’, ka thënë Sadriu.

Sipas tij janë bërë të gjitha përgatitjet dhe për Policinë e Kosovës nuk do të ketë befasi në periudhën e zgjedhjeve, sepse tashmë ka krijuar një traditë të menaxhimit të situatave të tilla.

Eco Higjiena

“Tashmë është krijuar një traditë në menaxhimin e situatës së sigurisë gjatë procesit zgjedhor dhe as në të kaluarën nuk kemi pasur probleme të cilat janë të ndërlidhura me punën që bie në domenin e punës policore. Përveç kësaj gjatë këtij viti kemi marrë masat e duhura në mënyrë që të evitohen problemet e mundshme’’, u shpreh Sadriu.

Ai theksoi se policia nuk do të tolerojë asnjë veprim të jashtëligjshëm që mund të ndodhë gjatë fushatës parazgjedhore apo në ditën e zgjedhjeve dhe do të reagojë me kohë në çdo rast të paraqitur.

Sipas tij, bashkëpunimi i zyrave komunale të zgjedhjeve me Policinë e Kosovës do të jetë maksimal, sidomos në ditën e zgjedhjeve.

“ Në kuadër të PK-së që nga niveli qendror janë caktuar zyrtarët policorë të cilët do të jenë në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët e KQZ-së dhe të zyrave komunale të zgjedhjeve, me qëllim të koordinimit të veprimeve për parandalimin e incidenteve eventuale”, ka thënë Sadriu./zeri/